Mijëra hungarezë kanë marshuar dje në rrugët e Budapestit, për të protestuar kundër sistemit autokratik, që ka instaluar në vend Viktor Orban si edhe kundër lidhjeve të ngushta, që ai po krijon me Rusinë.
“Evropën, jo Moskën”, thërrisnin protestuesit hungarezë, teksa marshonin edhe para ambasadës ruse, me flamuj evropianë në duar.
Brenda tre vitesh, lideri rus Putin e ka vizituar dy herë Hungarinë. Me të njëjtën frymë proteste, do të pritej Putin edhe gjatë vizitës së fundit në muajin shkurt të këtij viti, kur protestuesit e mbledhur para parlamentit hungarez do të thërrisnin: “Rusë kthehuni në vendin tuaj!”
Do të ishte viti 2014, kur Viktor Orban do të deklaronte publikisht ndërrimin e kursit të tij politik. Teksa konfirmonte se “Përballë demokracisë liberale, ai do të favorizonte ndërtimin e një shteti jo- liberal.” Duke shprehur qartë preferencat e tij për modelin rus.
Po në të njëjtin vit, ai do të nënshkruante me Putinin, një marrëveshje huaje të shumë debatuar prej 10 miliardë euro, për zgjerimin e kapaciteteve nukleare në Hungari.
Dhe që prej vitit 2014, ajo që po vëzhgohej në Hungari ishte përforcim i kuadratit të një shteti jo- liberal, që format e tij të para kishte filluar ti modelonte që në vitin 2010, teksa po etiketohej gjithnjë e më shumë si një “demokraturë”. Goditje ndaj lirisë së shtypit, gjobë-vënie të larta ndaj gazetarëve, mbyllje të gazetave opozitare nëpërmjet presioneve financiare, sulm ndaj institucioneve të pavarura në vend si edhe ndaj shoqatave joqeveritare, të konsideruara këto të fundit si “agjentë të huaj”, të vlerësuara si “të majta” dhe “problematike”. Si rrallëherë, qeveria ka ndërmarrë kontrolle dhe inspektime surprizë të OJQ-ve, duke konfirmuar se një pjesë e mirë e tyre “janë të influencuara nga axhendat politike”. Një sërë legjislacionesh janë miratuar për burgosjen e imigrantëve, si edhe ndaj personave të pastrehë, apo më saktë endacakëve. Pa anashkaluar këtu edhe mbylljen e universiteteve të financuara nga Ai, që po konsiderohet rëndom si “financuesi i së keqes”, Xhorxh Soros.
Ky regres i vazhdueshëm në funksionimin e shtetit të së drejtës, sipas aktivistëve pjesëmarrës në protestën e fundit, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, veçse me “Instalimin e një sistemi frike në Hungari sipas modelit rus.” Kundërshtarë të tjerë të sistemit jo-liberal, që ka ngritur Orban, konfirmojnë se, “Putini shpreson tek Orban, se do ta ndihmojë atë në shkatërrimin e BE-së dhe të NATO-s, nga brenda !”
Fushata e fundit e qeverisë hungareze drejtuar popullatës së saj, po kryhet nën moton “Stop Brukselit”. Po njësoj si Marine lë Pen, tek mbron programin e saj kundër Evropës së bashkuar.
Por, deri ku, do ta tolerojë BE, këtë sjellje të autoritarit hungarez ?
Korniza ligjore e BE-së, përfshin dy hapësira manovrimi, që mund të bëjnë të mundur ushtrimin e një presioni ndaj veprimeve të tilla dhe futje në kuadrin ligjor të shtetit të së drejtës. E para, përfshin aktivizimin e nenit 7 të Traktatit të Lisbonës, që mund të penalizojë një shtet nga e drejta e votës në Këshill. Por, Komisioni shfaq hezitim. Hezitim, që konfirmohet nga deklarimet se tij se “Në rastin hungarez nuk kemi të bëjmë me një kërcënim sistematik”. Në fakt, problemi real qëndron tek fakti se Orban është pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe PPE përbën forcën kryesore në Këshill. Dhe Këshilli në rast aplikimi të Nenit 7 duhet të procedojë me votim anonim. Si rrjedhojë, situata shfaqet e komplikuar. Nga ku, i vetmi opsion që ngelet në duart e Komisionit është mbajtja e një dialogu të vazhdueshëm me qeverinë hungareze.
