Një “rreth autokratësh” po përpiqet të shkatërrojë Bashkimin Evropian. Vlerat dhe modelin e tij demokratik. Putin, Erdogan dhe i sapozgjedhuri i amerikanëve, Tramp.
“Më duket se, gjithnjë e më shumë po rrethohemi nga autokratë. Putin, Erdogan dhe emërimet e para të z. Tramp, më shqetësojnë shumë…Çfarë shikoj sot është se rusët, amerikanët dhe turqit po punojnë më shumë së bashku dhe më pak në tokën evropiane, për të shkatërruar modelin evropian…Në vend të një rrethi miqsh, përreth Evropës shikoj gjithnjë e më shumë, një rreth personash që jo vetëm ngjajnë, por që kanë një pikëpamje të përbashkët, vullnetin për të shkatërruar mënyrën tonë të të menduarit, vlerat tona dhe Unionin përfaqësues të këtyre vlerave….”
Ky do të ishte shqetësimi i shfaqur së fundmi, nga kreu i grupit liberal në PE, Gi Verhofshtad i caktuar gjithashtu si përfaqësues i Parlamentit në negocimet e Brexit. Verhofshtad do të akuzonte presidentin e Rusisë, se financon hapur populistët dhe ekstremistët anti-evropianë, dhe partitë eurofobe kudo në Evropë; presidentin e Turqisë, për shënjestrim të anëtarëve të opozitës turke në Evropë; ndërsa do të përmendte edhe emërimet e para të presidentit të ri amerikan, ndër to edhe këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Stiv Benën ish padronin e sitit të informacioneve të ekstremit të djathtë Breitbart, i dyshuar për influencë të mundshme në proceset zgjedhore në Gjermani dhe në Francë, duke kërkuar lançimin e kësaj medie, si në Paris por edhe në Berlin.
Teksa lëvizjet e fundit në sferën amerikane, vazhdojnë të shikohen dhe të shoqërohen me tension në politikën evropiane, Turqia dhe Rusia po shfaqin shqetësime sa konstante, por edhe në rritje.
Së fundmi, marrëdhënia e Unionit me Turqinë ka njohur nuanca përkeqësimi. Ditën e djeshme, deputetët evropianë, kanë kërkuar ngrirjen e menjëhershme të negociatave të aderimit të Turqisë në BE. Tetë rezoluta, do t’i nënshtrohen votës, ditën e enjte dhe paraprakisht flitet për një lloj “unanimiteti” për ngrirjen e tyre. Shtetet anëtare të BE-së, kanë kohë që shfaqin shqetësim për valën e jashtëzakonshme të represionit, të ushtruar nga regjimi i presidentit të vendit Erdogan, në vazhdën e goditjeve të pas grushtit të shtetit, të 15 korrikut. Shqetësimet e shfaqura nga vendet anëtare nuk janë shoqëruar me ndonjë pasojë direkte mbi negociatat, kjo pasi në vetvete negociatat nuk është se po përparojnë, pasi edhe Turqia nuk ka shfaqur progres. Ndërkohë, nuk është marrë asnjë vendim në këtë kuadër, nga ministrat e Punëve të jashtme, gjatë mbledhjes së tyre të fundit, të hënën e javës së kaluar. Por, për të zgjedhurit e parlamentit evropian, kupa është mbushur plot dhe tashmë është koha për të dekretuar ngrirjen e negociatave.
Për kreun e grupit parlamentar të PPE-së, gjermanin Veber “Është e çuditshme të shikosh se Turqia dëshiron të kthehet drejt Rusisë dhe Kinës”. Për kreun e familjes së majtë evropiane Pitela, Parlamenti Evropian nuk po përpiqet t’i jap fund marrëdhënieve me Turqinë, por asaj i duhet dërguar një sinjal i fortë, “Kjo është një ngrirje e përkohshme, ne do ta shikojmë situatën brenda disa muajve”. Për kreun e liberalëve, Verhofshtadt, negociatat duhen ngrirë. Rebeka Harms e të gjelbërve kërkon që të mbahet dialogu me Turqinë. Ndërsa për Kristian Dan Preda (PPE) “Duhet një listë kriteresh për të mundësuar një rimarrje, pasi duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Erdogan mund të vendosë të ndërpresë gjithçka, pas lëvizjes tonë.”
Sipas komisionerit Hahn, kjo është edhe arsyeja që kryeqytetet refuzojnë në këtë stad, të “marrin masa drakoniane”. Ndërsa shefja e diplomacisë Mogerini, është pozicionuar gjithashtu pro dialogut dhe mbajtjes së komunikimit duke theksuar se, “Mënyra më e mirë për të përforcuar demokracinë, është të qëndrojmë të angazhuar”. Gjithsesi rezoluta e eurodeputetëve nuk ka karakter detyrues. Por, ajo që pritet të shkaktojë është një lloj presioni mbi Komisionin dhe mbi Këshillin Evropian. Një vendim për pezullim të negociatave, kërkon një shumicë të cilësuar të shteteve anëtare.
