Drejtësia në vendet evropiane 

redaktor

Si perceptohet drejtësia në vendet evropiane nga kompanitë në sektorin ekonomik dhe cila është arsyeja e këtij perceptimi ? Ky është thelbi i një prej sondazheve të fundit të Eurobarometer (EB-447) i kërkuar nga Komisioni Evropian. Qëllimi, lidhet me vëzhgimin e cilësisë, të pavarësisë dhe të efikasitetit të sistemeve të drejtësisë në 28 vendet anëtare.

Interesante shfaqen të dhënat teksa, thuajse gjysma e kompanive të pyetura (49%) e klasifikojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë në vendin e tyre, si të mirë, duke iu referuar pavarësisë së gjykatave dhe të gjyqtarëve.

Një ndër dhjetë kompani, mendon se sistemi i drejtësisë është shumë i mirë (8%) ndërsa 41% e konsiderojnë mjaftueshëm të mirë. Vetëm 1/3 e tyre, e vlerësojnë këtë sistem në vendin e tyre si të keq (37%), nga ku spikasin kompanitë italiane ku 24% e tyre e vlerësojë si mjaftueshëm të keq dhe 13% e vlerësojnë si shumë të keq.

Në nivel kombëtar, proporcioni i kompanive që e vlerësojnë sistemin e tyre të drejtësisë si të mirë, ndryshon gjerësisht. Vëmendje tërheqin kompanitë në Danimarkë (86%), në Finlandë (85%), në Gjermani dhe në Luksemburg (73% secila) ku sistemin e drejtësisë e vlerësojnë si të mirë. Dhe në tërësi në 15 vende, shumica e kompanive mbartin një vlerësim të tillë.

Por, ka edhe gjashtë vende, ku shumica e kompanive e vlerësojnë sistemin e drejtësisë si të keq, gjithmonë të lidhur me pavarësinë e gjykatave dhe të gjyqtarëve: Kroacia (67%), Sllovakia (66%), Italia (63%), Bullgaria (61%), Spanja (59%) dhe Sllovenia (53%).

Cilat janë arsyet, që janë dhënë këto panorama vlerësimi nga kompanitë në BE-28 ?

Vlerësimet pozitive, lidhen me shpjegime konkrete ku kompanitë (më shumë se 3/4 e tyre) gjykojnë se statusi dhe pozicioni i gjyqtarëve garanton në mënyrë të mjaftueshme pavarësinë e tyre; thuajse 2/3 e kompanive vlerësojnë mungesën e ndërhyrjeve dhe të presioneve nga interesa ekonomikë apo interesa të tjera specifikë. Në një shumicë prej 63% ata konsiderojnë se mungesa e ndërhyrjeve apo presioneve nga qeveritë dhe politikanët e shpjegon vlerësimin e tyre pozitiv. Kompanitë në Holandë dhe Finlandë (91% secila) në Gjermani (85%) mendojnë në këtë mënyrë, ndërkohë që në Portugali ky nivel është vetëm në 36% dhe kompanitë shpjegojnë se kjo arsye nuk ka lidhje me vlerësimin e tyre pozitiv.

Vlerësimet negative, iu referohen pikërisht ndërhyrjeve ose presioneve nga qeveria dhe politikanët, ku më shumë se 3/4 e kompanive, pra 77% e tyre mendojnë se pavarësia e sistemit të drejtësisë në vendin e tyre është e keqe. Më shumë se 6/10 kompani, gjykon se ndërhyrja ose presioni nga qeveria dhe politikanët, shpjegon arsyen pse ata kanë një opinion negativ në lidhje me pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Kompanitë në Greqi (87%), në Bullgari (86%) dhe në Spanjë (85%) japin vlerësime negative, por proporcione të larta gjejmë edhe në Republikën Çeke (85%), Poloni (65%) apo edhe në Hungari (60%). Ndërkohë që ekstremi tjetër haset në Luksemburg (1%), Finlandë dhe në Holandë (secila me 3%), ku vetëm një përqindje thuajse e papërfillshme, mbart një opinion negativ mbi pavarësinë e sistemeve të drejtësisë.

Ndërkohë vlen për t’u theksuar se, edhe panorama e vlerësimit të sistemeve të drejtësisë, BE-28 (2017), që synon të ndihmojë autoritetet kombëtare për përmirësimin e efikasitetit të tyre, ka shfaqur të dhëna interesante. Në raport me analizat e mëparshme, synimi i skanimit të këtij viti do të lidhej me aspekte shtesë të funksionit të sistemeve të drejtësisë, siç janë qasja ndaj drejtësisë për konsumatorët dhe rrugët, që ata ndjekin në lidhje me procedurat e ankimit kundër ndërmarrjeve dhe kompanive. Për herë të parë, në të do të pasqyroheshin edhe të dhëna që lidhen me gjatësinë e procedurave penale kryesisht me ato vepra, që parashikojnë pastrimin e kapitaleve.

Komisioni Evropian do të vlerësonte gjithashtu një sërë arritjesh të vëzhguara në raport me vitin e kaluar, dhe që preknin kryesisht shkurtimin e kohës në procedimet civile dhe tregtare; zbatim efikas të së drejtës së konsumatorëve; analizë efikase e luftës kundër pastrimit të parave, nga ku siç edhe e kërkon direktiva evropiane në këtë fushë, shtetet anëtare për herë të parë kanë ofruar të dhëna në këtë fushë; si edhe një perceptim më i mirë apo i stabilizuar në lidhje me pavarësinë e drejtësisë nga një publik i madh evropian.

Por, kjo panoramë vlerësimi do të evidentonte edhe sfidat apo problematikat që do të preknin njëkohësisht fusha të tjera të ndjeshme siç janë: qasja e kufizuar në sistemin e drejtësisë për qytetarët me nivel të ulët të ardhurash, ku në disa vende anëtare këta qytetarë nuk përfitojnë asnjë lloj ndihme juridike për disa lloj ankimesh para gjykatave; si edhe ekzistencën e normave të cilësisë, ku edhe pse shumica e vendeve anëtare disponojnë norma, që fiksojnë afatet dhe kalendarët e çështjeve në gjykim me synim evitimin e procedurave shumë të zgjatura në drejtësi, në disa vende të tjera, ku sistemet e drejtësisë rezultojnë të jenë më pak efikase, situata nuk është aspak e ngjashme.

Thelbësore mbi të gjitha, në lidhje me objektivat evropianë, që shfaqen në këtë fushë, ngelet shkuarja në bllok drejt një sistemi drejtësie, ku qytetarët, ndërmarrjet dhe kompanitë të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. Një sistem drejtësie i pavarur dhe funksional, ngelet themeli i çdo demokracie dhe që ai të jetë i tillë duhet të ketë një raport të shkëlqyer ndërveprimi mes efikasitetit, cilësisë dhe pavarësisë.

Im.Ta.

DITA

Share This Article