Pedagogët e Akademisë së Mbrojtjes refuzojnë komandimin e mercenarëve

anazapta

PJESA VI: Trazirat e marsit 1997. Refuzimi i pedagogëve të Akademisë së Mbrojtjes, ndaj urdhrit të Berishës e Gazidedes për komandimin e Mercenarëve kundër revoltave në jug të vendit dhe izolimi i tyre në Divizionin e Burrelit. Dëshmitë e ushtarakëve Xhevdet Zeneli, Sami Neziri, Azem Parllaku, Abdi Jahollari, Elmaz Punavia, etj…

 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më 5 mars 1997, urdhëron që pedagogët e Akademisë të nisen në krye të trupave mercenare në Gjirokastër. Ka një refuzim masiv. Më 7 mars, pa asnjë shpjegim, pedagogët nisen drejt veriut dhe izolohen në garnizonin ushtarak të Divizionit të Burrelit

 

Dr. Hekuran Rapaj

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Jugu i Shqipërisë ka dalë jashtë kontrollit… Qeveria e ka humbur kontrollin në vend, ndërsa Presidenti Berisha, nëpërmjet Agim Shehut e vartësve të tjerë, është i vendosur ta mbajë pushtetin me dhunë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më 5 mars 1997, urdhëron që pedagogët e Akademisë të nisen në krye të trupave mercenare në Gjirokastër. Ka një refuzim masiv. Më 7 mars, pa asnjë shpjegim, pedagogët nisen drejt veriut dhe izolohen në garnizonin ushtarak të Divizionit të Burrelit…

*           *           *

Me datën 6 mars, Presidenti i Republikës mblodhi partitë politike ku u vendos 48 orë armëpushim duke nisur nga ora 12.00 e datës 6 mars. Brenda këtyre 48 orëve iu bë thirrje të gjithë personave të armatosur civilë që të dorëzonin armët. Në këtë urdhër nuk u përcaktua se cili person civil do të dorëzonte armën, civilët e armatosur, militantët e partisë apo civilët e SHIK-ut. Nuk u përcaktua se ku do të dorëzoheshin armët apo kush do t’i merrte ato në dorëzim. Pikërisht në datën 6 mars në ”kushtet e ndalimit të veprimeve ushtarake” në akset kryesore të rrugëve Tiranë-Fier-Berat-Përmet dhe Tiranë-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet, filloi lëvizja masive e njësive dhe e reparteve të ushtrisë me teknikën dhe mjetet e e saj luftarake. Kështu si pa dashje ushtria po dilte jashtë loje. Ajo nuk mund dhe nuk kishte arsye për një grupim të tillë.

Me datën 7 mars 1997, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura vendosi në dispozicion të DK të Korçës një bateri 130m/m me 6 topa dhe një bateri të mortajave 160m/m me 6 gryka zjarri. Furnizimi i mjeteve do të sigurohej për 60 km rrugë. Urdhërohej gjithashtu vendosja në gatishmëri e një batalioni këmbësorie me dy kompani me rreth 300 ushtarë për të kaluar në vartësi të BrK Fier, si dhe ekuipazhi për dy kompani tankiste dhe një shtab batalioni në vartësi të DK Korçë. Efektivi ushtar me urdhër të ish Komandantit të Divizionit të Tiranës u morën për kompletim nga reparti ushtarak Nr. 8830 Yzberisht, nga batalioni i këmbësorisë Krastë, Elbasan dhe nga Brigada e Tankeve në Zall-Herr.

Xhevdet Zeneli, Kolonel, Ish-Komandant i Divizionit të Tiranës: “Në periudhën e dhënies dhe të zbatimit të këtyre urdhrave deputeti i PD Shaban Memia shkon në Brigadën e Tankeve Zall-Herr në Brigadën e Artilerisë Tokësore, në Brigadën e Këmbësorisë Yzberisht duke ndjekur drejtpërsëdrejti veprimet për zbatimin e tyre. Prefekti i Elbasanit Tonin Alimëhilli shkon në BrK Elbasan terrorizon oficerët duke bërë thirrje hapur deri në ndëshkim fizik të tyre”.

