Koreja e Veriut konfirmon testin e “suksesshëm” raketor

Ornela

Koreja e Veriut kreu testin e saj të dytë të raketave brenda një jave, duke hedhur një raketë balistike me rreze të mesme veprimi në ujërat pranë brigjeve të saj lindore.

Udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un mbikëqyri testin e raketës balistike strategjike “tokë-tokë”, “Pukguksong 2”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”.

Raporti u publikua të hënën dhe nuk nënvizonte se kur ishte testuar raketa.

“Udhëheqësi suprem urdhëroi lançimin e raketës. Bashkë me zyrtarë të tjerë, ai analizoi rezultatet e testit dhe shprehu kënaqësinë e madhe të tij, duke thënë se gjithçka ishte perfekte”, raportoi agjencia, sipas të cilës, Kim Jong-un ka thënë se raketa është gati për përdorim dhe për prodhim në masë.

Koreja e Jugut, e cila të dielën e quajti lançimin e raketës një papërgjegjshmëri, tha të hënën se testi i fundit tregonte progres në programin raketor të veriut.

Autoritetet koreano-jugore dhe ato amerikane vlerësojnë se Koreja e Veriut, nëpërmjet lançimit të fundit ka siguruar të dhëna domethënëse në përmirësimin e besueshmërisë së teknologjisë së saj raketore”, tha një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut.

“Pukguksong-2” është një version tokësor i raketës kryesore të Koresë së Veriut, që lëshohet nga nëndetëset. E testuar fillimisht në shkurt, ajo përdor karburant të ngurtë, i cili ngjason me një xhelatinë shpërthyese, dhe është më pak korroziv sesa karburanti i lëngshëm.

Raketat me karburant të ngurtësuar kanë nevojë për më pak infrastrukturë, gjë që i bën më të vështira për t’u dalluar nga ata që monitorojnë lëvizjet ushtarake të Koresë së Veriut, pasi ka më pak tregues, si për shembull lëvizje kamionësh që mund të pikasen nga satelitët koreano-jugorë apo amerikanë.

Koreja e Jugut tha se raketa kishte fluturuar për rreth 500 km, nga një zonë në afërsi të Pukchang, në perëndim të vendit të izoluar komunist.

Ministria japoneze e Mbrojtjes tha se raketa ra në ujë, rreth 350 km larg bregut lindor të Koresë së Veriut. Ajo shtoi se raketa u ngjit deri në lartësinë e 1.000 kilometrave.

Lartësia ishte kyçe në testin e kryer një javë më parë, që analistët e quajtën testin më të suksesshëm në përpjekjet e Koresë së Veriut për të zhvilluar raketat balistike, që mund të mbajnë koka bërthamore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *