Zgjedhjet presidenciale amerikane, po ndiqen me një vëmendje të veçantë në Evropë. Vëmendje, që diktohet nga ndryshimi i mundshëm i kursit në politikën e jashtme amerikane, duke përfshirë këtu edhe marrëdhëniet e saj me Evropën. Trump dhe Klinton, po rivalizojnë mes dy konceptimeve dhe idealeve krejtësisht të ndryshme, për rolin dhe fuqinë që duhet të ketë Amerika duke përfshirë edhe ri-pozicionimin e saj në skenën botërore. Por, si pritet të rikonfigurohet diplomacia amerikane, pas këtyre zgjedhjeve, ndaj aleatit të saj tradicional Bashkimit Evropian ?
Që prej Luftës së Dytë Botërore, politika e jashtme amerikane është karakterizuar nga një shkollë mendimi, që mbështet rendin ndërkombëtar liberal. Doktrinë, që bazohet në argumentin e domosdoshmërisë së bashkëpunimit mes kombeve, me qëllimin për të krijuar një sistem paqe, në nivel botëror. Paqe, që do të bëhej e mundur vetëm nëpërmjet krijimit të një kuadri juridik të përbashkët. Qëllimi i kësaj doktrine është krijimi i strukturave globale në sistemin ndërkombëtar, që janë të predispozuara kundrejt promovimit të një rendi botëror liberal. Dhe se nëpërmjet organizatave shumëpalëshe siç janë edhe Kombet e Bashkuara, do të ishte e mundshme shmangja e eksesit më të keq të pushtetit politik në marrëdhëniet mes kombeve. Në këtë mënyrë konceptohet sipas kësaj doktrine edhe tregtia e lirë globale, sistemet liberale ekonomike dhe politike. Ky vizon dhe kjo strategji është ndjekur nga SHBA që prej Luftës së Dytë Botërore dhe Klinton është përkrahëse dhe ndjekëse e kësaj doktrine.
Por, ndryshe nga qasja e mësipërme, rivali i saj Donald Trump, ka përqafuar një tjetër vizion ndaj politikës së jashtme amerikane, atë që tashmë njihet si loja e shumës zero, ku shuma e fitimit e të gjithë lojtarëve është e barabartë me zero, çka nënkupton se, fitimi për njërin përbën detyrimisht humbjen për tjetrin. Një vizion, me doza të pastra nacionaliste, që mund të konceptohet si izolues, me reduktim të ndjeshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar shumëpalësh, duke e përqendruar këtë bashkëpunim kryesisht të orientuar në marrëdhënie të ngushta dypalëshe. Në rast se Tramp, do të arrijë të zgjidhet, ky nuk do të jetë një lajm i mirë për Evropën, pasi vizioni mbi
këtë marrëdhënie është ofruar nëpërmjet deklaratave për zhvendosje të fokusit nga kontinenti evropian, presione për kontribute të larta financiare që duhet të derdhin aleatët për të mundësuar sigurinë ndërkombëtare, apo edhe prishje të marrëveshjeve të rëndësishme globale, siç është marrëveshja e Parisit mbi Ndryshimet Klimatike, etj. Duke mos neglizhuar këtu preferencat e shfaqura si edhe aleancat e mundshme që mund të bëhen me ultra-konservatorët nacionalistë në Evropë. Gjithsesi, ndaj zgjedhjes së mundshme të Trump, ekspertë të ndryshëm vlerësojnë se presidenca e tij do të kufizohet si nga presioni i mundshëm brenda partiak, por edhe nga sistemi politik amerikan i kontroll-balancës, mbi autoritetin në fushën e politikës së jashtme që Kushtetuta amerikane e ndan mes ekzekutivit dhe Kongresit.
Në rast të një zgjedhje të kandidaturës demokrate, pritet të vazhdojë e njëjta klimë bashkëpunimi me Evropën, mbi të njëjtin vizion, në mbështetje të rendit liberal ndërkombëtar, por ka një vlerësim të konfirmuar se SHBA do të pozicionohet sërish, në të njëjtat kërkesa ndaj aleatit të saj tradicional për rritje të rolit, të kontributit dhe veprimit evropian në skenën ndërkombëtare.
Por, Evropa do të vazhdojë të ruajë tendencën aktuale, ku vështirësitë në bashkëpunimin e brendshëm, do të shfaqen si barriera tashmë të njohura, çka nuk do t’i mundësojnë dot një dalje të shpejtë nga korniza aktuale e vendimmarrjes. Problemi që ka shkaktuar vendimi për dalje të Britanisë nga BE, do të imponojë për amerikanët logjikën e “zëvendësimit” të saj me vende të rëndësishme në Union. Me daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni, kemi konfirmim të një skeme ku vëzhgohet zhvendosja e pashmangshme e fokusit transatlantik nga Britania e Madhe, drejt Gjermanisë dhe Francës. Aksi franko-gjerman po konfigurohet si rivalizues dhe konkurrent kryesor i zëvendësimit të rolit dhe të peshës britanike për amerikanët. Gjermania, fuqia dominuese ekonomike në BE, me influencë politike të padiskutueshme në politikat e Unionit, nën drejtimin e Merkelit ka marrë tashmë rolin kryesor në drejtimin e çështjeve tregtare dhe ekonomike transatlantike. Në të njëjtën mënyrë afrimi franko-amerikan që me riangazhimin e Francës në NATO në vitin 2009, vlerësohet të jetë i dukshëm. Franca është shndërruar në aleatin e përzgjedhur të SHBA-së në fushën e bashkëpunimit ushtarak. Me daljen e Britanisë, Franca do të jetë e vetmja forcë e madhe ushtarake në BE, fuqi nukleare që ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurisë, me një ushtri të sprovuar, që ka ndërhyrë në shumë pika të nxehta konfliktesh në botë.
