Marrëdhënia transatlantike, pas zgjedhjes së presidentit të ri amerikan, që po profilizohet nga zëra të rëndësishëm të politikës evropiane, si “e paparashikueshme dhe e pasigurt”, ka sjellë një sërë lëvizjesh brenda Unionit. Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, do të mblidhen këtë të diel, për të shkëmbyer pikëpamje mbi të ardhmen e marrëdhënieve, BE-SHBA. Një mbledhje kjo, e kërkuar nga ministri i Jashtëm gjerman, Shatjnemajner, që ka deklaruar se, marrëdhëniet me SHBA do të jenë “më të vështira dhe më të paparashikueshme, se në të kaluarën”, duke shtuar gjithashtu se fushata në SHBA ka lënë “plagë të thella”. Pas të dielës, vijon mbledhja e ministrave të punëve të Jashtme dhe të Brendshme të Unionit, ku do të diskutohet gjithashtu mbi Strategjinë globale të BE-së, mbi zbatimin e Planit të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.
“Nevoja për një Evropë të fortë të Mbrojtjes është tashmë e qartë, nga të dy brigjet e Atlantikut”, do të deklaronte Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini. Edhe Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula Von der Lajën, u shpreh qartë se: “Siguria e BE-së, do të vazhdojë të varet nga SHBA dhe nga NATO, por fitorja e Tramp, tregoi se Evropa dhe Gjermania si një komb i madh në qendër të Evropës, duhet të jetë më e pavarur në çështjet e sigurisë.” Ajo do të fliste gjithashtu edhe për “ndërtimin e sigurisë së përbashkët dhe organizimit të mbrojtjes”, që mund të përqendrohet në stabilizimin e vendeve të Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, në mënyrë që të parandalohen flukset e migrimeve, që vijnë në Evropë: “Kjo është një nga mësimet e krizës së refugjatëve. Nëse ne, nuk kujdesemi për problemet, atëherë në një moment të caktuar, ne duhet të përballohemi me pasojat.”
Presidenti i ri i Amerikës, duhet të vijë gjatë vitit të ardhshëm në Bruksel, për një Samit të ri të NATO-s. Ndërkohë, ai është i ftuar nga kreu i Këshillit Evropian, polaku Tusk dhe kreu i Komisionit Evropian, Junker, të vijë në Evropë për një Samit BE-SHBA, në momentin që ai do të gjykojë si të përshtatshëm.
Por, “pasiguria dhe paparashikueshmëria” do të imponojnë ndryshimin e kursit evropian dhe progres në projektin e sigurisë dhe të mbrojtjes evropiane. E gjendur në një sërë krizash
të shumëfishta, Evropa vazhdon të jetë e tensionuar në kufijtë e saj. Politika provokuese e Rusisë, rebelizmi i Turqisë që ka ashpërsuar qëndrimet dhe retorikën ndaj Bashkimit Evropian, duke e kërcënuar atë me prishjen e marrëveshjes, që frenon flukset e migrimit drejt kontinentit, në rast se nuk liberalizohen vizat, dhe gjendja aspak e favorshme në Lindjen e Mesme, janë elementë, që rrisin klimën e pasigurisë.
Dje (11.11.’06) Këshilli ka miratuar vendimin mbi zgjatjen e kontrolleve të brendshme kufitare edhe për tre muaj të tjerë për Austrinë, në kufirin tokësor me Hungarinë dhe Slloveninë; për Gjermaninë në kufirin tokësor me Austrinë; për Danimarkën, në portet daneze që lidhen me Gjermaninë dhe
në kufirin tokësor me të; për Suedinë në portet e rajoneve të jugut dhe të perëndimit dhe në urën e Oresundit; si edhe për Norvegjinë në portet ndërlidhëse me Danimarkën, Gjermaninë dhe Suedinë.
Në rast se Turqia prish marrëveshjen që mundëson frenimin e flukseve të migrimit me BE, situata pritet të përkeqësohet dhe Austria e gjendur në një pozicion aspak të favorshëm dhe në prag të zgjedhjeve të ripërsëritura presidenciale, ka kërkuar angazhim dhe bashkëpunim të menjëhershëm sidomos me vendet e Ballkanit, për përballimin e një krize të mundshme.
Vizioni
Historikisht, iniciativat për autonomi dhe pavarësi në mbrojtjen evropiane, kanë ardhur nga Franca dhe kanë hasur në rezistencë nga Britania e Madhe. Për Francën, pavarësia dhe autonomia e ushtrisë franceze, ka qenë një çështje shumë e ndjeshme, çka shkaktoi edhe shkëputjen nga strukturat integruese të NATO-s, në periudhën e De Golit. Vendimi për dalje të Britanisë së Madhe nga Unioni, e kombinuar me rritjen e klimës së pasigurisë, do të përshpejtonte projektin mbi Evropën e mbrojtjes. Projekt, që vjen nën iniciativën gjermano-franceze. Fillimisht do të ishte presidenti francez Holond që do të deklaronte publikisht në muajin korrik, vetëm një ditë para zhvillimit të festës kombëtare, vizionin mbi strategjinë në fushën evropiane të mbrojtjes, duke konfirmuar edhe gatishmërinë që po shfaqte në këtë projekt Gjermania.
Pas deklarimit të Francës, mbi iniciativën në fushën e mbrojtjes evropiane, reagoi edhe Berlini nëpërmjet ministres së Mbrojtjes, duke konfirmuar se, të dy vendet do të zhvillojnë diskutime me shtetet e tjera anëtare, me synim matjen e vullnetit të tyre, për të ndërtuar projekte të përbashkëta dhe për të avancuar drejt një politike të përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes. Britania e Madhe, sipas Ministres gjermane të Mbrojtjes, i kishte refuzuar këto projekte dhe se kjo gjë e kishte paralizuar Unionin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Ajo u shpreh gjithashtu pro sugjerimit, mbi ngritjen e një qendre të përgjithshme operimi evropiane, civile-ushtarake, nga ku mund të zhvendosen të gjithë misionet e BE.
Presidenti francez, Holond, kishte nisur ndërkohë konsultimet diplomatike me vende të ndryshme evropiane, për domosdoshmërinë e avancimit në projektin e Mbrojtjes. Bisedime, që vazhduan edhe përgjatë muajve të verës. Synimi, do të ishte gjetja e një konsensusi edhe me vendet e tjera anëtare dhe përafrimi i ideve, teksa kjo çështje pritej të diskutohej në Samitin e Bratislavës. Përgjatë muajit qershor kemi formulimin e Strategjisë Globale të Bashkimit Evropian, që përmban një vizion strategjik, duke formuar konturin e një Unioni më autonom në fushën e jashtme të sigurisë dhe të mbrojtjes, por në një ecje paralele me strukturat e NATO-s. Propozimi mbi krijimin e një Libri të Bardhë Evropian në këtë kuadër, do të skiconte një arkitekturë institucionale të Evropës së Mbrojtjes, me një Këshill të Përhershëm të Ministrave të Mbrojtjes, ku duhet të marrin pjesë të gjithë vendet anëtare të Unionit; një semestër evropian i përkushtuar vetëm Mbrojtjes, që duhet të përforcojë përgjegjësinë e vendeve anëtare, në raport me angazhimet paraprake, që ato kanë; mbikëqyrje e përforcuar parlamentare dhe bashkëpunim i thelluar mes parlamenteve kombëtarë dhe Parlamentit Evropian; seli qendrore operacionale në Bruksel, me zinxhir të përforcuar komandimi, për të siguruar planifikimin dhe kontrollin efikas të operacioneve, sidomos në reagimet e përbashkëta civile-ushtarake, etj.
Pak kohë më vonë, më 11 shtator, një reagim i përbashkët i ministrave të Mbrojtjes së Francës dhe të Gjermanisë, ofroi skicimin e Evropës së Mbrojtjes. Bisedimit mbi projektin vazhduan edhe gjatë Samitit të Bratislavës, të zhvilluar më 16 shtator. Konkluzionet theksonin marrjen e masave konkrete, mbi zbatimin e planit të sigurisë dhe të mbrojtjes, gjatë Samitit të radhës që do të organizohej në muajin dhjetor.
Me ndryshimin, që sollën presidencialet në Amerikë, axhenda njeh ndryshim, me konfirmimin në parim, të përshpejtimit të bisedimeve në këtë fushë.
Por, në rast se presidenti i ri amerikan, nuk do t’i qëndrojë retorikës dhe propagandës që shoqëroi fushatën e tij, por do të inkuadrohet në të njëjtën linjë aktuale bashkëpunimi me aleatin e saj të vjetër tradicional, Bashkimin Evropian, për sa i përket politikave të sigurisë dhe të mbrojtjes, atëherë kjo do të jetë një arsye e vlefshme që projekti evropian i mbrojtjes të qëndrojë sërish në plan të dytë, duke hezituar në avancimin e tij. Duhet theksuar, se çështja e detyrimit për kontribute më të mëdha ndaj NATO-s, nuk është e re, ajo figuron sistematikisht si një shqetësim, që prej krijimit të Organizatës. Retorika e përdorur në fushatën amerikane, se “evropianët duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre “ nuk bëri gjë tjetër, veçse shfaqi një shqetësim të vjetër, por me nuanca të reja populiste.
