Gjykata Supreme në Britaninë e Madhe ka vendosur se, qeveria britanike nuk mund të nisë procesin për të nxjerrë vendin nga BE, pa marrë paraprakisht miratimin e parlamentit britanik. Vendimi i Gjykatës Supreme, po ashtu si edhe vendimi i Gjykatës së Lartë i para pak kohëve, bie ndesh me vullnetin e shprehur qeveritar, se i takon vetëm qeverisë britanike kompetenca ekskluzive për të aktivizuar procesin e daljes. Por, çfarë ndryshon me vendimin e fundit të Gjykatës Supreme ?
Do të ishte një grup britanikësh, pro qëndrimit të vendit në BE, që do të nisnin një procedurë juridike, duke kërkuar që Parlamenti britanik të kishte të drejtën e shprehjes mbi vendimin që solli referendumi mbi Breksit. Kjo në logjikën se referendumi i 23 qershorit, nuk ishte veçse konsultativ. Proces, që u kundërshtua që në nisje të tij nga qeveria britanike, pasi ajo vlerësonte se e drejta ekskluzive për të zbatuar vendimin, që morën 51,8% e qytetarëve britanikë, i takonte vetëm asaj.
Por, gjykatësit e Gjykatës së Lartë, nuk ishin në një mendje me ekzekutivin britanik dhe gjykuan se vendimi për aktivizimin e nenit 50, nuk mund të merret pa pasur paraprakisht miratimin e parlamentit britanik. Një vendim, që u bazua mbi një sërë argumentesh: se aderimi i Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian, i votuar nga parlamenti britanik, iu akordoi qytetarëve një seri
të drejtash, si p.sh.: qarkullimi i lirë në gjirin e BE-së dhe se këto të drejta, nuk mund t’iu hiqen qytetarëve britanikë, pa një votim të ri nga parlamenti. Për Gjykatën e Lartë, në sistemin kushtetues britanik, Parlamenti është instanca supreme vendimmarrëse mbi ligjet, që mbretërojnë në vend. Referendumi i organizuar në muajin qershor nga ish kryeministri britanik Kameron, nuk kishte parashikuar një lidhje të parlamentit me rezultatin e referendumit. Ndaj, u gjykua e rëndësishme që në dritën e zhvillimeve të papritura që solli rezultati, parlamenti duhej të shprehej mbi këtë çështje. Gjykata do të vlerësonte gjithashtu se, gjykimi ishte “ një çështje e pastër ligjore” dhe se Gjykata nuk shpreh asnjë pikëpamje mbi meritat e daljes nga Unionin Evropian, që është një çështje politike. Në të njëjtën logjikë, duket se ka qëndruar edhe Gjykata Supreme.
Çfarë pritet të ndodhë ?
Me vendimin e fundit, procesi komplikohet. Nëse qeveria, ka shprehur afatin e aktivizimit të nenit 50, deri në fund të muajit mars, ky afat mund të shtyhet në rast se, shfaqet ndonjë pengesë nga parlamenti britanik. Qeveria është e detyruar të paraqesë çështjen në parlament për miratim, dhe ka deklaruar se mund ta bëjë edhe në emergjencë, duke synuar miratimin sa më shpejt të saj. Por, a mundet që parlamenti britanik të bllokojë Breksit-in ? Parimisht, po, nëse marrim parasysh se shumica e deputetëve në parlament ka votuar në favor të qëndrimit të vendit në BE. Por, në thelb krijon një problem, që shfaqet më shumë me natyrë morale se sa politike, pasi të zgjedhurit në parlament, janë të detyruar të ndjekin vullnetin, që tashmë është shprehur nga shumica e qytetarëve britanikë. Por, edhe kjo është një fushë që lejon dhe justifikon moralisht, interpretimin e votës qytetare si votë e një natyre konsultuese dhe jo detyrimisht imponuese. Gjithsesi, hapësira që krijohet me futjen e parlamentit në këtë proces, zgjeron shtegun për të krijuar një marrëdhënie kontrolluese apo llogari-kërkuese ndaj qeverisë për mënyrën se si e koncepton pozicionimin e Britanisë në procesin e daljes dhe të negocimeve. Qeveria britanike, nëpërmjet fjalimit të kryeministres britanike para pak kohësh, arriti të zbardhë në përgjithësi, një skicim mbi pozicionimin strategjik të Britanisë, në raport me Evropën, por pa një konkluzion që është i rëndësishëm, nëse statusi i Britanisë së Madhe pas daljes nga BE do të jetë më i favorshëm, apo më inferior në raport me statusin aktual, si vend anëtar i BE-së ?! Pra, kush janë pasojat konkrete të daljes së vendit nga BE, përtej ambicieve qeveritare të shfaqura, mbi një rol shumë herë më të fuqishëm, që do të ketë Britania e Madhe jashtë BE-së ?!
Edhe pse, ka një vullnet politik parlamentar të shprehur paraprakisht për të mos penguar vendin në procesin e aktivizimit për dalje nga BE, ka një hezitim që ngrihet mbi dhomën e Lordëve, që nuk janë pjesë e mekanizmit të zgjedhjes së qytetarëve. Partia Konservatore, nuk gëzon shumicën në Dhomën e Lordëve dhe dy partitë e tjera kryesore, Laburistët dhe Liberal-Demokratët, që janë
në favor të mbajtjes së vendit në BE, mund edhe të zvarrisin situatën përgjatë disa muajve, duke imponuar rishikim të projektligjit dhe ri-konsiderim të pozicionit qeveritar.
Situata pritet të kristalizohet edhe më tej, në ditët në vijim por, ajo që është më e rëndësishme në këtë moment, është përfshirja e parlamentit në një proces demokratik të nevojshëm, ku vendoset mbi të ardhmen e vendit. Rreziku i një mos përfshirje të tillë, që u eliminua nëpërmjet vendimit të Gjykatës Supreme, lidhet me vetë-funksionimin e një demokracie parlamentare. E cila nuk mund të jetë e shëndetshme në rast se, nën ndikimin e forcave populiste, fushatave mashtruese dhe propagandës sistematike, shkakton ndërmarrjen e vendimeve drastike nga elektorati, me kosto të lartë për vendin, dhe ku ekzekutivi mjaftohet thjesht me zbatimin e tyre të shpejtë, duke përjashtuar nga ky proces përfshirjen demokratike të parlamentit. I takon parlamentit roli i rëndësishëm i ekuilibrimit dhe i reflektimit demokratik mbi të ardhmen e vendit, mes një vote me ndikim të lartë populist dhe një qeverie, që kërkon ekskluzivisht zbatimin e vendimit.
Im.Ta.
DITA