Hapësira e dytë, mundëson nisjen e një procedure shkeljeje, në rast se Hungaria bie ndesh me
të drejtën evropiane. Dhe kështu po operohet ndaj qëndrimeve të fundit të Hungarisë, si në rastin e mbylljes së Universitetit të financuar nga Sorosi. Nisja e një procedure shkeljeje, bazuar në dhunimin e Kartës së të Drejtave Themelore, vlerësohet se do të detyrojë Budapestin të tërhiqet. Dhe BE po vepron shpejt. Hungarisë i është lënë një muaj kohë nga dy që parashikon procedura. Arsyeja ? Çështja është urgjente, pasi nëse BE nuk vepron shpejt, Universiteti i Evropës qendrore, i themeluar nga miliarderi Xhorxh Soros, nuk do të jetë më i autorizuar të operojë në Budapest, duke nisur nga 1 janari 2018.
Ndërsa në lidhje me dy çështjet e tjera të ndjeshme, siç janë sulmet ndaj shoqërisë civile në Hungari dhe legjislacionet e hartuara për burgosje sistematike të imigrantëve, preferencat shkojnë drejt një dialogu të vazhdueshëm me qeverinë hungareze, dhe në rast se situata nuk rezulton në tërheqje, atëherë pritet të aplikohet e njëjta skemë për procedim shkeljeje të së drejtës evropiane.
Apel për ndërgjegjësim
Në debatin, që u zhvillua javën e kaluar (26.04) në Parlamentin Evropian, ku ishte prezent edhe Viktor Orban, ndër të tjera do të spikaste apeli për reflektim, që eurodeputeti liberal belg, Gi Verhofstadt do t’i drejtonte atij. Një apel, që rikujton rëndësinë e vlerave demokratike dhe mbrojtjes pa-kompromis të tyre, metamorfozën e pakuptueshme të drejtuesve politikë, që pasi zgjidhen nga një sistem demokratik, fillojnë të shkatërrojnë shkallë pas shkalle, të gjithë parimet dhe vlerat e atij sistemi, që i ngriti. Shndërrimin e atyre krijesave politike, që pasi “sollën demokracinë” u shndërruan në autoritarë. Dhe ndërgjegjësimin, që imponon memoria historike mbi gjurmët e përjetshme, që do të lihen mbi të.
Gi Verhofshtad, fjala në Parlamentin Evropian (26.04)
“Nuk e di nëse e mbani mend herën e parë që ne u takuam bashkë në atë hotelin në Budapest.
Ishte dhjetori i vitit 1989.
Nuk e mbaj mend emrin por më kujtohet se u takuam, se unë para së gjithash kisha një takim, me SZDSZ, partinë e vjetër liberale. Pastaj, ju pyeta ju, si lideri i Fidesz se, pse nuk ishit ju me partinë tuaj mëmë, këtu në dhomën e mbledhjes? Dhe ju e shpjeguat, se përse. Ishte vetëm disa muaj para pjesëmarrjes së suksesshme të Fidesz në zgjedhjet e para të lira në Hungari.
Meqë ra fjala, në atë moment ju ishit i ndihmuar nga Xhorxh Soros. Këtë e kujtoj mirë. Me
një program në atë kohë, që ishte në njëfarë mënyre më shumë progresiv se, sa programi i SZDSZ- së në atë moment. Dua të them, më shumë social-liberal se, sa programi i SZDSZ-së.
Pak a shumë si Emanuel Makroni i asaj kohe. Dua të them, se ti ishe Emanuel Makroni i Hungarisë së vitit 1989. Nuk mendoj se Emanuel Makroni do të jetë i kënaqur me këtë që po them sot, megjithatë nuk e thashë në frëngjisht, kështu që shpresoj të mos bëjë jehonë.
Por, le të jemi të ndershëm. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Hungari që nga viti 1990 dhe nga viti 1989, kur ne u takuam bashkë.