Nuk duhet harruar se, dëshira për bashkim dhe bashkëpunim që arriti të krijojë Evropën e sotme, në thelb, fshihte frikën ndaj luftës dhe konflikteve të mundshme nacionaliste. Është pikërisht kjo frikë, dhe fillimi i ndjesisë së saj, që bashkon dhe mobilizon, sa herë kërkohet të shmanget e keqja e mundshme. Është ndjesia e kësaj frike, që shënon edhe fillimin e urtësisë ! Aty, ku pikë-takohen aftësia për vizion, me aftësinë për vullnet dhe bashkëpunim, për të arritur krijimin e një klime sigurie. Shembujt historikë të ndërtimit evropian janë aty, që me tentativat e para për integrim në fushën e mbrojtjes atëherë kur frika rritej, dhe dështimin e tyre kur e njëjta frikë, zbehej ! Nëse kjo “frikë” që shkakton mobilizim zbehet, atëherë edhe projekti evropian i mbrojtjes rrezikon të ngadalësohet.
Frikë që mobilizon
Do të ishte tetori i vitit 1950, vetëm disa muaj pas planit Shuman, kur qeveria franceze do të prezantonte publikisht, projektin e dytë për integrimin evropian, planin Pleven ose i konsideruar si “plani i zgjeruar Shuman” për krijimin e ushtrisë evropiane të mbrojtjes. Skicimi i një Evrope Politike dhe Ushtarake në vitet ’50, shfaqej si domosdoshmëri në një kontekst sigurie dhe impononte detyrimisht riarmatosjen e gjermanëve. Ky ndryshim strategjie, e imponuar në urgjencë nga lufta e Koresë, kërkonte një riarmatim të Perëndimit dhe në veçanti një riarmatim të gjermanëve. Çështja e riarmatimit të nevojshëm gjerman ishte shfaqur edhe më herët, që në vitin 1948, me tensionet Lindje-Perëndim. Amerikanët e shikonin të pamundur që evropianët të mund të përballonin një agresion rus pa riarmatosjen e gjermanëve. Gjermanët ishin gjithashtu të interesuar pasi do të hynin në lojë me të drejta të barabarta dhe do t’i riktheheshin sovranitetit të plotë.
Por, ky kompromis i përkohshëm mes palëve, do të thyhej nga rezistenca dhe kundërshtimi në rritje që po vinte nga radhët franceze, për shkak të pozicionit përkeqësues ushtarak të Francës në luftën e Indokinës, pasi nëse Franca do të përqendrohej ushtarakisht në luftërat e kolonive të saj, rrezikonte të shikonte të dobësuar pozicionin e saj në kontinent, përballë një riarmatosje të Gjermanisë. Nga ana tjetër, zhvillimi i rrethanave ndërkombëtare, po ndikonte në anën tjetër të peshores. Vdekja e Stalinit (5 mars 1953), paqja relative që po instalohej me nënshkrimin e armëpushimit në Kore (1953), si edhe hapja në Gjenevë e negociatave për Indokinën (1954), bënë që riarmatosja gjermane të humbiste rëndësinë e emergjencës së saj, dhe bashkë me të, po zbehej edhe projekti evropian i mbrojtjes.
Edhe pse një projekt i vlerësuar si i përkohshëm, konteksti në të cilën ai u zhvillua, përfshinte të dy anët e një monedhe, si klimën e pasigurisë në rritje, me tensione dhe konflikte, që çuan në mobilizimin e tij, por edhe të një klime që u shoqërua më pas me një lloj paqeje relative, që çoi gjithashtu në zbehjen dhe refuzimin e tij. Projekti evropian në kohë, ka treguar se kërkohen dy faktorë të rëndësishëm, që mund të mobilizojnë përfundimisht shndërrimin e Evropës në një fuqi ushtarake botërore: rritja e klimës së pasigurisë në kufijtë e saj, një rrezik i qartë dhe i identifikuar që kërcënon realisht sigurinë e kontinentit, pra frika që aktivizon vullnetin politik dhe nxitja e fortë nga aleati i saj tradicional i përtej Atlantikut.
Im.Ta.
DITA
