Basha, sërish ftesë Ramës për dialog, sulmon edhe LSI: Mos e hidhni votën në gjol!

DITA Online

 

Partia Demokratike ka çelur sot fushatën zgjedhore në qytetin e Pogradecit, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha nuk i ka kursyer akuzat për qeverinë Rama, por nuk ka nguruar të sulmojë edhe LSI-në.

“Më 25 qershor është koha që ai i rrethuari nga flluskat e vizatimeve, batutave, estradave të ngrihet në ballonin ku jeton e të largohet nga pushteti, duke i hapur rrugë Republikës së Re. Largohu që t’i hapësh rrugë një kryeministri të thjeshtë për popullin e Pogradecit. Unë nuk do jem kryeministri i palmave, por i premtimeve dhe zgjidhjeve të halleve tuaja”, tha Basha.

Ai i bëri thirrje sërish kryeministrit Edi Rama të përballen në televizion.

“Mbrëmë e refuzoi debatin me mua. Pse e refuzon? Ka frikë? Unë nuk do ta sulmoj fizikisht. Çfarë frike ka? I dalin të palarat, se bilanc nuk ka, 300 mijë vende pune nuk i hapi, shëndetësinë e la në pikiatë. Nuk do debatin dhe e ka kthyer fushatën në shfaqje, vetëm me çështjet që iu interesojnë njerëzve nuk merret. Ndaj i them të mos ketë frikë, të përballet, thojani edhe ju kur të vijë këtu në Pogradec”,- tha kryedemokrati.

Ndërsa për të gjithë ata që votojnë për LSI-së ai tha se vota për këtë parti është si ta hedhësh në gjol.

“Kemi një tjetër parti politike që flet për timonin, kush e ka e kush do e marrë timonin, aty e kanë mendjen. Këtu në Pogradec ka dhjetëra e qindra qytetarë që LSI i përdori si klientë. Ta dinë që koha e klientelizmit ka marrë fund, kthehuni në shtëpinë tuaj, ejani në PD. Votat për LSI janë vota të hedhura në gjol, kthehuni në shtëpinë tuaj! Nuk do ketë më pazar, allishverishe. Ndëshkojeni Ramën me votë dhe mos i jepni asnjë votë partive të tjera të pazarit”,- këshilloi Basha.

 

Share This Article
1 Comment
  • Z Luli boll e shave LSI ne leri te shesin pallatet e ngritura ne Voloreke se kane kaq vjet qe therresin hajde blini me cmim te lire po aha…akoma jane bosh…
    Ne nje vend perle rreptesisht te ndaluar per ndertime .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *