Pas tërheqjes së SHBA-së, nga marrëveshja klimatike e Parisit, Kina dhe BE do të riafirmonin angazhimin e tyre, për zbatimin e marrëveshjes mbi ndryshimet klimatike. Si konsumatorë të mëdhenj të energjisë dhe importues të saj, palët do të konfirmonin gjithashtu rëndësinë për të inkurajuar bashkëpunimin e nevojshëm në politikat e tyre energjetike. Ndërkohë, Kina, BE dhe Kanadaja pritet të zhvillojnë në muajin shtator, një mbledhje të madhe ministrore, për të bërë të mundur avancimin dhe zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Parisit dhe të përshpejtojnë trancizionin e energjisë së pastër. Pra, shkuarjen drejt ekonomisë jeshile, përmes krijimit dhe vënies në zbatim të teknologjive, që do të bëjnë të mundur zvogëlimin e ndikimit të prodhimit aktual të energjisë në planet.
Por, teksa pritej nënshkrimi i një deklarate të përbashkët gjatë Samitit BE-Kinë, në Bruksel, palët duket se nuk kanë ranë dakord. Edhe pse, nënshkrimi i një deklarate mbart nuanca të rëndësishme simbolike, dhe kjo nuk zvogëlon aspak angazhimin e tyre ndaj zbatimit të marrëveshjes klimatike, problematika qëndron në fushën e tregtisë mes palëve. “Jemi të kënaqur të shohim që Kina ndan pakënaqësinë tonë në lidhje me vendimin amerikan. Mbi tema të tjera më të diskutueshme, ne kemi zvogëluar dallimet, por nuk ia kemi dalë akoma”, do të deklaronte Junker, në konferencën për shtyp të pas Samitit. Ndërsa presidenti kinez do të deklaronte problematikën konkrete, pa i rënë rrotull urës: “Ne kemi nënvizuar shqetësimin e Kinës në lidhje me atë se gjithkush duhet të vëzhgojë dhe të respektojë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. BE duhet të zbatojë dispozitat e nenit 15, për të dhënë një sinjal të qartë të respektimit të rregullave ndërkombëtare….”
Por, për çfarë bëhet fjalë konkretisht ? Çfarë rregullash ndërkombëtare nuk po zbaton BE ?
Që prej vitit 2001, Kina është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), por ajo nuk njihet si ekonomi tregu, nga asnjë prej partnerëve të saj kryesorë tregtarë. Pra, nuk e gëzon këtë status. Protokolli i aderimit të Kinës në OBT, autorizonte anëtarët e organizatës të mos ia akordonin statusin e ekonomisë së tregut, deri në dhjetor të vitit 2016.
Kina gjykon se, është në të drejtën e saj për të marrë automatikisht këtë status, pas përfundimit të afatit, që krijonte dispozita.
Por, BE heziton. Lobet e organizatave dhe të sindikatave të pronarëve, ia kanë përforcuar idenë Unionit Evropian, se nuk ka asnjë detyrim ligjor t’i japë automatikisht Kinës këtë status, me skadimin e afatit, që krijonte dispozita.
Një sërë analizash ekonomike por edhe juridike, vlerësojnë se nëse BE, do të vendosë ta konsiderojë Kinën si ekonomi tregu, pasoja negative të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, do të ndjehen në nivelin e investimeve dhe të krijimeve të vendeve të punës në gjirin e BE-së. Industritë kryesore evropiane, do të përballen në mënyrë të pashmangshme me praktika tregtare të pandershme, fluksi masiv i importeve me kosto shumë të ulët, mund të deformojë trafikun aktual në fushën e importeve, efikasiteti i sistemit të mbrojtjes tregtare të BE-së, do të komprometohet dhe tregu evropian do të ekspozohet ndaj dumpingut pa kufi të Kinës. Studime ekonomike theksojnë gjithashtu se, rritja e importeve pas akordimit të statusit Kinës, do të zvogëlojë prodhimin e BE-së në 114,1 miliardë euro nga 228 miliardë në vit, pra një ulje me 1 deri në 2% të PBB, çka do të përkthehet në humbje nga 1,7 milionë deri në 3,5 milionë vende pune të mundshme sa i përket ndërmarrjeve konkurruese në fushën e importimeve.
Ndërkohë, përballë hezitimeve të pashmangshme BE ka hapur një shteg. Unioni, ka përpiluar 5 kritere teknike, që lejojnë përkufizimin e një ekonomie tregu dhe që synojnë të përcaktojnë nëse kushtet ekonomike të vendit në fjalë kanë evoluar. Pra, Kina duhet të tregojë mes këtyre 5 kritereve se: ka një shkallë të dobët të influencës qeveritare në alokimin e burimeve dhe në vendimet e ndërmarrjeve; se nuk ekzistojnë deformime me origjinë shtetërore që lidhen me privatizimet mbi operimet e ndërmarrjeve dhe se nuk përdor sistemet e kompensimit; se ekziston dhe zbatohet e drejta e shoqërive transparente dhe jo diskriminuese, që mundëson një qeverisje të përshtatshme të ndërmarrjeve (përdorimi i normave ndërkombëtare të kontabilitetit, mbrojtje të aksionarëve, vënien në dispozicion të publikut të informacioneve të besueshme mbi shoqëritë, ndërmarrjet apo korporatat); ka një ekzistencë dhe zbatim të ligjeve në mënyrë koherente, efikase dhe transparente duke siguruar respektimin e të drejtave të pronës dhe mirë-funksionimin e regjimit të falimentimit; si edhe ekzistencën e një sektori financiar autonom, që vepron në mënyrë të pavarur nga shteti dhe të jetë objekt, në ligj dhe në praktikë, i detyrimeve dhe i garancive të mjaftueshme dhe i një mbikëqyrjeje adekuate.
Në këtë situatë, BE heziton t’i njohë Kinës statusin e ekonomisë së tregut, duke u përpjekur ndërkohë që të krijojë hapësira manovrimi për shfrytëzimin e mekanizmave të ndryshëm, instrumenteve dhe legjislacioneve, që mund ta mbrojnë atë në fushën e tregtisë. Samiti i fundit, përveç angazhimit kryesor në lidhje me Marrëveshjen klimatike të Parisit, do të njihte edhe nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh të tjera mes palëve. Bashkëpunimi BE-Kinë sigurisht që do të vazhdojë, por me rezerva nga palët për sa kohë nuk ka tërheqje nga pozicionimet, që prekin thellësisht fushat përkatëse të interesit.
Im.Ta.
DITA
