Mesazhi i Britanisë së Madhe për Evropën

redaktor

Qeveria britanike, bëri publike para pak ditësh objektivat, në lidhje me negocimet për daljen nga BE. Ndryshe nga çfarë u pasqyrua, në një pjesë të mirë të shtypit evropian, si edhe atë britanik, mbi një lloj “kërcënimi për dalje të vështirë” të britanikëve, realiteti është krejt i ndryshëm. Fjalimi i kryeministres britanike, jo vetëm që qartësoi në parim mjegullnajën, që ekzistonte në lidhje me mënyrën e daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni, por ajo shfaqi si rrallëherë që prej ardhjes së saj në pushtet, racionalizëm dhe logjikë bashkëpunimi të padiskutueshëm me BE-në.

Në mesazhin që Britania e Madhe i drejtonte pjesës tjetër të Evropës, ngjallin interes: ndërthurja mes përpjekjes për shpjegim mbi vendimin që shkaktoi Breksit, dhe botëkuptimit të ndryshëm që kanë britanikët në raport me evropianët e tjerë; nxitje për reflektim të nevojshëm nga të dy palët; si edhe një konfirmim mbi vlerat e padiskutueshme evropiane dhe angazhim i qartë për bashkëpunim të ngushtë me BE-në.

“23 qershori, nuk ishte momenti që Britania zgjodhi të tërhiqet nga bota. Ishte momenti, që ne zgjodhëm të ndërtojmë një Britani Globale. E di që kjo, dhe arsyet e tjera që Britania mori një vendim të tillë, nuk janë gjithmonë të kuptuara mirë mes miqve dhe aleatëve tanë në Evropë. Dhe unë e di, se shumë i frikësohen faktit se, kjo mund të shkaktojë fillimin e një shpërbërje të madhe të BE-së.

Por, më lejoni të jem e qartë, unë nuk dua që kjo të ndodhë. Nuk do të ishte në interesat më të mirë të Britanisë. Ngelet gjerësisht dhe në mënyrë bindëse, në interesin kombëtar të Britanisë që BE t’ia dalë. Dhe kjo është arsyeja, pse unë shpresoj në muajt dhe në vitet që do të vijnë, se ne do të reflektojmë të gjithë, mbi mësimet e vendimit të Britanisë, për të ikur.

Në fakt, thuajse në të gjithë fjalën e kryeministres britanike, figuron një panoramë e përgjithshme, që përmbledh arsyet e Breksit, duke i inkuadruar ato në konceptimin e britanikëve për një Britani Globale, siç edhe vëzhgohet gjithashtu një prirje për të “akomoduar politikisht” ish-kryeministrin Kameron, që çoi vendin drejt një sfide të tillë. Një akomodim tërësisht i kuptueshëm, por jo domosdoshmërish i logjikshëm, për sa i përket arsyeve që e shtynë atë të ndërmerrte një sfidë të tillë, duke përfshirë dhe fazën e përmbylljes së negocimeve me BE-së.

Por, në parim konceptimi për një Britani Globale, nuk bie ndesh dhe nuk ka pse të përjashtojë qenien pjesë në BE. Roli i padiskutueshëm i Britanisë së Madhe në sferën ekonomike, në sferën ushtarake, si fuqi bërthamore dhe një prej dy vendeve të BE-së, që ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, nuk zvogëlohet nga pjesëmarrja në BE, por përkundrazi rritet dhe amplifikohet. Por, duket se ka një tendencë, që i reziston historikisht karakterit ishullor të britanikëve, për të qenë krejtësisht të veçantë. Që pas Luftës së Dytë Botërore, teksa Çurçilli do të propozonte krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës, do të insistonte se duhet të jemi “me të dhe jo në të”, solidarë, por pa bërë pjesë në të. Preferenca që do të shpreheshin prej tij edhe më vonë, tek i pohonte gjeneralit De Gol se: “Dijeni Gjeneral! Çdo herë që do të na duhet të zgjedhim mes Evropës dhe detit të hapur, ne do të zgjedhim detin e hapur. Çdo herë që do të më duhet të zgjedh mes jush dhe Ruzveltit, do të zgjedh Ruzveltin !” Një karakteristikë, që e ka shoqëruar vazhdimisht Britaninë e Madhe edhe pas anëtarësimit të saj në BE (atëherë Komuniteti Ekonomik Evropian) kur vetëm një vit më vonë u kërkua të dilej prej tij. Fenomen, që është ripërsëritur në kohë dhe në epokën e Thaçerit dhe që së fundmi arriti të përmbyllej me Kameron përmes referendumit.