Në qytetin e Gjirokastrës ngjarjet acarohen me datën 8 mars kur forcat qeveritare kaluan me helikopter nga Përmeti midis fushës së Çajupit dhe zbritën në Gjirokastër. Në aerodromin e Gjirokastrës në dalje të urës që të çon për në Valare u vunë re reagimet e para kundër personave të armatosur që zbritën nga helikopteri. Këto më vonë u pasuan nga revolta e tërë popullit në Divizionin e Gjirokastrës… Divizioni i Gjirokastrës u rrënua plotësisht. Nga ushtarakët pati edhe reagime, por në pjesën kryesore të divizionit njerëzit vërshuan duke bërë batërdinë.

Fakte të tilla hedhin dritën e së vërtetës se në datat 7 dhe 8 mars 1997, jo vetëm që nuk u ndërprenë veprimet operacionale sipas marrëveshjes së bërë, por pikërisht në këtë datë lëvizën drejt Korçës, Përmetit, Fierit, forca, mjete armatime dhe municione të ndryshme. Janë zhvendosur armatime speciale dhe janë armatosur nga depot e divizioneve të ushtrisë struktura të tëra. Komandat dhe shtabet e njësive ndjeheshin të detyruar të çonin efektivat e tyre jashtë detyrave të planëzimit luftarak. Viktimë e këtyre urdhrave u bë edhe Akademia e Mbrojtjes. Ajo përfshihet në vorbullën e ngjarjeve në datën 4 mars, kur komandanti i saj emërohet ish komandanti i Divizionit të Shijakut.

Sami Neziri, Nën Kolonel, ish-pedagog në Akademinë e Mbrojtjes: “Më datë 5 mars hartohet lista e pedagogëve të Akademisë së Mbrojtjes me të dhëna të plota biografike. Nga Ministria e Mbrojtjes vjen një urdhër i shkurtër i firmosur nga Leonard Demi, ku 13 pedagogë vihen në dispozicion të divizionit të Fierit, të një strukture tjetër të panjohur. Ne refuzuam në mënyrë kategorike. Kërkuam takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, por ai me sa duket ishte tepër i ngarkuar dhe na dërgoi drejtorin e personelit.”

Disa pedagogë u larguan, ata që mbetën vendosën që të mos hipnin në autobus, por të takonin Ministrin e Mbrojtjes. Edhe këtu ingranazhi i çmendurisë së shtetit kishte ngecur plotësisht. Ligji mbi arsimin ushtarak ishte shkelur. Akademia e Mbrojtjes është institucioni më i lartë arsimor i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe jo një repart luftarak. Urdhri ishte firmosur nga ish Sekretari i Shtetit për mbrojtjen. Në Fier, pedagogët e Akademisë së Mbrojtjes do të viheshin në krye të rreth 5 mijë “mercenarëve” të ardhur nga zonat e veriut për të sulmuar në drejtim të Vlorës. Urdhri për të shkuar në Fier, në saj të kundërshtimit u anulua duke i dhënë një goditje tjetër çmendurisë politike.

Odiseja në Akademinë e Mbrojtjes nuk mund të mbaronte. Me datë 7 mars 1997 vjen përsëri një urdhër absurd, pedagogët të niseshin në drejtim të veriut të Shqipërisë. Ata u shpërngulën plotësisht dhe u vendosën në ambientet e Brigadës së Burrelit. Cili e dha urdhrin e largimit për në Burrel? Me datën 5 mars 1997 urdhri i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm me Nr. 188, “Për dërgimin me detyrë të dy efektivave të dy akademive në rajonin e Gjirokastrës”. Ende nuk ka filluar zbatimi i këtij urdhri kur mbërrin urdhri tjetër me Nr. 7/1 datë 07.03.1997, “Për lëvizjen e gjithë efektivit kuadro nënoficerë, kadetë nga Tirana për në Burrel”, firmosur nga ish Sekretari i Shtetit për mbrojtjen.

