Juventus është bërë skuadra e parë që ka fituar për gjashtë vite radhazi titullin në Itali. Kështu, nëpërmjet faqes zyrtare në internet, UEFA ka publikuar disa të dhëna mbresëlënëse që ndihmojnë të kuptohet akoma më mirë superioriteti i skuadrës bardhezi, që pasi ka fituar edhe Kupën e Italisë ëndërron “Tripletën”.
UEFA ka krahasuar shifrat me ato të skuadrave të tjera protagoniste të kampionatit italian. Juventus, në këto sezone të fundit, ka grumbulluar 539 pikë, praktikisht pothuajse 100 më shumë se Napoli, që ka grumbulluar 445, ndërsa Roma, 437. Shumë larg janë Lazio, Inter dhe Milan, që në këtë hark kohor ka grumbulluar 381 pikë (pothuajse 160 më pak).
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe dominimi në Serie A, bardhezinjtë kanë fituar 166 nga 227 ndeshje të luajtura. 41 kanë qenë barazime dhe vetëm 20 humbjet, më pak se katër ndeshje të humbura në kampionat në këto vite.
Në “Juventus Stadium” ka ardhur vetëm një humbje kundër Udinese-s, në javën e parë të kampionatit 2015-16, dhe kanë fituar 34 nga 35 ndeshjet e fundit, vetëm Torino ka arritur të largohet me një pikë. Nuk mund të mungonin komplimentet për mbrojtjen fenomenale të Juventus-it, e udhëhequr nga i madhi Buffon dhe treshja Barzagli, Bonucci, Chiellini.
Në këto gjashtë kampionate të fundit, në 227 ndeshje, bardhezinjtë kanë pësuar vetëm 137 gola. Dhe këtu qëndron ndryshimi i madh me Napoli-n (244 gola të pësuar) dhe Roma-n (243).
Sepse, për sa i takon golave të shënuar, Napoli la bërë më mirë në këto gjashtë vite: 441 gola për bardhezinjtë, 456 për napolitanët.
