Jo të gjithë diktatorët kanë luksin të adhurohen nga femrat. Adhurim, që vjen si joshje ndaj pushtetit, dominimit, parasë dhe luksit. Adhurimi ndaj formës. I kuptueshëm! Madje edhe kur ajo është e deformuar. Por, kurrsesi ndaj thelbit. Thelbi duket se është i parëndësishëm. Tërësisht i zhvlerësuar! Ndryshe, është e vështirë të shpjegohet ekzistenca në bashkëjetesë komode me pushtetin, që buron nga padrejtësia, terrori, dhuna, vrasja dhe krimi.
Por, historia njeh edhe përjashtime. Përjashtime, që janë shndërruar në simbole, duke sfiduar edhe regjimet më të egra. Figura femërore, që refuzojnë hapur kompromise me vlerat dhe idealet e tyre.
E tillë është edhe historia e motrave Marabal, gjatë viteve 1930-1960, nën diktaturën e Rafael Truhijos, në Republikën Domenikane. Diktatori, edhe pse i martuar disa herë, ishte i njohur për epshin e tij të pangopshëm ndaj gjinisë femërore. Kësaj radhe kishte shigjetuar një prej katër motrave të familjes Marabal, Minervën. Do të ishte viti 1949, kur ai e fton familjarisht në një prej festave për nder të tij, në Santiago, duke tentuar të afrohej me të. Por, Minerva e refuzon. I sfiduar nga refuzimi, Truhijo tenton sërish. Një tjetër ftesë familjarisht, në një tjetër eveniment zyrtar. Në pamundësi të refuzonin ftesën, familja vendos që të shkonin të gjithë së bashku. Dhe Truhijo, i afrohet sërish vajzës së bukur, duke tentuar të kërcejë me të. Dhe Minerva, jo vetëm e refuzon sërish, por nuk stepet as t’i kërkojë, që “ta linin të qetë” shokun e saj komunist. Së bashku me familjen ajo detyrohet të largohet nga mbrëmja, ende pa mbaruar ajo. Një moment, që Turhijo nuk arrin ta kapërcejë dot. I refuzuar emocionalisht, por edhe i sfiduar ideologjikisht! Ai, Diktatori i madh nga Ajo, çupëlina e re, studentja e ardhshme e drejtësisë !

Dhe Hakmarrja nuk do të vonojë të nisë….
Vetëm pak kohë, pas incidentit të krijuar mbrëmjen e fundit, Minerva arrestohet së bashku me të atin. Të dy të dyshuar se, kishin lidhje me Partinë Komuniste. U mbajtën të burgosur për disa javë. E gjitha familja vihet nën vëzhgimin e policisë sekrete. Minerva ishte e ndërgjegjshme, se po të pranonte ofertën, ajo do të lirohej së bashku me të atin, por jo, ajo nuk u dorëzua. Rezistoi. I ati jo. I pamundur fizikisht të përballonte atë peshë, vdiq vetëm disa muaj më pas.
Gjatë viteve 1950, Amerika Latine do të njihte një sërë zhvillimesh të rëndësishme. Diktatorët në Kolumbi dhe në Venezuelë do të rrëzoheshin. Batista në Kubë do të kishte të njëjtin fat, kur në vitin 1959 trupat e Fidel Kastros do të hynin në Havanë. Më 14 qershor 1959, një avion me luftëtarë kubanë, që i përkisnin lëvizjes së Kastros, do të zbarkonte në Republikën Domenikane. Por, edhe pse ata u arrestuan ajo krijoi një reagim në gjirin e rezistencës domenikane dhe pak muaj më pas në janar të 1060-s, do të krijohej lëvizja e 14 Qershorit, për të çliruar vendin nga diktatura. Në krye të lëvizjes do të vihej një student i drejtësisë, Manolo, bashkëshorti i Minervës. Të tre motrat dhe bashkëshortët e tyre, do të ishin pjesë aktive e grupit të rezistencës, kundër diktaturës së Truhijos. Por, vetëm pak kohë më vonë, grupi do të dekonspirohej. Rreth 100 anëtarë të tij, do të arrestoheshin nga policia sekrete e Turhijos, së bashku me motrat Mirabal.