Përfundimisht këta ushtarakë u instaluan në një Kazermë të thjeshtë jo shumë larg burgut famëkeq të Burrelit. Ndërsa shkolla ushtarake po pushonte në Burrel, në shkollë vazhdonin të vinin forca pa pushim nën kujdestarinë e “gjeneralëve” të SHIK-ut. Tashmë “të rebeluarit” duhej të mos ishin dëshmitarë të ngjarjeve që do të kalonte Akademia Ushtarake “Skënderbej”. Këto institucione u përdhosën në mënyrën më barbare e më të paskrupullt që vetëm ai shtet mund ta bënte. I gjithë territori i Akademisë u boshatis bile dhe familjarët që banonin atje u larguan. Në vend të tyre erdhën njerëz të panjohur të SHIK-ut dhe të militantëve fanatikë që ishin gati të bëheshin kamikazë në mbrojtje të “çështjes shtetërore”.

Momenti i qetësisë së “armëpushimit” u shfrytëzua për lëvizje të sforcuara drejt jugut të sanksionuara me vendimin e Shtabit Përgjithshëm Nr. 57 datë 07.03.1997. Lëvizja e trupave drejt jugut filloi me vënien në zbatim të urdhrit Nr. 25 datë 01.03.1997 “Për lëvizjen e ekuipazheve të brigadës tankiste Zall-Herr, të forcave të Divizionit 8K Tiranë, të FMA si të trupave Komando, etj. Në këto momente Komanda e Përgjithshme mund të merrte me urgjencë drejtimin,  duke u vendosur në krye të Këshillit të Mbrojtjes dhe të Shtabit Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ajo mund të mos nxitohej në shpalljen me urgjencë të gjendjes së jashtëzakonshme. Ky “boshllëk” ishte sajesa e një komande operacionale, në krye të së cilës qëndronte një komandant i dyshimtë për nga origjina e karrierës së veprimeve të mëparshme, një civil që krejt papritur bëhet gjeneral me katër yje. Dekreti Presidencial, të cilit “i humbi” vula dhe firma e dhënë.

Vendosja e Forcave të Armatosura nën komandën e SHIK-ut është një rast i paprecedent dhe krejtësisht antiligjor. Ky veprim i institucionalizuar ligjor nga ana e ish shtetit vulosi, në mënyrën më brutale humbjen e besimit nga Komandanti për tërë lidershipin e ushtrisë dhe institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes. U denigrua Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. U shkelën konceptet  ligjore mbi përdorimin e Forcave të Armatosura. Shtabi i Përgjithshëm i FA iu nënshtrua të gjitha vendimeve dhe veprimeve të kundërligjshme. Në të njëjtën kohë u përzgjodhën mjaft “oficerë besnikë” të partisë, të cilët u vendosën pranë Komandës së Operacionit. Disa të tjerë marshuan drejt zonave të veriut për mobilizimin dhe përgatitjen e “mercenarëve”.

 

SHTABET “MIKSE” TË LUFTËS

Filloi krijimi i shtabeve “mikse” me përbërje SHIK dhe oficerë militantë. Këto “shtabe” të dërguara nga Tirana nxorën jashtë funksionimit ligjor komandantët dhe shtabet e njësive të reparteve të ushtrisë atje ku shkonin. Kësaj i shërbyen veprimet e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura më datë 7 mars 1997, i cili nëpërmjet 42 fonogrameve urgjente ngriti në kushtrim pothuajse tërë Shqipërinë e Veriut. Në Burrel niste mashtrimi dhe marshimi i “mercenarëve” të armatosur drejt Jugut të Shqipërisë. “Do të shkoni deri në Durrës për ruajtjen e Portit”, u thoshin mashtruesit. Kur forcat e Burrelit shkuan në Durrës niste mashtrimi tjetër: “Do të shkojmë për demonstrim force në Përmet”. Më shumë se një veprim antiligjor ishte një ngjarje antikombëtare.

