Partia Demokratike arriti marrëveshje me 5 nga aleatët e saj për zgjedhjet e 25 Qershorit. Bie në sy lënia jashtë e Kreshnik Spahiut nga listat e Partisë Demokratike, ndryshe nga ç’është vepruar me aleatët e tjerë.
Me Fatmir Mediun, negociatat kanë qenë të vështira, por duket se në fund Mediu ka pranuar të futet në listat e PD dhe ndërkohë partia e tij të garojë vetëm në zgjedhje. Të njëjtën zgjedhje ka bërë edhe Vangjel Dule, në Vlorë, Dash Shehi në Tiranë, Nard Ndoka në Shkodër dhe Agron Duka në Durrës.
Pasi ka zgjidhur dilemat me aleatët, Basha po shqyrton emrat e kandidatëve për deputetë të PD-së. Prej dy ditësh ai qëndron në zyrën e tij, ku po zhvillon takimet me aleatët dhe demokratët.
Pas regjistrimit në KQZ, kreu republikan, Fatmir Mediu zhvilloi dy takime me Lulzim Bashën në përpjekje për të gjetur një kompromis mes dy aleatëve opozitarë.
Takimi i parë zgjati rreth 30 minuta, por nuk prodhoi asgjë, por takimi i dytë rezultoi me sukses, pasi palët arritën marrëveshjen.
Kërkesë e Mediut ishte përfshirja e 3 deputeteve të PR në zonë të sigurt të listave të PD, konkretisht në qarqet Tiranë, Vlorë dhe Fier.
Por një gjë e tillë nuk u pranua herën e parë, ndërsa në takimin e dytë u arrit marrëveshja, por nuk dihet përmbajtja e saktë e marrëveshjes.
E njëjta gjë është edhe për aleatin tjetër, Agron Dukën e PAA. Përsa i përket aleatëve të tjerë, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Nard Ndoka i PDK-së do të jenë përkatësisht i pari në Qarkun e Tiranës dhe i dyti në atë të Shkodrës, Vangjel Dule në Vlorë.
