Pas atentatit të fundit në Shans Elize dhe në gjendje të jashtëzakonshme prej thuajse një viti, Franca do i drejtohet kutive të votimit, për raundin e parë të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Mes 11 kandidaturave, që do të prezantohen në raundin e parë, sondazhet paraprake favorizojnë katër prej tyre: ish-Ministrin e Ekonomisë, Makron (24%), kreun e ekstremit të djathtë Lë Pen (22,5%), ish-Kryeministrin Fijon (19,5%) dhe kandidaturën e së majtës radikale, Melensho (18,5%).
Fushata në tërësi, u karakterizua nga akuza të shumëllojshme mbi të gjitha palët. Hapja e siparit, nisi me Fijon dhe akuzat për punësim fiktiv të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, vijoi me akuzat në nivel evropian mbi Lë Pen dhe punësimet fiktive të asistentëve të saj parlamentarë, më pas u pasua me akuza mbi Makronë për abuzim me fondet e Ministrisë së Ekonomisë, se këto fonde janë përdorur për lançimin e tij në garën presidenciale, si edhe aludime mbi preferencat e tij homoseksuale.
Por, fushata më shumë se goditja përmes akuzave, ku një pjesë e tyre morën formë të pastër juridike, do të spikaste edhe për nga mënyra se, si kandidatët e akuzuar do të shpjegoheshin, apo do të mbroheshin publikisht prej tyre. Një mënyrë tipike e stilit francez, mes një krenarie me burim të pashpjegueshëm dhe një vendosmërie apo bindje të palëkundur, pa anashkaluar këtu edhe format e larmishme në përpjekje për të justifikuar të pajustifikueshmen. Aty, ku imagjinata arrin të sfidojë edhe Moralin e së Shenjtës !
Fillimisht do të ishte Fijon, që do të shpjegonte në forma të ndryshme, se punësimi i të afërmve, pra “abuzimi me fondet publike”, gjithsesi, ishte tërësisht i kryer brenda një kuadri të plotë ligjor! Sepse, ligji e lejonte punësimin e të afërmve. Edhe kur ky punësim, lidhej thjesht me përcjelljen e thashethemeve, që bashkëshortja i mblidhte teksa bënte pazar, në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe ia rrëfente atij, gjatë mbrëmjeve! Më pas, hyn në skenë ndihma e një Autoriteti të Lartë Moral. Do të ishte mesha e Lionit, ku përfaqësuesi institucional i Asaj lart, Perëndisë do të vinte kufirin e nevojitur në këtë diskutim, mes Forcës së Perëndisë dhe Forcës së Ligjit ! Pasi, sipas tij: “Vetëm Zoti, mund t’i gjykonte njerëzit! Se: “Çështjet e Tij nuk i përkisnin aspak të tjerëve!” dhe se në fund të fundit të gjithë duhet të kuptonin se, “Fijon ka programin, që iu përshtatet. Më pas, është Qielli që do të vendosë!” Gjithsesi, duke kaluar nga Qiellorja tek Tokësorja, Fijon do të përpiqej t’i ri-shpjegonte elektoratit të tij më 9 prill, se Franca është shumë më e madhe se gabimet e tij, dhe se ai nuk po i kërkonte francezëve ta donin atë, por thjesht ta mbështesnin. Premtimin e parë, se nëse do të vihej nën akuzë, ai do të tërhiqej nga gara, Fijon e shkeli. Por, gjithsesi ai ka premtuar sërish se, pas mbarimit të zgjedhjeve, do t’i përgjigjet pyetjeve të grupit hetimor, në lidhje me akuzat ndaj tij.
Pas tij, Lë Pen, e akuzuar për abuzim dhe tjetërsim të fondeve evropiane, teksa paguante me paratë e Brukselit, 20 të punësuar në territorin francez, që mbulonin çështjet e partisë së saj në Francë, do të deklaronte me një arrogancë të stilit populist se, as që ka ndërmend të shkojë t’i përgjigjet pyetjeve të grupit hetimor. Kjo, pasi sipas saj, gjithçka ishte ngritur vetëm për ta penalizuar atë, në garën drejt fronit presidencial.