Të torturuar dhe të masakruar. Pa u kursyer as femrat. Por, karakteri nuk zhbëhet as nga forca e torturave dhe as nga frika e vdekjes. Minerva rezistoi, nuk u dorëzua! Ashtu siç iu ishte betuar edhe motrave të saj:
“Edhe nëse do të më vrasin, nga varri do t’i nxjerr krahët dhe do të bëhem më e fortë!”
Pas presioneve të Kishës Katolike, që dënoi veprimin e diktatorit dhe presionit të jashtëm, Truhijo do t’i lironte të tre motrat, por bashkëshortët e tyre do të vazhdonin të mbaheshin të burgosur.
Pak kohë më vonë, ai do të urdhëronte vrasjen e tyre. Një vrasje tipike, që i shkon për shtat vetëm frikacakëve, që iu tremben femrave. Vrasje, që duhej të ngjante si aksident rastësor me makinë. Më 25 nëntor 1960, pas vizitës së fundit në burg, të tre motrat largohen me makinë, së bashku me shoferin e tyre dhe rrugës iu ngrihet një pritë, rrihen barbarisht deri në vdekje, i hipin sërish në makinë dhe e hedhin makinën tej një shkëmbi, për të ngjarë si aksidentale.
Fundi i një brutaliteti, që do të shënonte dhe fundin e një regjimi. Më 30 Maj 1961, Rafael Turhijo do të ekzekutohej.
Historia e Minervës, militantes të re, idealistes, që mishëronte mos nënshtrimin politik dhe seksual, rezistencën kundër shtypjes dhe dhunës, luftën për liri dhe drejtësi ka marrë përmasa ndërkombëtare. 25 Nëntori, është dekretuar në vitin 1999, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dita Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave. Ditë simbol e luftës kundër shtypjes, kundër dhunës, dhe kundër persekutimit të tyre.
Lufta vazhdon !
Po sot, ku jemi ? Si shfaqet në kohë paqe, situata e dhunës ndaj gruas në shoqërinë evropiane ?
Një, ndër tre gra në territorin e BE-së ka qenë viktimë e dhunës fizike ose seksuale që prej moshës 15-vjeçare dhe një ndër 10 gra, ka qenë viktimë e kërcënimit seksual të drejtpërdrejtë, ose përmes përdorimit të teknologjive të reja. Këto janë shifrat, e raportuara nga Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (“Dhuna ndaj grave, një studim në nivel evropian”, FRA-2014). Provat, që do të sillte sondazhi i kryer në nivel evropian, do të tregonin se shumica e femrave, që janë viktimë e dhunës nuk i sinjalizojnë këto incidente as në polici dhe as në ndonjë organizëm tjetër, që iu siguron ndihmë viktimave. Si rrjedhojë, shumica e femrave të dhunuara nuk kontaktojnë me instancat juridike në vendet e tyre, as në ndonjë shërbim tjetër. Por, ajo çka u konstatua nga FRA, do të ishte se nevojat dhe të drejtat e shumë femrave në BE, nuk respektohen aktualisht në praktikë. Mungesa e të dhënave të sakta për shkak të mos raportimeve të këtyre incidente të dhunës, si edhe mungesa e informacionit në lidhje me përmasat e këtij fenomeni vështirësonte sipas FRA-së, edhe marrjen e masave të përshtatshme për luftimin sa më efikas të këtij fenomeni.
