Gur, gur një ditë do të bëhet mur !

redaktor

Në një sfond krizash dhe tensionesh, me Brexit nga njëra anë dhe nga ana tjetër përballë një partneri transatlantik, që kërkon që Evropa të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, ministrat evropianë të Mbrojtjes i dhanë dorën e fundit ngritjes së një selie të përgjithshme ushtarake, në gjirin e institucioneve evropiane. Një strukturë ushtarake komanduese, pritet të jetë operacionale në Bruksel, në javët në vijim.

BE po lëviz në mënyrë modeste në frontin e Evropës së Mbrojtjes dhe të Sigurisë. Edhe pse, “Ky nuk është një militarizim i Bashkimit Evropian”, sipas Përfaqësueses së Lartë të BE-së për punët e Jashtme dhe politikat e Sigurisë. Vendimi në parim, ishte marrë në muajin mars dhe finalizimi i aktit juridik, do të përmbyllet në ditët në vijim. Bëhet fjalë për krijimin e një kapaciteti operacional planifikimi dhe drejtimi në nivel strategjik.

Vendimi kapërceu edhe pengesën e fundit, Britaninë e Madhe, e cila historikisht është pozicionuar në kundërshtim me ngritjen e çfarëdolloj strukture, që në sytë e saj mund të rivalizonte me NATO-n dhe në veçanti me krijimin e një selie qendrore komanduese evropiane. Që prej viteve 1950, historia e avancimit në fushën e mbrojtjes ka qenë e karakterizuar nga përplasje dhe pengesa sistematike. Shumë vende në BE, dhe kryesisht Britania e Madhe nuk preferonin asnjë opsion që mund të përmendte mundësinë e krijimit të një ushtrie evropiane. Londra ka bllokuar gjithmonë çdo tentativë në këtë fushë, duke u bërë barrikadë ndaj Parisit dhe Berlinit.

Hera e parë, që u përmend nevoja për një kapacitet autonom për BE-në, do të ishte dhjetori i vitit 1998, në Shën Malo, ku Franca e drejtuar nga Shirak dhe Zhospen dhe Britania e Madhe e Toni Blerit, do të binin dakord në një deklaratë të përbashkët mbi këtë domosdoshmëri. Duke theksuar se, BE duhet të ketë një kapacitet autonom veprimi, të mbështetur mbi forca ushtarake të besueshme, me mjete që të mund t’i përdorin me synim për t’iu përgjigjur krizave ndërkombëtare. “Është e rëndësishme të kemi kapacitetet si edhe lidershipin politik në Evropë për të marrë përgjegjësitë, sidomos në rrethanat ku për arsye të ndryshme Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të angazhohen” (Toni Bler 4 dhjetor 1998).

Por, çdo vendim në fushën e jashtme dhe asaj të mbrojtjes në BE, merret me unanimitet. Shumë tentativa u ndërmorën, si ajo më e njohura e ndërhyrjes amerikano-britanike në Irak me Samitin e Pralines 2003, por se ndaj çdo tentative për të konkretizuar këtë nevojë dhe për të vënë në jetë në mënyrë praktike dhe konkrete vinte një “JO” e fuqishme nga ana e britanikëve. Dhe jo gjithmonë ekspozohej haptazi zëri kundërshtues i Britanisë së Madhe, sepse shpeshherë do të flisnin vende të vogla në emër të saj.

Për të qetësuar shqetësimet e Londrës, kualifikimi i strukturës mbart relativisht një profil modest, që prek thjesht “kapacitetin ushtarak për planifikim dhe drejtim” me një drejtues të përgjithshëm në shmangie të emërtimeve ushtarake të pastra. Struktura gjithashtu do të jetë relativisht e vogël me rreth 30 persona, e ngarkuar të planifikojë dhe të pilotojë që nga Brukesli misionet ushtarake jo-luftuese të BE-së, jashtë territorit të tij. Pra, aktualisht, formacionet e ushtarakëve në Republikën e Afrikës Qendrore, në Mali dhe në Somali. Por, se asgjë nuk pengon të mendohet që ky embrion i selisë së përhershme do të zmadhohet në të ardhmen. Tashmë është konfirmuar se, britanikët po bëjnë rezistencë “taktike”, për të vonuar procesin, por se kjo sipas vlerësimeve të ndryshme, nuk do të mund të ndryshojë dot kursin e historisë.

