Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të bëjë sot në Riad një thirrje për të luftuar kundër ekstremizmit duke theksuar se lufta kundër terrorizmit nuk është një betejë mes feve, në një fjalim para krerëve të botës myslimane.
“Nuk është një betejë mes feve të ndryshme (…) apo civilizimeve të ndryshme”, do të deklarojë ai sipas disa pjesëve të fjalimit të publikuara nga Shtëpia e Bardhë.
“Është një betejë mes kriminelëve barbarë që përpiqen të zhdukin jetën njerëzore dhe njerëzish nga të gjitha fetë që përpiqen ta mbrojnë”, thuhet në këtë tekst.
“Amerika është një vend sovran dhe prioriteti ynë i parë është gjithmonë siguria e qytetarëve tanë. Ne nuk jemi këtu për të ligjëruar – nuk jemi këtu për t’u treguar njerëzve të tjerë se si të jetojnë, çfarë të bëjnë, kush të jetë apo si ta adhurojnë, por ne jemi këtu për të ofruar partneritet – bazuar në interesa dhe vlera të përbashkëta – për të ndjekur një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, thotë presidenti Trump në një pjesë të fjalimit të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
“Sa herë që një terrorist vret një person të pafajshëm, dhe thërret në mënyrë të rreme emrin e Perëndisë, duhet të jetë një fyerje për çdo njeri që beson”, – thotë presidenti.
“Terrorizmi është përhapur në të gjithë botën, por rruga drejt paqes fillon pikërisht këtu, në këtë tokë të lashtë, në këtë tokë të shenjtë”, shton zoti Trump, duke theksuar se, “Amerika është e gatshme të qëndrojë me ju në ndjekje të interesave të përbashkëta dhe sigurisë së përbashkët”.
Përpara fjalimit, presidenti i SHBA është takuar me Këshillin e Bashkëpunimit të gjashtë vendeve të Gjirit për të diskutuar mbi dallimet me Iranin, si të sillen me atë vend dhe si të godasin militantizmin islamik.
Ky fjalim është një kthesë e habitshme për presidentin pas retorikës së tij “Amerika e Para” dhe deklaratave të fushatës që bënin thirrje për një “ndalim musliman” të mbështetur nga urdhrat e mëvonshëm që u përpoqën të kufizonin udhëtimin në gjashtë vende me shumicë myslimane.
Arabia Saudite është një destinacion i pashembullt për një vizitë fillestare jashtë shtetit nga çdo president amerikan, por vendi i pasur me naftë, që ka lidhje të thella në energji dhe mbrojtje ushtarake me Shtetet e Bashkuara, nuk u vendos në ndalimet e udhëtimit.