Në këtë klimë akuzash dhe një fushate, që dëmtoi besueshmërinë e kandidaturave, zhgënjimi dhe lodhja e elektoratit francez, tashmë e konfirmuar prej kohësh, kryesisht ndaj dy partive kryesore, veçse njohu rritje. Është kjo lodhje dhe ky zhgënjim, që e ka orientuar prej dekadash ( që nga 1981) dhe po vazhdon ta orientojë elektoratin francez drejt Frontit Nacional. Sa më shumë rritet FN, aq më i lartë është edhe refuzimi popullor ndaj politikave të së majtës dhe të së djathtës. Në të njëjtën linjë shfaqet edhe ikja e votave drejt kandidatit të pavarur Makron. Në të njëjtën linjë, shkon edhe realizimi i primareve, ku elektorati francez, nxori nga gara Sarkozinë, apo edhe Valsin. Shenjë që tregon se, elektorati nuk kërkon të riciklojë figura tashmë të provuara në karrigen e pushtetit.
Ndërsa Makro, po shikohet pikërisht si fenomeni i kundërt, si shpresa e vetme, që po grumbullon përmes së majtës dhe të djathtës një pozicion qendror, me synim thithjen e shtresave sociale dhe asaj pjese të elektoratit, që kërkon reformimin e Francës, para se edhe kjo pjesë e elektoratit t’i dorëzohet e pashpresë, politikave nacionaliste dhe populiste.
Gjithsesi, ikja e elektoratit drejt Lë Penit, nuk duhet parë si dëshirë ndaj politikave nacionaliste dhe ekstremiste, pasi nëse francezët do ta donin kaq shumë ekstremin apo ekstremet, atëherë logjikisht do të duhej të kishim më pak të pavendosur dhe abstenues, se ç’na ofrojnë tablotë e sondazheve (28%). Acarimi, lodhja dhe nervozizmi, që tashmë po shndërrohen prej kohësh në etiketime normale të opinionit publik francez, lidhen me sfondin e një krize ekonomike (2008- 2009), që nuk po e lejon ende Francën të njohë rritjen e duhur dhe të përballet me nivelin e lartë të papunësisë (rreth 10%) ku të rinjtë (24%) zënë fashën më të madhe. Thelbi lidhet me pabarazinë, që shkakton acarim dhe lodhje kundrejt një klase politike, që jo vetëm nuk po arrin të japë përgjigjet e duhura për reformimin dhe avancimin e vendit, por gjendet e akuzuar në mënyrë të vazhdueshme, pikërisht për korrupsion dhe abuzime me paratë e qytetarëve francezë.
Nënvlerësimi i rrezikut
Ndër katër kandidaturat, që kryesojnë në sondazhe, Melensho ka shfaqur shqetësim përballë Evropës. Kjo, pasi mënyra se, si ai është pozicionuar përballë projektit evropian, ka marrë trajta profilizuese të natyrës britanike, konkretisht të ish-Kryeministrit Britanik Kameron, që aksidentalisht shkaktoi edhe daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Melensho e ka shpallur publikisht dëshirën e tij për një Evropë më të mirë, por se kërkon një rishikim të traktateve të saj, një ri-pozicionim të Francës dhe rolit të saj në Evropë, si edhe kryerjen e një referendumi mbi Evropën. E vetmja pikë që nuk është shumë e qartë në lidhje me programin dhe deklaratat e tij, ngelet fakti se çfarë kërkon ai realisht nga Evropa.
Por, ajo që shqetëson më shumë është se, si do të profilizohet marrëdhënia me Evropën, pas garës së mundshme Lë Pen – Makro ? Ose më saktë, në rast të një fitore të Lë Pen. Pasi tashmë Makro, e ka deklaruar qartë pro-evropianizimin e tij të padiskutueshëm dhe mbështetjen mbi tezën e domosdoshme se, së pari Francës i nevojitet reformimi dhe pas kësaj i nevojitet ri-pozicionimi në Evropë, si logjikë e fuqizimit.
Evropa duket se nuk ka asnjë plan, në rast të një fitore të mundshme Lë Pen. Bëhet fjalë për plane dhe strategji për të përballuar furtunën, që mund të krijojë në BE, ardhja në pushtet e Lë Penit. Brenda një viti, Evropa u përball me skenarin e fitores së Brexit dhe të një kandidature të pa- imagjinuar përtej Atlantikut. E papërgatitur në të dy rastet! Jo nga mungesa e kapacitetit për të vepruar, për të planifikuar dhe për të ideuar strategjitë konkrete që duhet të ndiqen, por e paralizuar nga një realitet, që as nuk e dëshiron dhe për rrjedhojë as që nuk preferon ta mendojë se mund të ndodhë në portat dhe për më tepër në gjirin e saj.