Përveç Turqisë, shqetësim konstant shfaq edhe Rusia. Sidomos në fushën e propagandës dhe të ndërhyrjeve në sferën evropiane.
Vetëm para pak kohësh (8.11) do të ishte kancelarja gjermane Merkel që paralajmëroi se Rusia mund të përpiqet të influencojë zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit. Duke paralajmëruar gjithashtu se Gjermania duhet të merret në formë të përditshme me trajtimin e këtij fenomeni dhe se kjo mund të luajë një rol të rëndësishëm, përgjatë fushatës elektorale. Ndërkohë shërbimet e inteligjencës gjermane, kanë paralajmëruar mbi rritjen e sulmeve kibernetike nga Rusia. Përgjatë muajit maj, kreu i inteligjencës gjermane Masën, informoi se gjatë viteve të kaluar, Rusia kishte kryer sulme të njëjta ndaj parlamentit gjerman, anëtarëve te NATO-s si edhe televizioneve franceze. Ndërkohë edhe administrata e Obamës do të akuzonte Rusinë përgjatë fushatës presidenciale për ndërhyrje, pasi kishte penetruar në të dhënat e serverëve të Partisë Demokratike.
Një analizë e muajve të fundit, e kërkuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, me synim përmirësimin e strategjisë për luftimin e propagandës së Rusisë, do të shfaqte një panoramë ndërhyrje sistematike jo vetëm në territorin e BE-së, por edhe në vendet që aspirojnë anëtarësimin në Union. Përçarja e opinionit publik evropian, dhe ngjallja e frikës dominojnë strategjinë ruse të propagandës. Filozofia e propagandës vjen e kombinuar nëpërmjet mesazheve kyçe, mbi çdo zhvillim, që prek Bashkimin Evropian, duke e portretizuar situatën me tone negative, e kombinuar kjo edhe me hedhjen e teorive të konspiracionit.
Qëllimi i Moskës është të bind audiencën evropiane se BE është fokusuar në kërcënime imagjinare nga Rusia duke neglizhuar kërcënimet reale nga Jugu. Përfshirja e Rusisë, sipas studimit, është e lartë edhe në çështjet e brendshme evropiane, si referendumi në Skoci, fushata e Brexit, apo edhe çështja e refugjatëve. Çdo ndarje e brendshme zgjidhet, përpunohet dhe amplifikohet. Kriza e refugjatëve, është shembulli më i pastër. Rusia kërkon provokimin dhe intensifikimin e çështjes, duke mbështetur një qasje kundër refugjatëve deri në skajet ekstremiste, ndërkohë që përpiqet të shuajë çdo informacion brenda Rusisë që mund të dëmtojë marrëdhëniet e saj me komunitetet myslimane.
Përmirësimi i strategjisë evropiane për të përballuar luftën ndaj propagandës ruse, për shkak
të ndjeshmërisë, vazhdon të ngelet në fokusin e zhvillimeve evropiane, dhe këtë javë debatet kanë njohur progres, drejt ndërmarrjeve të masave më të forta dhe rritje të bashkëpunimit më të thelluar mes vendeve anëtare.
Bashkimi Evropian është futur në ciklin më të komplikuar të ekzistencës së tij. Krizave të shumëfishta i është shtuar edhe fenomeni i rritjes së figurave dhe forcave populiste autoritare. Ikja e Britanisë nuk po inkurajon as me emërimin e Kryeministres së re, që nuk i kurseu tonet e retorikës nacionaliste me nuanca të ekstremit të djathtë. Në Poloni autoritarizmi po theksohet. Në Hungari, tashmë është i konfirmuar. Italia po shkon drejt referendumit, ku edhe mund të përmbysë qeverinë e Renzit. Spanja shfaqet në kriza të ripërsëritura politike dhe me mandat të dobët drejtimi qeveritar. Greqia është në vërtitje mes krizave ekzistenciale, politike dhe ekonomike. Holanda sapo refuzoi marrëveshjen e Asocimit me Ukrainën duke u shfaqur bllokuese e politikave të zgjerimit drejt Lindjes. Vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore janë në panik nga kriza e migrantëve dhe janë mbyllur në vetvete rreth boshtit të vlerave identifikuese fetare dhe kulturore. Skandinavët dhe baltikët shfaqen të tensionuar nga lëvizjet e paparashikueshme të Rusisë. Franca ka zgjedhur në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, brenda së djathtës, një kandidaturë që ka ngjallur polemika me animin pro Putinit, si edhe me nuancat nacionaliste, në kërkim të “Evropës së kombeve”. I vetmi vend që po shfaq rezistencë, vendosmëri, vizon dhe bashkim është Gjermania, nën drejtimin e kancelares Merkel. Mandati i saj i katërt, shfaqet si i vetmi opsion mbijetese dhe përballimi, jo vetëm në ciklin e krizave që ka pushtuar BE-në, por si opsioni më i duhur për t’u përballur me figura të rëndësishme Autokratike, që nuk preferojnë as Diplomacinë, por as Demokracinë !
Im.Ta.
DITA