Elmaz Punavia, Kapiten, dëshmitar i ngjarjeve në Burrel, tregon: “Gjatë rrugës, herë pas here ushtarët shpreheshin “Ku po na çoni?” U flas ushtarëve: “Jini të qetë. Ne kundër shqiptarëve nuk luftojmë, por u kërkoj të jemi të gjithë bashkë në një mendje”. U qetësuan deri sa vajtëm tek plepat në Durrës. Aty u shastisëm kur u ndeshëm me urdhrin e dytë: “Do të shkoni për demonstrim force në Përmet në kuadrin e strukturave të komandës së operacionit. Atje është ngritur flamuri grek. Kundërshtova: Unë kam ardhur në Durrës. Rajonin e mbrojtjes e kam në Qafë Dragalicë, në zonën e Bulqizës. Kam marrë me vete gjithë ushtarët dhe u kam dhënë fjalën prindërve të tyre se do të mbrojmë Portin e Durrësit. Lëvizjen në Përmet e bëj kur të jetë shpallur zyrtarisht kërcënimi i kufirit shtetëror. Kërcënuan me forcën e ligjit: Kundërshtarët do të ndëshkohen”. Më çuan në Durrës tek Shefi i SHIK-ut të njësisë, një shok i imi i klasës, i cili më tha: “Dëgjo Elmaz, mos fol se je në krye të listës për asgjësim”.

Shaqir Vukaj, Ish-Ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Stabilitetit: “Ditët e para të marsit njerëzit e Partisë Demokratike u armatosën me qindra e mijëra automatikë. Në këtë armatosje janë përfshirë drejtues të Partisë Demokratike, kryetar bashkie e komunash dhe ndonjë prefekt. Ka patur edhe urdhra për të hedhur në erë Urën e Mifolit me bomba. Ata që i jepnin këto urdhra ishin nga Veriu, gjë që u interesonte përçarja Veri-Jug”. Mjegullnajë informative, kaos edhe në Divizionin e Veriut, në Shkodër. Urdhra dhe kundra urdhra që vinin nga maja e një hierarkie ushtarake, inekzistence. Fonograme për lëvizje në jug. Itinerare të dyshimta lëvizjeje. Herë thuhej lëvizje deri në Tiranë, pas pak deri në jug, me sloganet bajate, “Është rrezikuar kufiri shtetëror me grekët.”

 

SHKODËR, SHKATËRRIMI I DIVIZIONIT

Abdi Jahollari, Major, dëshmitar i shkatërrimit të kësaj njësie: “Divizioni i Shkodrës u bë “pronë” e ish pushtetarëve civilë dhe kur kjo “pronë” nuk u pozicionua siç deshën ata, atëherë e shitën me çmimin që tashmë dihet: shkatërrimin”. Në radiogramin Nr. 16, datë 6.3.1997 kërkohej kompletimi me 300 ushtarë aktivë i një batalioni këmbësorie në Repartin 1130 Vau i Dejës. Më datë 7.3.1997 në orën 12.50 ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura jep radiogramin për ngritjen në kushtrim të brigadave të Bushatit dhe të Lezhës. Në radiogramin Nr. 32, datë 9.3.1997 urdhërohet Komandanti i Divizionit të Shkodrës që njësitë me kompletim të përgatiten për marshim në drejtim të Tiranës. Rezervistët të pajiseshin me armatime, municione, ushqime dhe mjete ndërlidhje.

Kështu, përveç forcave të ngritura të ushtrisë, u vunë në lëvizje drejt Jugut edhe brigada të tjera, duke futur në panik tërë popullsinë e zonave me falsitetin e tmerrit të sulmeve nga greku. Në Kukës, lajmin se sulmoi Serbia e dha me telefon vetë ish Ministri i Mbrojtjes. Këtë e amplifikuan nëpërmjet radio Kukësit “dy punonjësit e SHIK-ut”. Kjo bëri që popullsia të bjerë në panik. Një pjesë e saj nisi të boshatiste qytetin, duke marrë arratinë.

