Një letër e hidhur për britanikët

redaktor

Vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga BE, e ekspozoi të papërgatitur klasën politike britanike. Mungesa e kësaj përgatitje, lidhej sa me faktin se organizimi i referendumit, zhvillohej për arsye politike që në vetvete nuk kishin lidhje me çështjen e shtruar, por edhe me papërgjegjshmërinë e elitës politike, për të hartuar skenarë mbi një projekt që as vetë nuk e besonin se do të realizohej. Deklarimi për mos aktivizim të procedurës së daljes (neni 50) ishte prova kryesore që klasa politike nuk kishte asnjë skenar rezervë, se si do të orientohej vendi në këtë dalje nga BE. Teksa kryeministri që çoi vendin drejt këtij skenari dha dorëheqjen, kryeministrja e re do të konfirmonte se procedura e daljes do të aktivizohet në muajin mars 2017. Çka nënkupton që pas këtij aktivizimi do të nisin edhe negociatat e daljes, ku do të marrë formë edhe marrëdhënia e re që mund të krijohet mes Britanisë së Madhe dhe Unionit.

Mirëpo, rezultati i referendumit ishte relativisht i ngushtë mes kampeve, duke bërë që kampi që dëshironte qëndrimin në BE, të futej në një qerthull paniku dhe pasigurie për të ardhmen e tyre, ku ndër to edhe mijëra qytetarë britanikë, që jetojnë në vendet e BE-së. Pa shkuar më larg, por vetëm në Belgjikë, që në momentin kur shpallet rezultati i referendumit, komunat e Brukselit mbingarkohen me kërkesat e qindra eurokratëve britanikë, që kërkojnë të marrin nënshtetësinë belge. Sigurisht, duke punuar për institucionet evropiane, ata nuk kanë më siguri për qëndrim të mëtejshëm në territor dhe kërkojnë të zotërojnë dokumente belgë. Por, komunat e Brukselit nuk ia kanë bërë jetën e lehtë dhe kanë ngritur një sërë barrierash, duke mos i mundësuar procedimin për marrjen e kombësisë. Që të marrin kombësinë atyre u kërkohet të njohin një prej gjuhëve të vendit, të kenë prova për një integrim social dhe ekonomik dhe një qëndrim 5-10 vjeçar në territor. Edhe pse me një ekzistencë prej 20 vitesh në territor, atyre nuk u njihet ky qëndrim, pasi zotërojnë karta speciale të ministrisë së Jashtme britanike dhe jo karta belge, pra në kuptimin e kodit belg ata nuk kanë të drejtë të aplikojnë, janë të punësuar në institucionet evropiane, por nuk derdhin kontribute në sistemin belg, pra nuk shfaqin pjesëmarrje ekonomike dhe për më tepër vështirë se mund të kenë prova të certifikuara të njohjes së një prej gjuhëve të vendit.

Sigurisht, që mënyra se si po operojnë komunat e Brukselit, është konsideruar në thyerje të direktivave evropiane mbi të drejtat e qytetarëve të BE-së, dhe familjeve të tyre për të qëndruar lirisht në territoret e vendeve anëtare, teksa kanë kontrata të rregullta punësimi. Nga ku, kemi edhe nisjen e procedurave ndaj Belgjikës për thyerje të kësaj direktive. Por, problematika duket se shtrihet tek fakti që eurokratët në përgjithësi kanë një status super të privilegjuar, me mbështetje financiare që e tejkalon imagjinaren e popujve të Evropës dhe si rrjedhojë, kur ky status i privilegjuar kombinohet me imazhin që britanikët kanë krijuar në raportet e tyre me Evropën, krijohet një situatë që nga një nëpunës bashkie i Brukselit do të përshkruhej si “ai fëmija i përkëdhelur që kërkon t’i ketë të gjitha lodrat për vete!”

Përveç eurokratëve të mësipërm, në vendet e BE-së jetojnë një numër i lartë britanikësh. Dhe e ardhmja e tyre po shqetëson qeverinë britanike dhe deputetët britanikë. Këta të fundit, para disa ditësh (25.11) i kanë dërguar një letër kreut të Këshillit Evropian, polakut Donald Tusk ku i shprehin shqetësimin ekstrem, mbi përpjekjet e Komisionerit Barnier që po parandalon zhvillimin e negociatave mes Britanisë së Madhe dhe qeverive të vendeve anëtare, mbi zgjidhjen e statusit të qytetarëve britanikë që jetojnë në BE, si edhe atyre evropianë që jetojnë në Britani. Kjo pasi duhet “t’i jepet fund ankthit dhe pasigurisë për qytetarët e Britanisë dhe të BE-së, që jetojnë në territoret e njëri-tjetrit”. Duke i kërkuar gjithashtu Tusk që këtë problematikë ta fusë në axhendën e Këshillit Evropian të dhjetorit, që t’i jepet fund njëherë e mirë këtij problemi.