Elita politike e BE-së, është shkëputur prej dekadash nga shqetësimet e jetës reale të qytetarëve të saj. Për rrjedhojë, ajo e ka të pamundur të besojë në fuqinë konkrete, që shfaqin forcat politike ekstremiste, që në fund të fundit nuk bëjnë gjë tjetër, veçse dëgjojnë shqetësimet e popullit. Edhe pse duke iu premtuar atyre, zgjidhje të rreme.
Dhe ardhja e Lë Penit në pushtet, nuk është si Breksiti britanik, as si ardhja e Trump në presidencën amerikane, por është një ardhje që do t’i shkaktojë ndoshta dëmin më të madh projektit evropian.
Britanikët refuzuan që në fillim pjesëmarrjen e tyre në projektin evropian dhe historiku i anëtarësimit të tyre ka qenë sistematikisht në luhatje mes kërcënimesh për dalje dhe hezitimeve për qëndrim. Ndërsa Franca, e Zhan Monesë dhe e Robert Shumanit ka qenë një prej vendeve themeluese të projektit evropian, dominuese e padiskutueshme deri në bashkimin e Gjermanisë së ndarë në dy pjesë dhe më pas, bashkëdrejtuese kryesore së bashku me Gjermaninë. Lë Pen, është pozicionuar si sfiduesja kryesore dhe ana e kundërt e “monedhës” së Merkelit, ka premtuar prej kohësh daljen nga Eurozona, daljen nga Shengen, mbyllje të kufijve, ri-negocim të interesave franceze në BE dhe në rast mos plotësimi të tyre, zhvillimin e një referendumi ku ajo do të kërkojë qartazi daljen nga BE. Dhe Lë Pen e ka marrë seriozisht këtë betejë! Ashtu edhe si Farazhi në tokën britanike ! Edhe pse në Evropë talleshin me të ! Madje, tallen edhe me Lë Pen! Për më tepër ekipi i saj, ka punuar tërësisht i paguar me fondet e Evropës, për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti. Ata kanë hartuar plane të detajuara, si të bëjnë të mundur bashkëjetesën e një Presidence me Asamblenë krejtësisht armiqësore dhe si të shfrytëzohen të gjitha mundësitë, që burojnë nga pushtetit i Presidentit, duke përfshirë edhe referendumet për të realizuar objektivat e tyre. Dhe Le Pen nuk tërhiqet nga rruga e saj. Përveç shkatërrimit që ajo kërkon t’i bëjë BE-së, ajo ka deklaruar se, do të ndryshojë edhe kursin diplomatik të Francës, pasi e ka shprehur hapur dëshirën për lidhej të forta me Rusinë dhe Amerikën. Por se, ndryshe nga Britania që do t’i kthejë sytë nga përtej Atlantikut, Le Pen është vendosur për politika të forta proteksioniste, në mesin e Evropës së Bashkuar.
Evropa duhet të zgjohet. Për të kuptuar se ekstremizmi dhe populizmi nuk përballohen me shpërfillje, mohime dhe neglizhime, por se kërkojnë veprim sistematik, zgjim dhe strategji konkrete. Edhe pse Lë Pen, logjikisht mund të bllokohet nga “kordoni sanitar”, që do të krijojnë partitë e tjera në raundin e dytë, çdo opsion ngelet i hapur. Si edhe ardhja e saj në pushtet. Evropa nuk mund t’ia falë më vetes, të përsëritet e njëjta skemë, që e gjeti krejt të papërgatitur, si në rastin e Breksit, pa skenarë konkretë që mund ta favorizonin ndjeshëm atë, që pas daljes së rezultatit. Evropa e di shumë mirë se, e ardhmja nuk parashikohet, ajo duhet të përgatitet dhe se “Kush dëshiron Paqen, duhet të përgatisë Luftën!” Dhe këtu nuk bëhet fjalë për Luftë Fizike, por për një Luftë Ideologjike. Për triumfin e Demokracisë mbi Autoritarizmin!
Im.Ta.
DITA