Ndue Mjekaj, Gjeneral Brigade, Ish-Komandant i Divizionit Kukës: “Bashkë me këtë situatë çoroditje totale në Divizion vjen urdhri i sinjalit për kushtrim për katër njësi. Çuditërisht ky urdhër qe marrë më parë nga degët e mobilizimit. Ky urdhër hasi në reagime negative. Shumë rezervistë që paraqiteshin shtronin pyetjen: “Ka gjë në kufi?”, merrnin përgjigjen e çastit dhe iknin. Në këto kushte vjen urdhri tjetër nga ministria e mbrojtjes që këto njësi me kompletim të nisen në drejtim të Tiranës, për të marrë një detyrë të re në Jug”. Sinjalit të kushtrimit në këtë Divizion Verior ju përgjigjën vetëm 5% të efektivit rezervist.

Azem Parllaku, Kapiten, dëshmitar okular: “Shumë njerëz që kishim përballë i njihnim mirë. Turmat kërkonin armë. Armë për t’u mbrojtur. Jo për të sulmuar Jugun. Jo për t’u rekrutuar si rezervistë të Gazidedes dhe Leonard Demit”.(Kështu është shqiptari. Thotë se nuk e zbatoj urdhrin për në luftë kundër shqiptarit, por vetëm në drejtim të kufirit shtetëror, në qoftë se ai preket. Urdhrat e ardhur ngarkonin me një mori detyrash, madje edhe me masa tej sforcuese, ndërkohë kur situata në kufijtë shtetërore, por edhe në rajonin Kukës, Has, Tropojë, Pukë ishte krejt normale. Një lëvizje kaq masive e forcave, armatimit dhe teknikës nuk mund të realizohej kurrë nën një fshehtësi të rreme. Populli dhe ushtarakët pjesëmarrës në këto operacione e kuptuan qartë, se veprime të tilla ishin antikushtetuese, antikombëtare.

Vajtja në Përmet e vetë ish Ministrit të Mbrojtjes me suitën besnike dhe fshehtësinë e tij, vërteton saktësinë se operacioni kundër Jugut nuk ishte shaka, por me qëllime vendimtare. Të gjitha këto ndodhën kur ish Ministri i Mbrojtjes kish deklaruar përpara Aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes se “ushtria në një vend demokratik nuk duhet të përdoret kurrë kundër popullit”, kurse më vonë jep deklaratën tjetër se,  “…urdhrat i kam dhënë me telefon. Me shkrim nuk kisha të drejtë të firmosja”. Ironia më e përkryer e shtetit.

 

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI:

-Urdhri i 1 marsit 1997 i Komandantit të Regjimentit të Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë (ADM) për përgatitjen e lëndëve helmuese luftarake dhe granatave me kloracetafenon. Furnizimi i SHIK-ut me këto armë e municione luftarake.

-Dëshmia e ushtarakëve: Më datë 3 mars pilotët kanë marrë detyrë për të qëlluar mbi qytetet e Jugut, për të përhapur panik, në lartësi 2-3 metra korsi me shpejtësi 800-850 km/orë!

-Debatet dhe refuzimi i oficerëve të thjeshtë për përdorimin e lëndëve helmuese luftarake kundër banorëve të pambrojtur.

Share This Article
4 Comments
  • I lutem redaksise se kesaj gazete ti dergojne nje kopje miqve te kriminelit Berisha qe e strehuan pas kesaj katrahure sikunder do ta strehojne pas 23 Qershorit !Bemat e ketij krimineli i kalojne kufijte e Shqiperise.

  • drejtuar redaksis se gazetes dita.kur ne lexuesit shkruajme komentet tona duam nje kortezi qe edhe te botohen ,pasi une shkruajta dje dhe po e shkruaj edhe sot qe kjo gazete te dergoje ne Hage te gjitha keto fakte qe shkruan keshtu kjo gjykate te hape nje procedim penal kunder te gjithe drejtuesve te pushtetit ne ato kohe per krime kunder popullsis te shqiperise .eshte detyrim moral per te ndjekur kete rruge.por e di qe ju si gazete ju intereson vetem numri i klikimeve ne faqet tuaja te internetit dhe aspak detyrimi moral qe keni perpara shqiptareve.nderime dhe pune te mbare.

