Erdogan: “Tani mjaft, nuk ka më tolerancë!”

anazapta

Stamboll, policia hyri në parkun “Gezi” dhe largoi me forcë grupet që qëndronin në shesh që nga 30 maji. “Çështja është e mbyllur, me justifikimin e mbrojtjes së parkut po i bëhet atentat ekonomisë turke”, u shpreh kryeministri turk në një fjalim para parlamentit. Menjëherë më pas rifilluan përleshjet në sheshin “Taksim” ku pati më shumë se 100 të plagosur

“Do t’i ç’rrënjosim pemët e parkut Gezi dhe do t’i mbjellim diku tjetër. Çështja është e mbyllur. Manifestuesit të tërhiqen nga parku. Nuk do të tregohemi më tolerantë. Me pretekstin e mbrojtjes së parkut po luhet një lojë më e madhe”, me këto fjalë të shqiptuara para grupit parlamentar të partisë së tij AKP, kryeministri Erdogan, theu iluzionin e qetësimit të situatës deri në arritjen e një zgjidhjeje të kënaqshme midis qeverisë me frymë islamike dhe qindra-mijëra manifestuesve që protestojnë prej dy javësh nëpër sheshet dhe rrugët e Turqisë.

Iluzioni zgjati vetëm 24-orë nga njoftimi i së hënës për një takim midis kryeministrit dhe një delegacioni manifestuesish. Ajo që ndodhi ishte largimi me dhunë i protestuesve nga sheshi “Taksim”, i cili pasoi me deklaratën e Erdoganit mbi vijimin e planeve urbanistike. Fjalimi i tij sapo kishte përfunduar, kur në parkun “Gezi” rifilluan përplasjet midis qytetarëve që qëndronin aty prej ditësh dhe policisë që arriti të futej në park.

Aksioni autoritar i qeverisë e shtyu liderin e partisë së opozitës, CHP, Kemal Kilicdaroglu, ta etiketojë Erdoganin si një “diktator”. “Të rinjtë që manifestojnë në vend duan një demkraci të klasit të parë”, pohoi Kilicdaroglu para deputetëve të tij.

Nga ana e tij, kryeministri i cilësoi manifestuesit si “të marrë dhe provokatorë”. “Më vjen keq që njerëzit thonë se po veproj me shumë forcë, por ky është roli i një kryeministri në vendin e tij. 95% e protestuesve në sheshin “Taksim”, më parë as nuk e njihnin atë shesh”, tha Erdogan.

Sipas shoqatës së mjekëve turq, rreth 5 mijë persona janë shtruar në spitale deri më tani për plagët e marra gjatë përleshjeve, ndërsa është konfirmuar zyrtarisht se personat që kanë humbur jetën janë katër civilë dhe një polic.

Plan për të shkatërruar ekonominë

“Ka një tentativë për të shkatërruar ekonominë dhe tregun tonë të aksioneve, për të prishur imazhin e vendit në nivel ndërkombëtar”, akuzoi kryeministri. Mësohet se GDP-ja e Turqisë, e cila që nga viti 2001 ka pësuar një rritje me mbi 8% në një skenar global krize. Në tremujorin e parë të këtij viti ajo u rrit me 3%, ndërsa ekonomistët parashikonin një rritje prej 2% në bazë vjetore.

Megjithatë që pas trazirave ka pasur një tërheqje të kapitaleve të investuara nga jashtë. Bursa në Stamboll humbi më shumë se 10% në një javë, duke djegur 1 miliard dollarë. Banka Qendrore, ndërhyri në mbështetje të lirës, e cila ka rënë në nivele edhe më të ulëta në krahasim me dollarin nga tetori i vitit 2011.

Sipas kryeministrit është i pavend argumenti i një proteste në mbrojtje të demokracisë: “ Liria dhe ndërhyrjet në stilin e jetës janë vetëm justifikime të përdorura nga manifestuesit. 80% e hoteleve në sheshin “Taksim” janë boshatisur dhe dyqanet vuajnë humbje të mëdha. E morëm Turqinë në dorë në rrethana të vështira dhe kemi arritur ndryshime të mëdha. Standardet e lirisë dhe demokracisë që kemi sot, nuk i kishim as në ëndërr 10 vjet më parë”.

Pas tre orësh përleshjesh, agjentët zhvendosën strishat e demonstruesve dhe i zëvendësuan ato me një bandierë të madhe kombëtare dhe një portret të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë republikane. Policia veproi me forcë duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji edhe në Ankara, në lagjen Tunali, ku ishin mbledhur të paktën 5 mijë persona./Dorina Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *