Nga Bedri Islami
Parlamenti i Kosovës, pas një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë Mustafa, firmosur nga 40 deputetë, sot e miratoi atë dhe që kësaj dite qeveria është një fakt i së djeshmes.
Mocionin e përkrahën 74 deputetë. 34 anëtarë të parlamentit nga Partia Demokratike e Kosovës, nga 36 gjithsej që kishte deri më tash kjo parti, votuan pro shkarkimit të qeverisë ku ishin pjesë dhe ku drejtonin disa nga dikasteret kryesore.
Është ndër rastet e pakta kur vetë qeveria rrëzon qeverinë.
Megjithatë, kjo ishte një kronikë e paralajmëruar prej kohësh dhe ajo që ndodhi kësaj të mërkure ishte vetëm fundi i ditur i një ndarje që nuk duhej të kishte qenë kurrë bashkim.
Qeveria e ndërtuar sipas marrëveshjes së 8 dhjetorit 2014 nuk do të duhej të ishte ndërtuar asnjë ditë, por edhe momenti kur u prish lë pas vetes pikëpyetje të tjera, të cilat, ditët e mëpasme, shumë lehtë, do i qartësojnë.
Një qeveri e ngritur sipas parimit , “më jep, të jap”, pra më jep një kryeministër dhe të jap një president dhe një kryetar kuvendi, veç shmangies së një klime me qeveri e pa qeveri, sepse që nga 9 qershori i vitit 2014, kur PDK ishte fituese e zgjedhjeve, por që nuk mund të ndërtonte e vetme një qeveri të qëndrueshme, gjithçka ishte në një vorbull, të cilën nuk e zgjidhte as Kushtetuta e Kosovës.
Dhe atë që nuk e zgjidhte Kushtetuta, si ndodh zakonisht, e zgjidhin marrëveshjet. Njëra prej tyre u prish sot dhe për Kosovën, jo papritur, fillon periudha e një ballafaqimi politik, përmes së cilit, qoftë opozita , tre krerësh, qoftë pushteti i deritashëm, në dy krerë, do të kenë mundësinë për të shfaqur filozofinë e tyre politike, gjithnjë në rastet kur e kanë atë.
Shenja e parë e një grupimi politik është dhënë – AAK, e drejtuar nga Ramush Haradinaj dhe NISMA e drejtuar nga Fatmir Limaj, dy liderë të ardhur nga radhët e drejtuesve të lartë të UÇK-së, kanë rënë në një mendje për koalicion dhe, si duket, edhe për Lista të përbashkëta. Kjo e fundit i shkon më shumë për shtat Nismës, pasi, e vete, sipas sondazheve. Do e kishte të vështirë të kalonte pragun e duhur për të qenë në parlament. Qëndrimi për shumë kohë nën hijen e Lëvizjes Vetëvendosja dhe mungullimi politik në jetën parlamentare, ku rrallë herë, ndoshta asnjëherë nuk kishin primatin, ka sjellë shenja të defaktorizimit të saj, megjithëse në përbërje ka plot mendje të shquara. AAK e Ramush Haradinajt ka vitalitetin e kryetarit të saj, i cili, pas ardhjes nga Franca, tri herë në jetën e tij i akuzuar dhe tri herë i fituar, ka staturën e tij të shquar politike. Është ndër liderët politikë që mund të marrin përsipër çdo lloj përgjegjësie dhe që, koha e tij në drejtimin e qeverisë së Kosovës, megjithëse e shkurtër, ishte më e suksesshmja.
Rrëzimi i qeverisë së deritashme ka shumë shkaqe, të cilat, aq sa kanë të bëjnë me filozofitë e ndryshme që kanë paraqitur historikisht këto dy forca politike, të shkuarën dhe prosperimin, aq ka të bëjë edhe me moskuptimet dhe inatin e ndjeshëm politik që mezi ka pritur të shpërthejë.
Fakti është se në dy vitet e fundit ritmi i rritjes ekonomike në Kosovë u ndal, figura e Isa Mustafës, edhe pa pasur mbi vete mëkatet e së shkuarës titiste, nuk frymëzonte dhe as nuk nxiste njeri në Kosovë dhe jashtë saj; ai deri në fund dukej dhe mbeti njeriu nën hijen e presidentit Thaçi dhe, duhet pranuar se për këtë nuk kishte faj. Kushdo që të ishte në rolin e tij do të ishte nën atë hije.
Për shumë kënd, edhe për misionet e huaja ndërkombëtare dhe shtet të fuqishme, mbështetës të Kosovës, për institucione që monitorojnë jetën e atjeshme, futja në zgjedhje të parakohshme në Kosovë ishte një hap i shpejtuar, që, sido që të përfytyrohej, nuk mund të kishte dobi të ndjeshme.
Megjithë paralajmërimet e tyre, herë të hapura e herë përmes mendimit të ndërmejtëm, Kuvendi i Kosovës vendosi që qeveria duhet të rrëzohet dhe këtë e vendosi vetë qeveria, pjesa më e madhe e saj.
Kjo zgjidhje mund të jetë e favorshme, nëse gjithçka do të ecë nën ritmin e duhur.
Tani janë përpara aleancat e reja, njëra nga të cilat, si e thamë, është bërë dhe po pret edhe ofertat e tjera.
Raporti i forcave politike në Kosovë ka ndryshuar, nuk është më i qershorit të vitit 2014. Si mendohet, ndërsa PDK e ka ruajtur deri diku detashmentin e saj votues, kjo nuk ka ndodhur me LDK-në apo me parti rrethanore, ashtu si mund të vërehet lehtësisht se Lëvizja VV dhe AAK pritet të kenë rritje.
Divorci mes PDK dhe LDK nuk parasheh deri tani një “martesë” të re qeveritare.
Në harkun e 6 javëve do të jetë harta e re parlamentare e shtetit më të ri të Evropës dhe pjesë e kombit.
Ndërtimi i saj fillon që këto ditë, do të vendosin koalicionet dhe pas tyre shpejt do të kemi një pozitë dhe opozitë, ndoshta të njëjtën, por më shumë gjasa raportet nuk do të jenë si më parë.
Do të kisha dashur fuqimisht një bashkim të tri partive politike, të cilat nuk kanë asnjë kufizim në qëndrimin e tyre ndaj çështjeve madhore: PDK , AAK dhe Nisma.
Personalisht, për mua, nuk është e rëndësishme se cili do të jetë kryeministri i ri i Kosovës. E rëndësishme është se kush do e qeverisë atë.
