Historianët amerikanë kanë publikuar një artikull të pabotuar më parë të ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill, për ekzistencën e jetës në planetë të tjerë.
Artikulli me titull “A jemi të vetëm në Univers?” dhe i shkruar në fund të viti 1939, u zbulua në maj të 2016-ës dhe i është dorëzuar astrofizikanit amerikano-izraelit Mario Livio, i cili zbuloi përmbajtjen e saj në faqet e revistës “Nature”.
Sipas Livio, përveç të qënit një nga politikanët më me ndikim të shekullit XX, Churchill ishte i apasionuar pas shkencës dhe teknologjisë. Ai ishte pushtetari i parë që kishte një këshilltar shkencor dhe i atribuohen shkrime të ndryshme të evolucionit, qelizës dhe fizikës bërthamore.
Megjithatë, zbulimi i fundit ka befasuar ekspertët, për shkak se shumë nga idetë e politikanit britanik, pavarësisht periudhës, mbeten motiv studimi i astrofizikës moderne.
Ne nuk jemi vetëm
Churchill mbështeste idenë se njerëzit nuk janë qeniet e vetme të gjalla në univers, dhe duke pasur parasysh ujin si pjesë esenciale të jetës, besonte se prania e ujit duhet të udhëheqë kërkimet për jetën jashtëtokësore në planetë të tjerë.
Në këtë drejtim, ai përcaktoi atë që sot njihet si “zonë e banueshme” (rajonin përreth një ylli që për shkak të temperaturës dhe ndriçimit të tij, lejon praninë e ujit), duke arritur në përfundimin se në Sistemin Diellor, Afërdita dhe Marsi mund të strehojnë jetë, për shkak se janë të vetmit që plotësojnë kushtet e nevojshme.
Përtej Sistemit Diellor
Në artikull vlerësohet mundësia e ekzistencës së jetës jashtë sistemit tonë planetar dhe vihet në dukje se “dielli është vetëm një yll në galaktikën tonë, i cili përmban disa miliarda yje të tjerë”.
Churchill supozonte se ekzistojnë planetë me madhësi të mjaftueshme dhe të vendosur në distancën e duhur nga ylli i tyre për të mbajtur ujë brenda tyre.
Duhet theksuar se vëzhgimet e tij i përkasin një periudhe kur ende nuk ishte zbuluari eksoplaneti i parë, nga mijëra që janë zbuluar sot. Churchill nuk përjashtonte mundësinë e udhëtimeve në hapësirë në atë kohë dhe komplikacionet në komunikim që ato përfshinin.
“Një ditë, madje edhe në një të ardhme jo shumë të largët, do të jetë e mundur të udhëtohet në Hënë, Afërditë, apo Mars”, shprehej ai.
Idetë profetike
Së fundi, astrofizikani thekson ashtu si Churchill parashikoi, tashmë 80 vjet më pas, po kërkohen shenja jete në sipërfaqen e Marsit, simulimet klimatike në Afërditë sugjerojnë se mund të ketë qenë e banueshme dhe astronomët mendojnë pas disa dekadash do të zbulojnë gjurmët e jetës në planetët ekstrasolare.
Pa harruar se njeriu tashmë ka shkelur në Hënë. “Eseja e Churchill është testament i rëndësisë së fryteve të shkencës dhe teknologjisë për zhvillimin e shoqërisë”, përfundoi Livio.
Dita
