Britania e Madhe iku. SHBA nuk shfaq siguri, se do të vazhdojë të qëndrojë në krah të BE-së. Turqia ka rritur tonet e rebelizmit, duke kërcënuar me destabilitet dhe se do t’i jap fund rrugës së integrimit evropian, nëpërmjet zhvillimit të një referendumi. Rusia, provokon dhe kërcënon. Gjermania ka shfaqur shqetësim mbi zgjedhjet e saj të ardhshme parlamentare dhe ndërhyrjet e rusëve. Bullgaria zgjodhi këtë të diel, në krye të presidencës së saj, një personalitet pro rus. Edhe Moldavia, zgjodhi gjithashtu një president pro rus, duke vënë në dyshim strategjinë e fqinjësisë së BE-së.
Bullgaria, ka zgjedhur në krye të presidencës së vendit një personalitet të konsideruar si pro rus, ish gjeneralin e forcave ajrore, Roumen Radev. “Gjenerali i Kuq” siç e thërrisnin kundërshtarët e tij, ndryshe nga ish presidenti i vendit Plevneliev, i njohur për retorikën e tij të ashpër mbi Rusinë, ka një qasje më të moderuar ndaj Rusisë, duke kërkuar një angazhim të vërtetë me Moskën. Çka ka shkaktuar një shqetësim mbi një kthesë të mundshme të qëndrimit pro-evropian të Bullgarisë. Presidenti i ri mbështet heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura nga BE, pas aneksimit të Krimesë, dhe ndërhyrjes ushtarake në Ukrainën lindore, duke konfirmuar se do të bashkëpunojë ngushtë me kolegët evropianë për heqjen e këtyre sanksioneve. Ai ka deklaruar gjithashtu se, një përmirësim i marrëdhënieve me Rusinë, nuk është një regres në marrëdhëniet transatlantike, dhe se të jesh pro-evropian, nuk do të thotë se je antirus. Gjithsesi, ai ka rikujtuar disa herë se është një gjeneral i NATO-s i trajnuar në SHBA dhe se për të anëtarësimi i Bullgarisë në BE dhe në NATO është i panegociueshëm. Edhe pse ky qëndrim pro rus shikohet më shumë në filtrin e dinamikave të brendshme kombëtare se sa një kthesë reale ndaj politikave ruse, zgjedhja e tij ka shkaktuar shqetësim, teksa tezat e tij politike përfshinin sa përzierje të dozave nacionaliste me shqetësimet sociale, por edhe refuzim ndaj politikave të migrimit: “Ne jemi të detyruar t’i mbrojmë refugjatët, por migrantët nga Afganistani dhe Pakistani duhet t’i kthejmë mbrapsht. Vetëm, nëse do të duam të ndjekim shembullin e Francës, Belgjikës dhe të Gjermanisë dhe të kemi si rezultat, probleme integrimi.”
Zhvillimet në Moldavi kanë shkaktuar gjithashtu shqetësim. Kjo, pasi presidenti i zgjedhur këtë të diel, Igor Dodon, ka premtuar të përmbysë evoluimin gjeostrategjik të vendit. Ai është shprehur i qartë për prishjen e marrëveshjes të Asocimit politik dhe tregtar, që vendi i tij ka përmbyllur me Bashkimin Evropian në vitin 2014, me qëllim që t’i bashkohet Unionit Doganor Euroaziatik, projekt nëpërmjet të cilit presidenti rus, Vladimir Putin, ka dashur të sendërtojë një pol gjeostrategjik, që konkurron BE. Një çmim, që Moldavia e pagoi shumë shtrenjtë, pra vendimin e drejtuesve politikë pro evropianë për t’iu bashkuar bllokut politik të Evropës. Moska do ta godiste vendin me një sërë sanksionesh ekonomike, kryesisht në sektorin bujqësor. Por, të njëjtët drejtues politikë u implikuan në një skandal gjigant korrupsioni, që minoi besimin e qytetarëve tek to. Si rrjedhojë edhe fitorja e presidentit Dodon, nuk ishte ndonjë surprizë e madhe.
Vetëm pak kohë më parë, Holanda nëpërmjet një referendumi popullor, refuzoi marrëveshjen e Asocimit me Ukrainën, duke paralizuar në një farë mënyrë politikat e Unionit, drejt zgjerimit lindor. Zhvillimet në Moldavi, dhe ndryshimi i kursit politik që mund të vijojë nën politikat e presidencës së re, përkeqësojnë më tej skemën e strategjisë lindore evropiane.
Presidencialet amerikane dhe tensioni mbi ndryshimin e vizionit në marrëdhëniet transatlantike do të shkaktonte edhe një mbledhje krize në emergjencë të ministrave të Jashtëm të BE-së, e thirrur kjo, nga ministri i Jashtëm gjerman Shtajnmajër. Por, mbledhja duket se humbi rëndësinë e saj, duke u konsideruar si “krizë mbi krizën” kur Britania nuk dërgoi përfaqësuesin e saj, duke e gjykuar takimin krejtësisht të panevojshëm, Franca kishte një axhendë të ngarkuar, duke zëvendësuar përfaqësimin e ministrit të Jashtëm, por dhe vetë ministri i Jashtëm gjerman mbërriti veçse në fund të mbledhjes.
Gjithsesi, mbledhja e ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes në dy ditët në vijim (14/15.11.2016), solli edhe miratimin e Strategjisë Globale të Sigurisë dhe të Mbrojtjes në BE. Një miratim, që ishte në axhendën e punimeve dhe nuk lidhej me të rejat, që solli zhvillimi i presidencialeve amerikane. Pra, vazhdojmë të ngelemi në një progres të lehtë të planeve minimaliste dhe progresi nuk lidhet me krijimin e një ushtrie evropiane, që mund të mbrojë Evropën nga një agresion i jashtëm, në të njëjtën mënyrë si NATO. Ajo që pritet të vijojë më tej është, zhvillimi i planeve dhe propozimeve konkrete nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, bazuar po në Strategjinë Globale, ku përfshihet skicimi i strukturave të mundshme të përhershme, dhe ku bën pjesë gjithashtu edhe paneli industrial dhe financiar. Në veçanti, Komisioni Evropian është ngarkuar të eksplorojë se, në ç’mënyra Banka Evropiane e Investimeve, apo Fondi për Investimet Strategjike mund të kontribuojnë, për të mbështetur projektet konkrete industriale të mbrojtjes.
Ndërkohë, Britania e Madhe, e pozicionuar historikisht kundër dublimit të strukturave të NATO-s dhe kundër krijimit të një ushtrie të pavarur evropiane, do të ofronte një zgjidhje për BE, të stilit “pragmatist- inteligjent”, nëpërmjet reagimit të sekretarit britanik të Mbrojtjes, Fallon : “Në vend që të planifikoni krijimin e selive qendrore të shtrenjta, apo të ëndërroni për një ushtri evropiane, ajo çka Evropa nevojitet të bëjë tani, është të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e saj. Kjo është qasja më e mirë e mundshme, ndaj presidencës së Tramp”. Zgjidhje, që i referohet problematikës që është shfaqur gjatë fushatës së Tramp, se tashmë evropianët, duhet të paguajnë për sigurinë e tyre, duke nënkuptuar detyrimin për kontribute buxhetore në NATO.
DITA
