Sundimi i ligjit dhe i shtetit të së drejtës në Poloni, ka njohur përkeqësim të vazhdueshëm që me ardhjen në pushtet të ultra-konservatorëve të djathtë të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), në tetor të vitit 2015. Një sërë ndryshimesh ligjore dhe reformash, kanë bërë të mundur kapjen e pushtetit gjyqësor dhe vënien në kontroll të sistemit mediatik. Një prej vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian, me një rol të veçantë strategjik dhe politik në hemisferën lindore, Polonia ka krijuar shqetësim në Union. Prej disa kohësh, BE ka nisur një proces dialogu me të, me synim gjetjen e një zgjidhje për të qëndruar brenda kornizës ligjore të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Refuzimi konstant i Polonisë, për t’u futur në këtë kornizë ligjore, mund të çojë edhe në ndëshkimin e saj nëpërmjet aktivizimit të Nenit 7 të traktatit të BE-së, që parashikon heqjen e të drejtës së votës në Këshillin Evropian.
Sot, pritej që Komisioni Evropian të mund të shprehej edhe mbi marrjen e kësaj mase ndëshkuese, pasi qeveria polake nuk ka reaguar pozitivisht ndaj rekomandimeve të tij, duke refuzuar futjen në kornizën ligjore të shtetit të së drejtës. Procedura në parim përfshin tre faza. Në fazën e parë, Komisioni mbledh dhe shqyrton informacionet përkatëse dhe më pas vlerëson nëse ka shenja të qarta kërcënimi të vazhdueshëm ndaj sundimit të ligjit. Nëse ka, atëherë Komisioni nis dialogun me shtetin anëtar, duke i dërguar atij një Opinion mbi sundimin e ligjit, ku shpreh edhe shqetësimet përkatëse. Në fazën e dytë, nëse çështja nuk është zgjidhur në mënyrë të kënaqshme, Komisioni harton rekomandime mbi sundimin e ligjit, duke i sugjeruar shtetit anëtar, zgjidhjen e problemeve të identifikuara, brenda një afati të caktuar kohor, si edhe të informojë Komisionin më pas mbi hapat që ka ndërmarrë në këtë drejtim. Faza e tretë, përfshin monitorimin nga Komisioni të zbatimit të rekomandimeve nga shteti anëtar. Nëse nuk ka rezultate pozitive, përgjatë afatit të caktuar,atëherë aplikohet neni 7 i Traktatit të BE, pezullimi i të drejtës së votës në Këshill.
Aktualisht, Polonia i ka shteruar të gjithë fazat, pasi refuzimi i qeverisë polake për të ndjekur rekomandimet e Komisionit Evropian, ka qenë konstant. Përgjatë muajit korrik, Komisioni, i rekomandoi sërish autoriteteve polake, marrjen në urgjencë të masave për eliminimin e kërcënimit të vazhdueshëm që rëndonte mbi shtetin e së drejtës, duke i kërkuar asaj t’i komunikonte brenda tre muajve dispozitat e vëna në zbatim, si edhe duke rikujtuar se në rast se rezultatet nuk dotë ishin të kënaqshme, mund të përdorej “procedura e nenit 7”. Por, sërish qeveria polake nuk lëvizi nga pozicioni i saj.
Në situatën e krijuar, pritej që Komisioni të mund të shprehej për aktivizimin e mekanizmit ndëshkues. Por, kjo nuk ndodhi. Në konferencën e sotme për shtyp, zv. Presidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, do të deklaronte se është shumë e rëndësishme mbajtja e dialogut të vazhdueshëm me qeverinë polake, pasi kjo çështje duhet zgjidhur. Duke deklaruar gjithashtu se, qeverisë polake do t’i dërgohen rekomandime shtesë, ndaj të cilave kërkohet një reagim brenda një afati kohor prej dy muajsh. I pyetur për aktivizimin e procedurës ndëshkuese nën nenin 7 të Traktatit të BE-së ndaj Polonisë, Timmermans deklaroi se “duhet mbështetje politike nga Këshilli dhe nga Parlamenti Evropian.”
Pikërisht te kjo e fundit shtrihet e gjithë problematika, që frenon mekanizmin korrigjues në nivel evropian ndaj demokracive, që fillojnë të shfaqin shenja rrëshqitje drejt sistemeve autoritare. Votimi në Këshill kërkon unanimitet dhe tashmë Hungaria e Viktor Orbanit, ka deklaruar hapur mbështetjen e saj ndaj Polonisë.
