Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me shpërthimin në Mançester, ku humbën jetën 22 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.
“Të shokuar nga lajmi i tmerrshëm për një sulm të dyshuar terrorist në Mançester. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për popullin britanik. Qëndrojmë të bashkuar”, thuhet në profilin e MPJ në Twitter.
Edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur “hidhërimin e thellë” për viktimat e pafajshme dhe të plagosurit e shumtë të aktit terrorist të ndodhur mbrëmë në Arenën e Mançesterit, në Britaninë e Madhe.
“Presidenti Nishani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave dhe autoriteteve britanike, ndërsa të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Duke shprehur solidaritetin e tij me qytetarët, kreu i shtetit i ka dënuar me forcë këto “akte mizore” dhe nxitësit e tyre, duke theksuar se terrorizmi nuk do të arrijë t’i mposhtë e gjunjëzojë vendet dhe shoqëritë e lira.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi mbrëmjen e së hënës në “Manchester Arena”, ku ishte duke u mbajtur koncerti i këngëtares Ariana Grande.
Edhe Partia Demokratike e ka dënuar “me forcë” sulmin terrorist të mbremshëm në Arenën e Mancesterit, ku gjeten vdekjen 22 njerëz të pafajshëm dhe 59 të tjerë u plagosen.
“Ky akt terrorist i shëmtuar dhe brutal është një tjetër shembull se si barbaria e terrorizmit cënon jetën e qytetarëve të pafajshëm në mbarë botën”, thuhet në një deklaratë.
Partia Demokratike shprehet se, qëndron në krah të popullit të Britanisë së Madhe për të kapërcyer këtë fatkeqësi dhe për të luftuar edhe më ashpër terrorizmin botëror.
“Mendjet dhe lutjet tona janë sot me familjet e viktimave dhe solidariteti ynë njerezor dhe politik me aleatin tonë të çmuar, Mbretërinë e Bashkuar”, përfundon njoftimi.
