Interi ka dështuar sërish të marrë një rezultat pozitiv teksa është mundur nga Sassuolo me rezultatin 2:1 në “San Siro”.
Situata vazhdon të jetë e rëndë në kampin zikaltër teksa edhe ultrasit janë larguar nga stadiumi në minutën e 23′ në shenjë proteste për shkak të rezultateve të dobëta në javët e fundit.
Protesta nisi që kur u lexuan formacionet. Të gjithë lojtarët titullarë të Interit u shoqëruan me vërshëllima. Më pas, “Curva Nord” nisi të ofendojë lojtarët me kore (Bastardë, jeni të padenjë!) dhe të mbështesë trajnerin e shkarkuar pak ditë më parë (Duam Stefano Piolin!)
Pastaj, tifozët shpalosën mesazhe të tjera: “Genoa-Inter e luajtët në kompanitë kineze apo kishit nevojë për të rrumbullakosur rrogën në fund të muajit?” apo “Shoqëri, mos hidhni miliona për palaço, por fusni në fushë skuadrën e dytë”.
Në minutën e 20 të pjesës së parë, “Curva Nord” boshatiset dhe ngel vetëm një parrullë: “Duke qenë se nuk e meritoni mbështetjen tonë, ne ju përshëndesim dhe po ikim të hamë”.

Pas atij momenti është Sassuolo që rimerr veten dhe arrin madje të gjejë golin në rastin e parë të prodhuar pas një gabimi trashanik të Murillo.
Iemello është lojtari që ndëshkon zikaltrit pak përpara se të përfundojë pjesa e parë.
Por situata përkeqësohet për vendasit kur Iemello shënon golin e dytë të takimit me lehtësi pas një pasimi të Lirola.
Inter nuk ka se çfarë të humbasë dhe hidhet në sulm duke ngushtuar diferencën me Eder në minutën e 70’.
Goli i italo-brazilianit i jep shpresë Inter të dalë të paktë me një barazim nga kjo sfidë dhe presioni i ushtruar nuk është i vogël, por duhet thënë se lojtarët janë tepër nervozë dhe në disa momente shkaktojnë faulle të tmerrshëm ndaj kundërshtarit i cili mbron me kujdes fitoren.