Britania e Madhe e ka konfirmuar disa herë se Brexit, nuk do të ndryshojë angazhimet e saj, ndaj sigurisë evropiane si një aleat kyç i NATO-s. Por, pasi të lërë Unionin, Britania e Madhe nuk do të ketë më karrigen dhe zërin e saj në Këshillin Evropian, si edhe në Këshillin e Ministrave të BE-së, aty ku shtetet anëtare koordinojnë politikat e tyre të jashtme dhe ato të mbrojtjes. Dhe kjo hapësirë nuk mund të mos shfrytëzohet teksa Gjermania dhe Franca shfaqen si zëvendësuese të rolit dhe peshës britanike, përballë interesave të politikës amerikane. Dalja e Britanisë nga skena, me rolin e saj kryesor në mbështetjen e interesave amerikanë, sidomos në lëmin e negocimeve mbi marrëveshjen tregtare, që po negociohet me Unionin, i detyron amerikanët të përforcojnë qasjen dhe lidhjen e tyre me gjermanët. Me fuqinë e saj dominuese, Gjermania mbizotëron edhe ndaj pozicionit francez (kontestues ndaj TTIP) apo edhe atij italian, që aktualisht po përballen me vështirësi financiare. Zvogëlimi i rolit dhe influencës britanike me daljen nga Unioni, do të jetë i dukshëm, pasi edhe në rast të një marrëdhënie të privilegjuar apo status të veçantë që ajo mund të gëzojë, roli i saj nuk mund të krahasohet me qenien anëtare me të drejta të plota në politikat evropiane.
Teksa Gjermania do të jetë aleati më i rëndësishëm ekonomik në Evropë për amerikanët dhe vlerësohet se do të zëvendësojë “portën hyrëse” të Britanisë, që po e vetë-mbyll, Franca me fuqinë e saj ushtarake të mobilizuar në të gjithë globin është pozicionuar si zëvendësuesi kryesor i peshës britanike në marrëdhëniet transatlantike. Me një rritje të vazhdueshme të shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, sidomos pas sulmeve të vazhdueshme terroriste, Franca vlerësohet për sistemin e saj ekzekutiv, që i mundëson vendimmarrje pa miratimin e parlamentit (ndryshe nga sistemi britanik) duke e profilizuar atë si një aktor dhe aleat të fuqishëm, sidomos në raste krizash emergjente.
Kemi një sërë raportesh të detajuara në kohë, që flasin për një përforcim dhe rritje konstante të qasjes franceze ndaj amerikanëve, që me zgjedhjen e presidentit Obama në vitin 2008. Vetëm një vit më vonë, në drejtimin e Sarkozisë kemi vendimin francez, për ri-integrim të plotë në të gjithë strukturat e NATO-s, pas 43 vitesh tërheqje që në periudhën e Dë Golit, në vitin 1966, që refuzonte vënien e trupave franceze nën komandën amerikane. Franca shfaqet ushtarakisht e sinkronizuar me veprimet amerikane për të gjithë ndërhyrjet në kontinentin afrikan, duke përfshirë ndërhyrjet në Mali dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Kohët e fundit SHBA dhe Franca po shfaqen krah për krah, në luftën ndaj të vetëquajturit shtet islamik. Franca, që renditet e dyta në Evropë, pas Britanisë për sa i përket shpenzimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, ka ofruar kontributin e dytë më të madh në koalicionin ndërkombëtar të angazhuar në goditjet ajrore, në Siri dhe në Irak. Pas sulmeve terroriste të nëntorit 2015 në Paris, presidenti amerikan Obama, do t’i lejonte presidentit francez Holond, të kishte akses në rritje në të dhënat e shërbimit inteligjent amerikan, në lidhje me ISIS, e konsideruar kjo “një shfaqje solidariteti e paprecedent që prej Luftës së Dytë Botërore”. Përafrimi amerikano-francez vlerësohet se ka marrë peshë të konsiderueshme, duke u konfirmuar publikisht në Paris dhe në fillimin janarin e këtij viti, kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Karter do të deklaronte publikisht në Paris efikasitetin e marrëdhënieve amerikano-franceze duke konfirmuar se nuk kishte asnjë ministri tjetër, ku ai të kishte kaluar kaq shumë kohë në të.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë marrë vëmendjen evropiane, për hir të alternativave që ofron kandidatura e Trump dhe që do të prekin ndjeshëm, konfigurimin e politikës së jashtme amerikane. Fitorja e Klintonit, do t’i mundësojë kontinentit evropian ndjekjen e së njëjtës linjës orientimi dhe bashkëpunimi. Fokusi pritet të jetë i lartë ndaj kërkesave që ka përfaqësuar edhe presidenca tetëvjeçare e Obamës, mbi rritje të domosdoshmit të rolit evropian si aktor global, duke tejkaluar logjikën e fuqisë së butë. Në rast se krizat në kontinentin evropian, efektet dhe pasojat e tyre nuk do ta nxjerrin BE nga korniza aktuale, pritet një përforcim i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, kryesisht me aksin franko-gjerman që do të bëjë të mundur hapjen e dy portave ekonomike dhe ushtarake, teksa Britania ka vendosur vetë-mbylljen e portës amerikane në Union.
Im.Ta.
DITA