Kaq të ndryshëm

Në fakt, qytetarët britanikë kanë spikatur në veçantinë e tyre, dhe karakterin ishullor ndaj pjesës tjetër të kontinentit evropian. Është pikërisht kjo veçanti e karakterit britanik, në ndryshim nga pjesa tjetër e kontinentit Evropian, që do të rivinte në vëmendje në fjalimin e kryeministres, për të legjitimuar në njëfarë mënyre edhe veprimet apo reagimet e ndryshme, që burojnë nga pasja e këtij karakteri të veçantë.

“Nuk është thjesht për shkak se, historia dhe kultura jonë janë thellësisht ndërkombëtare, edhe pse kjo është e rëndësishme. Shumë në Britani, kanë ndjerë gjithmonë se vendi i Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, vinte me kosto mbi lidhjet tona globale, dhe të një tregtie të lirë më të fortë dhe më të ngushtë me mbarë botën. Ka arsye të tjera gjithashtu. Traditat tona politike, janë të ndryshme. Në ndryshim nga vendet e tjera evropiane, ne nuk kemi kushtetutë të shkruar, por parimi i Sovranitetit Parlamentar, është baza e marrëveshjes sonë të pashkruar kushtetuese. Ne kemi vetëm një histori të vonshme të qeverisjes së decentralizuar, edhe pse ajo e integroi vetveten në mënyrë të shpejtë, dhe ne kemi pak histori të qeverisjes me koalicion.”

Sipas kryeministres britanike, institucionet mbi-kombëtare siç janë krijuar nga Bashkimi Evropian, nuk janë shumë të përputhshme me historinë politike dhe mënyrën e jetesës së Britanisë së Madhe. Dhe teksa Britania e Madhe mund të jetë parë vazhdimisht si një anëtar i çuditshëm, BE është përpjekur të përballet me shumëllojshmërinë e vendeve të tij anëtare dhe interesat e tyre. Por, se BE, sipas kryeministres britanike, u anua drejt njëtrajtshmërisë dhe jo elasticitetit.

Bashkëpunim

Në mesazhin e saj drejtuar miqve të Britanisë së Madhe anembanë Evropës, do të spikaste pohimi i vlerave të padiskutueshme që mbart BE, roli dhe rëndësia e tij, si edhe vullneti i qartë për bashkëpunim në fushat më të rëndësishme të Unionit.

“Vota jonë për të lënë Bashkimin Evropian, nuk ishte refuzim i vlerave, që ne ndajmë. Vendimi për të lënë BE-në, nuk përfaqëson dëshirën për të qenë më të largët me ju, miqtë dhe fqinjët tanë. Ajo nuk ishte aspak përpjekje për të dëmtuar vetë BE-në, apo ndonjë vend tjetër anëtar të tij. Ne nuk duam të kthejmë kohën mbrapsht tek ditët kur Evropa ishte më pak paqësore, më pak e sigurt, dhe më pak e aftë të tregtonte lirshëm. Ishte një votë për të rivendosur, siç ne e shikojmë atë, demokracinë tonë parlamentare, vetë-përcaktimin kombëtar, dhe për t’u bërë edhe më globalë dhe ndërkombëtarë në veprim dhe në shpirt. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë të besueshëm, aleatë të dëshiruar dhe miq të ngushtë. Ne duam të blejmë të mirat dhe shërbimet tuaja, t’ju shesim tonat, të tregtojmë me ju sa më lirë të jetë e mundshme, dhe të punojmë me njëri-tjetrin për të bërë të sigurt, se jemi të gjithë të mbrojtur, më të sigurt dhe më të begatë, përmes miqësisë së vazhdueshme.

Ju do të jeni ende të mirëpritur në këtë vend, siç edhe ne shpresojmë se, qytetarët tanë do të jenë të mirëpritur në vendet tuaja. (…)

Ne po lëmë Bashkimin Evropian, por ne nuk po lëmë Evropën.

Dhe kjo është arsyeja pse ne kërkojmë një partneritet të ri dhe të barabartë, ndërmjet një Britanie Globale vetë-qeverisëse dhe të pavarur, dhe miqve dhe aleatëve tanë në BE.”

Por, mbi ç’baza do të ngrihet ky partneritet i ri ?

Që ky partneritet të marrë formë, nevojitet fillimi i negocimeve, që imponojnë aktivizimin e nenit 50 të procedurës së daljes. Aktualisht vullneti i qeverisë britanike, është për daljen nga Tregu i Përbashkët, çka nënkupton se kemi lëvizje nga pozicioni fillestar, ku kërkohej mbajtja e tre lirive të tregut nga 4 të tilla. Është për t’u vlerësuar ky pozicionim i qartë i qeverisë britanike, që në fjalimin e kryeministres do të veçohej me një logjikë mirëkuptimi dhe mos dëmtimi ndaj Tregut të Përbashkët.

“Sepse, kur liderët e BE-së thonë, se 4 liritë e Tregut të Përbashkët janë të pandashme, ne e respektojmë këtë pozicion. Kur të 27 vendet anëtare, thonë se dëshirojnë të vazhdojnë udhëtimin e tyre brenda Bashkimit Evropian, ne jo vetëm e respektojmë këtë, por e mbështesim atë. Sepse, ne nuk duam të minojmë Tregun e Përbashkët, dhe nuk duam të minojmë Bashkimin Evropian. Ne duam që BE të jetë një sukses, dhe vendet e saj anëtare të begatojnë. Dhe sigurisht ne, dëshirojmë të njëjtën gjë për Britaninë.”

E njëjta mbështetje dhe vullnet për bashkëpunim të plotë, u konfirmua edhe në fusha të tjera si ajo e sigurisë dhe e mbrojtjes. Partneriteti i kërkuar nga Britania e Madhe edhe pse nuk ka detaje sqaruese më të thelluara, synon të ngrihet mbi baza barazie, reciprociteti dhe të funksionojë në interes të dy palëve.

Forma e bashkëpunimit nuk është ende e qartë. Britania e Madhe ka përjashtuar paraprakisht, ndjekjen e modeleve të tjera si, ai zviceran, apo norvegjez. Nga ana tjetër, BE nuk preferon të shprehet paraprakisht, pasi kërkon që kjo të jetë pjesë e bisedimeve, pasi Britania e Madhe të aktivizojë nenin 50 të procedurës së daljes. Por, ndërkohë ka projekte alternative, siç është Partneriteti Kontinental i propozuar nga Instituti Brujgëll në Bruksel, ku parashikohet një format shumë i ngushtë bashkëpunues mes BE-së dhe Britanisë së Madhe, duke e akomoduar këtë të fundit, në pozicionet e saj të kërkuara, për më pak integrim politik dhe qasje të thelluar ndaj integrimit ekonomik. Një projekt, që synon të mbështesë integrimin e thellë ekonomik, pjesëmarrje të plotë në lëvizshmërinë e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve dhe një lloj lirie të përkohshme të lëvizjes së punëtorëve, por duke përjashtuar lirinë e plotë të lëvizjes së punëtorëve dhe integrimin politik.

Vendimi për Brexit, edhe pse shkaktoi një tronditje për të gjithë palët, do të kërkojë kohën dhe qetësinë e nevojshme, për të inkuadruar marrëveshjen e duhur të bashkëpunimit afatgjatë, BE- Britani e Madhe. E njëjta situatë pritet të vijojë edhe në Britani, ku vullneti qeveritar, synon shuarjen e problematikave të mundshme, që mund të shfaqen në bashkëjetesën mes kombeve dhe pretendimeve të tyre në Britaninë e Madhe, apo edhe me fqinjin e saj Republikën e Irlandës, si në shmangien e vendosjes së barrierave në fushën e tregtisë, hapësirës së përbashkët të udhëtimit dhe lëvizjes së lirë, por edhe në fushën e migrimit. Sfida, që kërkojnë në mënyrë të pashmangshme maturi, logjikë dhe ndërveprim.

Im.Ta.

DITA

Share This Article