Vetëm përgjatë 12 muajve të fundit që kishin paraprirë anketimin, 13 milionë u vlerësua të ishte numri i femrave në BE, viktima të dhunës fizike. Rreth 18% e tyre, janë bërë objekt i përndjekjeve dhe ngacmimeve që prej moshës 15 vjeçare dhe janë bërë objekt ngacmimi përgjatë 12 muajve të fundit, që kanë paraprinë sondazhin, çka korrespondon me 9 milionë viktima femra të përndjekjeve dhe ngacmimeve seksuale, në BE-28, në një periudhë 12 mujore. Rezultate, që kanë dalë pas pyetjeve, nëse ato ishin gjendur ndonjëherë në një situatë ku i njëjti person i ka fyer dhe i ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur, duke iu referuar një liste veprimesh: si p.sh. nëse i njëjti person i ka ndjekur apo i ka pritur para shtëpisë, vendit të punës, ose shkollës pa ndonjë arsye legjitime, apo nëse po i njëjti person i ka telefonuar në mënyrë të përsëritur, fyer, kërcënuar apo ka heshtur gjatë thirrjeve të tij telefonike. Pra, bëhet fjalë për persona, që njihen në fushën e psikologjisë si erotomanë, të cilët besojnë në mënyrë të gabuar, se personi tjetër i do.
Sondazhi do të të shfaqte edhe shifra të larta të kufizimeve të lëvizjes së femrave. Më shumë se gjysma e femrave në BE (53%) evitojnë, të paktën ndonjëherë, disa situata apo disa vende nga frika se, mund të sulmohen fizikisht apo seksualisht.
Të njëjtën situatë do të pasqyronte edhe Eurobarometri i fundit (EB special 449/2016) në lidhje me perceptimin, që ekziston në shoqëri në lidhje me dhunën, që ushtrohet ndaj gruas, ku 47% e të pyeturve në BE-28, kanë deklaruar se dhuna shtëpiake ndaj femrave është e përhapur në vendin e tyre. Me proporcione, që shkojnë nga 93% në Portugali dhe 90% në Itali, 50% në Bullgari dhe 51% në Republikën Çeke. Duke parë më nga afër rezultatet, Portugalia është vendi i vetëm ku të paktën gjysma e të pyeturve, deklarojnë se dhuna shtëpiake ndaj femrave është shumë e përhapur (54%) e ndjekur nga Italia (45%) dhe Rumania (36%). Përkundrazi, vetëm 6% e personave të pyetur në Finlandë dhe 9% në Danimarkë, në Poloni dhe në Republikën Çeke tregojnë të njëjtën gjë.
Dhuna gjinore është një dhunim i të drejtave themelore të njeriut, dhe përfaqëson njëkohësisht si një shkak dhe një pasojë të pabarazisë, mes meshkujve dhe femrave. Nuk mund të ekzistojë asnjë barazi e vërtetë mes meshkujve dhe femrave, kur dhuna e këtij lloji ndaj femrave është e përhapur në një shkallë të tillë. Ajo vlerësohet se frenon pjesëmarrjen aktive të grave në tregun e punës dhe në përgjithësi në shoqëri. Pasojat e saj prekin, bërthamën familjare, fëmijët, si dhe shoqërinë në tërësinë e saj. Pasojat ekonomike janë gjithashtu të larta, pasi kosto e dhunës gjinore ndaj femrave vlerësohet të kapë shifrën prej 226 miliardë euro në vit.
Por, për të luftuar më mirë këtë fenomen, BE ka bërë një tjetër hap përpara, duke shkuar drejt nënshkrimit të Konventës së Stambollit. Kjo Konventë, e konsideruar si një instrument revolucionar, njeh dhunën ndaj gruas, si dhunim të të drejtave të njeriut, dhe çon drejt një angazhimi serioz BE-në, për të luftuar dhunën ndaj grave në të gjithë territorin e tij, si nëpërmjet përforcimit të kuadrit juridik ekzistues, por edhe duke rritur kapacitetin e tij për të vepruar. Kjo Konventë, është nënshkruar nga të gjithë vendet anëtare, edhe pse disa prej tyre janë ende në fazë ratifikimi, por vendimi i Këshillit të BE-së, për ta nënshkruar atë, i jep një tjetër dimension luftës ndaj këtij fenomeni, pasi do të jetë instrumenti i parë detyrues evropian, që synon mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve dhe që parashikon vënien në jetë të masave për parandalimin e kësaj lloj dhune.
Im.Ta.
DITA
