Sulmi kibernetik i së premtes preku më shumë se 200 mijë njerëz në 150 vende. Të dhënat u bënë me dije nga shefi i “EUROPOL”, Rob Wainwright, në një interviste pwr BBC.
Ai tha se akti ishte i pashembullt sa i takon nivelit të tij, teksa paralajmëroi sulme të tjera ne fillimin e javes së ardhshme.
Virusi i rrezikshëm i së premtes mori kontrollin e dosjeve të përdoruesve të kompjuterave dhe kërkon pagesë për t’i hapur sërish. Rusia dhe Britania ishin dy vendet e goditura më rëndë.
Në Rusi u prekën me mijëra kompjutera, ndërsa në Angli u godit rëndë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor.
Wainwright tha se “Ransomware”, ishte kombinuar me një aplikacion krimb që lejon që “infektimi i një kompjuteri të përhapet shpejt në të gjithë rrjetet”.
Ai shtoi se: “Kjo është arsyeja pse ne po shohim që këto numra të rriten gjatë gjithë kohës”.
Ndërkohë ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se një sulm tjetër është shumë i afërt dhe mund të jetë i pandalshëm.
Në këtë kuadër, shefi i “EUROPOL”, Wainwright tha se është i shqetësuar se numri i njerëzve të prekur nga virusi kompjuterik do të rritet, kur ata të kthehen në punë të hënën në mëngjes.
“Po përballemi me një kërcënim në përshkallëzim dhe shifrat po rriten. Ne kryejmë rreth 200 operacione globale në vit kundër krimit kibernetik, por s’kemi parë kurrë diçka të tillë”, deklaroi Wainwright.