Ju keni ndryshuar. Keni braktisur parimet tuaja demokratike dhe në njëfarë mënyre, e thoni këtë hapur “Unë dua të krijojë jo një demokraci liberale, por një shtet jo-liberal”. Dhe lista është e gjatë në këto momente, për ato se çfarë keni bërë ju. Kërcënim ndaj NGO-ve, përndjekje të medias kritike, ndërtim muresh, përpjekja juaj, opinioni juaj për të rifutur dënimin me vdekje në vendin tuaj, edhe kur kjo nuk është e mundur nën traktatet tona. Dhe tani, ju keni vendosur të mbyllni një Universitet!
Dhe pyetja ime ndaj jush është: Sa larg synoni të shkoni ? Kush është gjëja tjetër, që do të bëni ?
Do të digjni libra? Në sheshin përpara Parlamentit në Hungari, i ashtuquajtur sheshi Lajos Kosuth? Kjo do të jetë gjëja a radhës, që do të bëni ?
Libra, ndoshta të Kertez? Ndoshta librat e Konradit? Apo, ndoshta librat e një prej shkrimtarëve të mi më të preferuar në Hungari, Sandor Marai? Sepse, Sandor Marai, ishte gjithashtu
një kozmopolitan, që ju po e sulmoni në këto momente.
Dhe tek ju shoh, ju dukeni krenarë në lidhje më këto. Dhe ajo që unë shoh gjithnjë e më shumë, nuk është një krenari konservatore, sepse tashmë, ju jeni shndërruar në një konservator krenar.
Jo, shikoj një lloj versioni modern të Hungarisë së vjetër komuniste. Proteksion ekonomik, nacionalizëm të tepruar, lindja e një shteti jo-liberal.
Dhe ju shihni armiq të shtetit hungarez gjithandej !
Shikoni armiq në sektorin energjetik, armiq në media, armiq tek OJQ-të, dhe tani edhe armiq në botën akademike.
Duket sikur Stalini apo Brezhnjevi janë rikthyer. Por, tashmë në Hungari.
Edhe ata, kishin atë periudhën e tyre të paranojës. Nuk është e mjaftueshme të kesh një shumicë në demokraci. (Orban gëzon shumicën në parlament -Shën.red)
Duhet t’i përndjekësh ato. T’i përndjekësh, kur ato kanë një tjetër opinion.
Kështu që z. Orban, do ta mbyll këtu duke thënë se, Hungaria u bë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2004.
Ti, si edhe paraardhësit e tu, keni nënshkruar mbi vlerat e Unionit. Dhe gjithë këto parime, ju i njihni shumë mirë. Si e majta, edhe e djathta në këtë shtëpi, i respekton ato.
Ju keni dhunuar në fakt secilën nga këto parime, në çështje të ndryshme të përmendura nga z. Timermans.
Dhe, ende, ajo çka doni të bëni është të qëndroni anëtar i Bashkimit Evropian!
Në fakt, unë kam më shumë respekt për moralin e euroskeptikëve, që të paktën e thonë se “Ne nuk e pëlqejmë Bashkimin Evropian, nuk i pëlqejmë vlerat e tij dhe se duam ta braktisim atë.”
Ndërsa ju, doni të vazhdoni të merrni paratë e fondeve evropiane, paratë e Bashkimit Evropian, por jo vlerat evropiane !
Kjo nuk është për ju ! Ç’emër i vini kësaj ?!
Jo shumë inkurajuese, do të thosha unë, dhe sigurisht jo në linjën e një politikani të bazuar në parime.
Kështu që pyetja ime për ju është: “A nuk mendoni se ka ardhur koha të bëni një zgjedhje sërish?” Siç e bëtë këtë zgjedhje, kur u shndërruat nga një liberal demokrat, në njëfarë nacionalisti dhe konservatori.
A nuk është koha të pyesni vetveten, në shpirtin tuaj se, si do të kujtoheni në të ardhmen?
Do të donit të kujtoheshit si dikush, që çliroi vendin tuaj nga komunizmi, dhe ju e bëtë këtë!
Apo, do të donit të kujtoheshit si Armiku i Përjetshëm i shoqërisë sonë të hapur demokratike evropiane ?
Dhe kjo është zgjedhja, që ju duhet ta bëni tani !”
Im.Ta.
DITA