Që prej muajsh evropianët po kërkojnë të përforcojnë kapacitetet e tyre, për të vepruar të vetëm në tokën e BE-së, por edhe jashtë territorit evropian, për të përforcuar sigurinë e Kontinentit të vjetër. Objektivi: “Të veprohet në mënyrë autonome atëherë kur është e nevojshme, atje ku është e nevojshme dhe me partnerët në të gjitha rastet kur është e mundur.” Bashkëpunim, që do të varet nga vullneti dhe ambicia e vendeve anëtare për të bashkëpunuar në çështje të ndryshme.

Do të ishte muaji mars i këtij viti, kur ministrat e punëve të Jashtme do të hidhnin bazat e një selie të përgjithshme komanduese ushtarake për BE-në, duke parashikuar nisjen e centralizimit të komandimit të disa misioneve të jashtme që në pranverën e këtij viti.

Për çfarë do të shërbejë kjo seli e përgjithshme operimi ?

Kjo strukturë, do të jetë e ngarkuar të përgatisë, pra të planifikojë dhe të komandojë misionet ushtarake jo-ekzekutive* të Bashkimit Evropian, në nivel strategjik-politik. Aktualisht BE, ka tre misione në Afrikë dhe që kanë të bëjnë me formimin e ushtarakëve lokalë, në Somali, në Mali dhe në Afrikën Qendrore. Çdo mision rigrupon rreth 200 persona dhe në total përllogariten të jenë rreth 700-800 ushtarakë, që do t’i bashkëngjiten komandimit të ri operacional. Arsyeja në thelb lidhet me nevojën e krijimit të një strukture në nivelin strategjik-politik, të ndërlidhur me nivelin teknik (terreni, forca, misioni), pasi aktualisht strukturat që luajnë rolin e ndërlidhësit, nuk kanë kapacitet t’i përgjigjen ushtarakisht të gjithë kërkesave, që vijnë nga terreni dhe që prekin çështje specifike të fushës ushtarake.

I ndërgjegjshëm për mungesën në rritje të stabilitetit në rajonet që e rrethojnë dhe përballë një presidenti të ri amerikan, që iu kërkon evropianëve të shpenzojnë më shumë për ushtritë e tyre, BE, kërkon të përforcojë bashkëpunimin mes vendeve të tij anëtare në fushën e mbrojtjes. Brukseli shikon gjithashtu një mënyrë për të mbështetur më mirë industritë evropiane në këtë sektor.

Marrëveshja, për të arritur dhe finalizuar këtë hap modest, u krye në sfondin e referendumit britanik që bëri të mundur dhe fshirjen e vetos britanike, por sigurisht edhe në kontekstin gjeopolitik rajonal dhe ndërkombëtar, duke mos anashkaluar edhe arsyet e brendshme.  Ndërsa ideja për krijimin e një strukture të përhershme ushtarake, nga ku do të mund të komandohen operacione ushtarake, e mbështetur kjo nga Franca, Spanja, Italia, etj, do të jetë faza e mëtejshme e avancimit në fushën e Mbrojtjes dhe të Sigurisë. Fazë, që pritet të konkretizohet vetëm pas bilancit të parë të .vënies në jetë dhe funksionimit të strukturës aktuale komanduese

Im.Ta.

DITA

 

 

*Misione, që kryen BE pa ushtruar funksione sovrane në vendin në fjalë (mbajtja e rendit, kontrolli i rrugëve publike, interceptimi i prishësve të rendit, mbrojtja e popullatave, goditje zjarri për neutralizimin e kundërshtarëve, etj), që në rendin aktual ndërkombëtar nuk mund të autorizohen veçse nëpërmjet një rezolute të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, kap VII.

Share This Article