Mekanizmi ndëshkues nën Nenin 7, u fut me Traktatin e Amsterdamit. Pra, para zgjerimit drejt vendeve të ish kampit komunist, dhe nën idenë se funksionimi i demokracisë në këto vende mund të shfaqej problematik dhe se ekzistenca e këtij mekanizmi do të lejonte një lloj presioni për futje brenda kornizës të funksionimit të shtetit ligjor.
I vetmi rast kur ky mekanizëm u mendua të përdorej ishte rasti i Austrisë së vitit 2000 dhe futjes në qeveri të partisë së djathtë ekstremiste, Partia për Liri (FPO) e Jorg Haiderit. Por, edhe në rastin austriak ky mekanizëm nuk u përdor, por u procedua duke dalë nga korniza e nenit 7 dhe u ndërmor një masë, që përfshinte sanksione dypalëshe ndaj Austrisë. Duhet theksuar se sanksionet e ndërmarra në rastin e Austrisë, nuk lidheshin në mënyrë të drejtpërdrejt me shkeljen konkrete të vlerave themelore të BE-së, në kuptimin e ndërmarrjes së akteve ligjore, që binin ndesh me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, pasi problematika që shfaqte në atë kohë ekstremi i djathtë në Austri, ishte thjesht e një niveli retorik. Shqetësimi në BE-14, lidhej më shumë me nevojën e krijimit të një “kordoni sanitar” ndaj rrezikut nacionalist dhe penetrimit të forcave ekstremiste të djathta në pushtet. Dhe rasti i ekstremit të djathtë në Austri nuk ishte i vetëm, pasi gjatë fundit të viteve ‘80, FN në Francë kishte thyer gjithashtu tabutë, duke penetruar në parlamentin francez me 34 deputetë. Italia, shqetësonte gjithashtu, me fuqizimin e partisë të ekstremit të djathtë me prirje fashiste, Aleanca Nacionale dhe rritjen e paimagjinueshme që ajo pati në zgjedhjet e vitit 1996. Presioni ishte i fokusuar ndaj çdo tentative që mund të vinte në vendet e tjera për koalicion me këto parti ekstremiste. Pra, të pengohej dalja nga korniza e vlerave themelore të BE-së, që nënkuptonte bllokadë politike parimore ndaj ekstremit të djathtë.
Por, kjo rezultoi të ishte një fushë shumë problematike, pasi fuqizimi i këtyre forcave vinte nga një rritje e mbështetjes së elektoratit dhe krijonte përplasje me parimin demokratik të së drejtës së përfaqësimit popullor. Për më tepër, rasti austriak dhe raporti i hartuar më vonë mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Austri, pasqyroi një panoramë korrekte të qëndrimit brenda kornizës demokratike të shtetit ligjor, të të gjithë ministrave të ekstremit të djathtë, FPO në qeveri. Raporti rekomandonte gjithashtu se nëse sanksionet do të vazhdojnë, ato mund të shndërrohen në kundër produktive dhe se, kanë rritur ndjenjat nacionaliste në vend, pasi në disa raste janë kuptuar gabimisht si sanksione të drejtuara kundër qytetarëve austriakë.
Eksperienca austriake në kuptimin e një mekanizmi ndëshkues me aplikimin e sanksioneve,
është shembulli që frenon, ndërmarrjen e një iniciative të re (neni 7) ndaj çdo vendi, që del nga korniza e funksionimit demokratik. Por, përtej eksperiencës së periudhës austriake, ku BE-14 shfaqej e bashkuar ndaj bllokadës së ekstremit të djathtë, duke formuar një lloj kordoni sanitar, vështirësitë në BE-28 janë rritur. Forcat populiste kanë zgjeruar terrenin e tyre dhe shërbejnë si shtylla mbështetje ndaj njëra-tjetrës, duke bllokuar korrigjime të mundshme në nivel evropian, siç është rasti i mbështetjes së Hungarisë të Viktor Orbanit ndaj Polonisë. Këto arsye shkaktojnë frenim në aktivizimin e procedurave ndëshkuese ndaj qeverive që rrisin autoritarizmin, pasi bllokimi i procesit (votim unanim) do të ekspozojë dobësinë e radhës në Bashkimin Evropian, do të ulë besueshmërinë e fuqisë së tij dhe mund të keqinterpretohet nga retorika populiste e vendeve përkatëse si ndëshkim ndaj qytetarëve dhe jo ndaj politikave të tyre.
Im.Ta.
DITA