Por, përgjigjja e ardhur nga Tusk, ishte sa reale po aq edhe me doza nënkuptimi ironik, të stilit fin polak.

Në letrën e tij Tusk, iu kujton britanikëve, se statusi i qytetarëve të BE-së dhe atyre britanikë i përket negociatave të ardhshme dhe që kjo çështje të zgjidhet njëherë e mirë në muajin dhjetor, duhet që Britania e Madhe të aktivizojë po në këtë muaj, procedurën e daljes. Në logjikën e Tusk, ankthi dhe pasiguria për qytetarët e Britanisë, nuk lidhet me negociatat por më tepër me vendimin për Brexit.

“Në letrën tuaj, ju thoni se Komisioni Evropian dhe në veçanti z. Barnier, po përpiqen të parandalojnë negociatat, duke krijuar në këtë mënyrë ‘ankth dhe pasiguri për qytetarët e Britanisë së Madhe dhe të BE-së që jetojnë në territoret e njëri-tjetrit.’ Është një argument shumë interesant, problemi i vetëm është se ai nuk ka të bëjë fare me realitetin. A nuk jeni dakord dhe ju se, burimi i vetëm i ankthit dhe i pasigurisë, është më tepër vendimi për Brexit ? Dhe se e vetmja mënyrë për të larguar frikën dhe dyshimet e të gjithë qytetarëve në fjalë, është nisja sa më shpejt të jetë e mundur e negociatave në bazë të nenit 50 të Traktatit ?”

Tusk, i rikujton gjithashtu britanikëve jo vetëm se u takon atyre të aktivizojnë procesin e daljes, në mënyrë që të nisin negociatat, por u risjell në vëmendje rëndësinë e padiskutueshme që mbartin Traktatet e BE-së për sa i përket mbrojtjes tërësore të qytetarëve që jetojnë në territoret e tij, por rikujton edhe vlerën e institucioneve të tjera të drejtësisë, që garantojnë respektimin e këtyre të drejtave.

“Së fundmi, unë dua t’ju siguroj ju se sot, dhe për aq kohë sa Mbretëria e Bashkuar do të jetë një anëtare e BE-së, Traktatet garantojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve të BE-së, duke përfshirë edhe qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar, për sa i përket vendqëndrimit, punës, sigurinë e tyre sociale dhe shëndetësore. Njerëzit nuk janë të mbrojtur vetëm nga ligji themelor i BE-së kundër diskriminimit, por gjithashtu edhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, nëse të drejtat e tyre nuk respektohen. Kjo natyrisht që ka të bëjë jo vetëm me ata qytetarë që aktualisht jetojnë në shtetet e tjera anëtare, por edhe me ata që vendosin ta bëjnë këtë në të ardhmen.”

Përgjigja e kreut të Këshillit Evropian, është në vazhdën e një qëndrimi në bllok evropian, që po mbahet ndaj kërkesave të vazhdueshme të qeverisë britanike, për negocime paraprake. Negocime që në logjikën e evropianëve nuk duhet të kryhen, për sa kohë Britania e Madhe nuk ka aktivizuar procedurën e daljes. Ky qëndrim, nuk ka të bëjë me pozicionime “hakmarrëse”, ndaj britanikëve por nga njëra anë, shfaq racionalitet politik që imponon marrje përsipër si të përgjegjësive por edhe të pasojave mbi vendime, që devijojnë rrjedhën historike të një vendi, ndërsa nga ana tjetër, nëse ndaj palës britanike do të ketë akomodime dhe pozicionime favorizuese paraprake, kjo do të ndikojë në profilizimin mbi çdo marrëdhënie të ardhshme shkëputje, të ndonjë vendi tjetër anëtar.

Në kontekstin e mësipërm, vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe opinioni i qytetarëve evropianë, ndaj vendimit për dalje nga BE të Britanisë së Madhe. Një opinion, që e shikojmë të pasqyruar në linja të përgjithshme edhe në politikat lokale të Brukselit, ndaj qytetarëve britanikë. Do të ishte anketimi i Ifop, menjëherë pas rezultateve të Brexit, ku qytetarët evropianë (6 vende në BE) do të pyeteshin mbi modelin e negociatave të ardhshme që BE, do të kryente me Britaninë e Madhe. Në shumicë ata kërkonin që “ BE të mos u bëjë asnjë koncesion britanikëve dhe t’i heqë në mënyrë të menjëhershme të gjithë avantazhet ekonomike dhe tregtare, që janë të lidhura me përkatësinë e tyre në Union.”

Im.Ta.

DITA

Share This Article