  • Shifra me. 4 mije te vrare qe permend shpesh shtypi duhet precizuar! Dihet u vrane mbi 2 mije e pesqind veriore, mbi 800 jugore; te tjere te vrare aksidentalisht apo per hakmarrje! Ne Vlore SHIK u dogj dhe u vrane disa punonjes por numri i sakte nuk dihet!U vrane 6 te paret ne Permet, ne Sarande patì shume te vrare;por ne Berat u armatos edhe PD dhe nga rrevolta u dogj ne fillim prefektura,pastaj Drejtoria e Policise;Saliu urdheroi cecenet te sulmonin Beratin dhe naten u bene arrestime! Tanket qarkullonin neper lagjet e qytetit,por u goditen dhe nuk dihet sa u vrane!Ne Protestat e Beratit,Lushnjes ishin me mijra e mijra qytetare qe cudi si harruan ato dite dhe presin Berishen kur i duhet derdhur ne fytyre automatiku….Bandat e Saliut u carmatosen dhe te carmatosurit pa rroba ushtarake,u falen,nuk u vrane! Nuk dihet sakte sa u vrane ne Permet, ne gryken e Kelcyres… Perleshje patì dhe me pas,ne Uren Vajgurore!Cecenet e Berishes,disa nuk flisnin shqip;vrane kater police dhe nje djal te vetem 15 vjec.Gjithe djemuria e Beratit,pa dallim te djathte,te majte,shkoi rrethoi ndertesen ku cecenet shtinin me antitank!Lufte per shume ore!Ndertesa ku rrinin vrasesit e policeve u hodh ne ere!Ka shkruar shtypi shqiptar dhe sidomos ZP!Disa cecene u vrane dhe i mbuloi ndertesa,disa u kapen dhe ai qe qelloi me antitank diagacin e policise dhe vrau 4 police u lidh i gjallë pas nje makine dhe u terhoq zevarre gjer ne hyrje te qytetit!Aty u pushkatua me shkrehje te të gjitha armeve qe disponoheshin tek djemuria dhe trupi shoshe nga plumbat u dogj!Kush ishte?Nuk eshtë e sakte ajo qe eshte shkruar se ishte malazes!… kush e kishte prure dhe pse vrau policet?Keshtu ka qene dhe brezi i ri ata 16 vjecaret qe Berisha kriminel i donte per vota, nuk i dine keto!Berisha ne vend te denohej u riciklua nga ata qe u veshen si gra,dhe sot i ka prane vetes bile Islami eshtë vazhduesi i tij ne drejtimin e PD, sipas nje burimi shume te sigurte!Tragjedia e ’97 te mos perseritet duhet Berisha jo te fitoje(vjedh)zgjedhjet, por të ndeshkohet duke rihapur proces gjyqsor te gjithe ata shqiptare, jugore e veriore qe humben bijet e tyre te shtrenjte!Kujtesa nuk vdes! Vdes morali i atyre mijra shqiptareve nga jugu ne veri qe vertet nuk ju binden urdhrave,dogjen tanket(40 tanke u dogjen vetem ne nje dite, ne Qafen e Sqepurit qe u nisen drejt Vlores! Kush i dogji? ushtaraket heronje qe nuk zbatuan urdherin!Kishte mes tyre shume veriore dhe duhet te permenden me nderim! Marrezia e Saliut qe u shpall president,dhe vendosi te sulmoje jugun do kujtohet ne histori si nje masaker kriminale,mbetur pa ndeshkim!Shqiptaret nga jugu ne veri duhet te reflektojne dhe te votojne masivisht,si ato dite ne demonstrata e lufte, per ta larguar vrasesin qe perseriti tragjedite ne Gerdec dhe 21 janar!Eshte koha per RILINDJE!

  • Berisha eshte si te gjith kriminelet e tjere dhe fundi i tij eshte i njejte.Por me gjithe keto dokumenta qe ekzistojne ,kur do denohet qente e Berishes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *