Me kalimin e moshës kockat fillojnë të dobësohen duke favorizuar shfaqjen e sëmundjes së osteoporozës. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, ndërlikimet e kësaj sëmundje nuk mund të shmangen, por mund të parandalohen, ose të minimizohen. Konkretisht osteoporoza ul densitetin kockor duke e reduktuar atë në mënyrë graduale. Nën veprimin e kësaj sëmundje kockat bëhen më poroze, çka shton rrezikun për fraktura, deformime, e deri në stade më të rënduara siç është invalidizimi i kockave. Ajo që konsiderohet si më shqetësues, është fakti në pjesën dërrmuese të rasteve sëmundja shfaqet në forma të heshtura (ndërkohë që mund të ketë nisur që në moshë të re). Situatë kjo që e bën sëmundjen të përhapet me shpejtësi, duke mos u shoqëruar me shenja të dukshme, deri në çastet kur shfaqet edhe fraktura e parë, apo deformimet e dukshme. Sa i takon përhapjes, ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se osteoporoza rrezikon të dyja gjinitë. Ndërkohë që më së shumti shfaqet tek femrat, ku për shumicën e tyre rritja e humbjes së masës kockore fillon pas menopauzës, kur nivelet e estrogjenit bien ndjeshëm. Për të zbutur pasojat e kësaj sëmundje duhet të jemi shumë të kujdesshëm me stilin e jetesës apo ushqimet që konsumojnë gjatë ditës. Këto janë sjellë që luajnë një rol vendimtar në rëndimin e kësaj sëmundje. Sipas ISHP-së, 9 faktorët më të shpeshtë që çojnë në përparimin e kësaj sëmundje janë :” Mosha, gjinia, menopauza, historia familjare, pesha e ulët trupore, marrja e pamjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D, mungesa e aktiviteteve fizike, kequshqyerja dhe pirja e tepruar e alkoolit”. Njerëzit të cilët kanë pasur një ose më shumë thyerje kockash mund të kenë osteoporozë dhe nuk e dinë as vetë. Për të vendosur diagnozën e osteoporozës bëhen disa lloje ekzaminimesh ku nder me kryesoret janë: testi i densitetit kockor, niveli kalciumit në gjak e urinë, nivelet e hormoneve parathyroid, nivelet e testosteronit te burrat, etj. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar shpjegimin e plotë që bëjnë specialistët e ISHP-së mbi ndikimin që ka secili faktor në nxitjen e sëmundjeve të kockave.
Mosha
Konkretisht mosha është një faktor risku për osteoporozën. Ajo mund të shfaqet në njerëz të të gjitha moshave, por është shumë më e zakonshme në të moshuarit se te të rinjtë. Arsyeja është se me kalimin e moshës trupi zvogëlon mundësinë për thithjen e kalciumit.
Gjinia
Rreziku i një gruaje për të bërë frakturë për shkak të osteoporozës është më e madh se tek meshkujt. Gratë kanë kockë më të hollë se meshkujt e shumë prej tyre humbasin kockë më shpejt pas menopauzës. Gati 1 në 2 gra mbi 50 vjeç do të pësojë një frakturë për shkak të osteoporozës. Menopauza
Hormoni estrogjen tek gratë, mbron kockat. Pas menopauzës kur nivelet e estrogjenit bien ndjeshëm, rritet humbja e masës kockore. Nëse një femër shkon në menopauzë më herët, rreziku për osteoporozë rritet. Kjo ndodh edhe nëse një femër ka hequr vezoret, për shkak se vezoret prodhojnë estrogjen.
Historia familjare
Po ashtu studimet kanë treguar se trashëgimia luan një rol të madh në shfaqjen e osteoporozës dhe thyerjen e kockave. Nëse njëri prej prindërve ka osteoporozë ose një histori të kockave të thyera, ka më shumë gjasa për osteoporozë dhe thyerje kockash. Gjithashtu, nëse një nga prindërit ka pasur një humbje të dukshme në lartësi ose një shpinë të lakuar përpara, ka më shumë mundësi që edhe pasardhësit të kenë të njëjtën gjë.
Pesha e ulët trupore
Gratë dhe burrat me kocka të vogla kanë më shumë gjasa se njerëzit e tjerë të kenë osteoporozë. Por kjo nuk do të thotë njerëzit me masë të madhe trupore nuk mund të vuajnë nga osteoporoza.
Marrja e pamjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D nëpërmjet ushqimit.
Kalciumi është një mineral i rëndësishëm për eshtra të shëndetshme. Vitamina D është e rëndësishme sepse ajo ndihmon përthithjen dhe përdorimin e kalciumit prej organizmit. Nëse nuk merret në sasi të mjaftueshme vitaminë D, ose në qoftë se trupi nuk e thith atë mirë, personi është në rrezik shumë të madh për humbjen e masës kockore dhe shfaqjen e osteoporozës. Përveç kalciumit dhe vitaminës D, për shëndetin e kockave janë të rëndësishme edhe magnezi, kalium dhe vitaminë K. Njerëzit që kanë çrregullime gastrointestinale kanë probleme me thithjen e vitaminave e mineraleve në organizmin e tyre dhe janë të prirur për osteoporozë.
Përdorimi i tepruar i natriumit dhe proteinave
Marrja e tepruar e natriumit, proteinave dhe kafeinës-dietat që kanë përqindje të larta të proteinave shtazore, natrium dhe kafeinë mund të shkaktojë humbje të kalciumit nga organizmi. Ushqimi sigurisht duhet të ketë sasinë e mjaftueshme të proteinave, megjithatë është e rëndësishme për shëndetin e kockave që marrja e tyre mos të jetë mbi normat. Studimet tregojnë se humbja e eshtrave mund të ndodhë tek njerëzit që hanë sasi të mëdha ushqimesh që përmbajnë proteina dhe tek ata që pinë rregullisht kafe.
Mënyra e joaktive e jetesës
Njerëzit të cilët janë inaktive ose nuk ushtrojnë asnjë sport janë në rrezik të lartë për osteoporozën. Ushtrimet fizike ndihmojnë për të mbajtur kockat të forta.
Pirja e duhanit dhe alkoolit
Pirja e duhanit është e dëmshme për kockat në shumë mënyra. Kimikatet në cigare janë të dëmshme për qelizat kockore. Pirja e duhanit gjithashtu mund të vështirësojë absorbimin e kalciumit. Te gratë, pirja e duhanit pengon efektin mbrojtës të estrogjenit në mbrojtjen e kockave. Gjithashtu edhe pijet alkoolike mund të zvogëlojë formimin e kockave mbasi pengohet thithja e kalciumit.
ISHP: këshillat për mbajtjen e kockave të shëndetshme
Nëse janë prezente disa nga faktorët e riskut të përmendur më lart duhet të ndërmerren disa masa për të parandaluar riskun për osteoporozë dhe fraktura. Disa nga masat janë:
Ushqehu shëndetshëm
Duhet konsumuar mjaft fruta dhe perime. Studimet kanë treguar se nëpërmjet ushqyerjes me një dietë të ekuilibruar, të pasur në fruta dhe perime, mund të sigurohen mjaft element ushqyes të nevojshme për kocka të shëndetshme. Ekspertët rekomandojnë multivitamina ose suplementë të tjerë për njerëzit të cilët nuk marrin mjaftueshëm minerale dhe vitamina nga ushqimet. Kjo përfshin njerëzit që kanë çrregullime gastrointestinale që kanë probleme me thithjen e vitaminave dhe mineraleve në organizmin e tyre. Marrja e tepruar e natriumit, proteinave dhe kafeinës mund të shkaktojë humbje të kalciumit, prandaj është e rëndësishme për shëndetin e kockave që marrja e tyre mos të jetë mbi normat.
Përfshi kalciumin në dietë
Moshat mbi 50 vjeç, kanë nevojë për 1200 mg kalcium çdo ditë. Marrja e ushqimeve të pasura me kalcium është esenciale për përmirësimin e shëndetit të kockave duke filluar që në fëmijëri ose adoleshencë. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e nënproduktet e tij (kos, djath), peshku e produktet e tjera të detit, fasulet, brokoli dhe zarzavatet e tjera si dhe frutat e thata (fiq, fara luledielli, etj). Preferohet që kalciumi të merret me ushqimin e përditshëm, por ndonjëherë është e nevojshme marrja e tij në formë suplementi.
Merr mjaftueshëm vitaminën D
Një sasi e mjaftueshme vitamine D është shumë e rëndësishme për kocka të shëndetshme mbasi kalciumi nuk përthithet lehtë nga organizmi pa ndihmën e vitaminës D. Burimi kryesor i kësaj vitamine është drita e diellit. Burim i rëndësishëm për vitaminën D është dhe ushqimi, ku qumështi e peshku janë më të pasur. Rekomandohet që të gjithë njerëzit mbi moshën 50 vjeç të konsumojnë 500 mL (2 gota/filxhan çaji) qumësht çdo ditë, për të plotësuar nevojat ditore të saj. Njerëzit të cilët nuk pinë qumësht dhe ata mbi 50 vjeç, kanë nevojë për të marrë një suplement ditor të vitaminës D prej 400 ml, sigurisht nën këshillat e mjekut. Kjo është e nevojshme sidomos gjatë periudhës së dimrit kur dielli nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar vitaminën D. Kapaciteti i lëkurës për të prodhuar vitaminën D gjithashtu reduktohet me kalimin e moshës.
Ji aktiv çdo ditë
Kockat bëhen më të forta me rritjen e aktivitetit fizik. Përfshirja e aktivitetit fizik në rutinën e përditshme përbën një nga hapat më të rëndësishëm të parandalimit të osteoporozës dhe parandalon frakturat. Këshillohet që të kryeni rregullisht të paktën 30 minuta ushtrime në ditë për të shmangur problemet me osteoporozën. Ecni në ajër të pastër, vallëzoni, bëni vrap, ecje, aerobi, volejboll, basketboll, tenis, etj. Alternojini këto me njëra tjetrën.
Kujdes me duhanin dhe alkoolin
Pirja e duhanit vështirëson absorbimin e kalciumit, shpejton rënien e densitetit kockor dhe favorizon frakturat. Nuk është asnjëherë vonë të përfitosh nga lënia e duhanit.
Parandalo rrëzimet
Nëse jeni diagnostikuar me osteoporozë, ose keni disa nga faktorët e riskut, parandalimi i rrëzimeve është veçanërisht i rëndësishëm. Mbaj këpucë që të japin mbështetje në ecje. Ki kujdes gjatë ecjes, kontrollo rrugën kur kalon në trotuare, dysheme. Mos nxito kur kryen veprime. Zvogëlo rrezikun e aksidenteve në shtëpi duke e bërë atë të sigurt.
Si trajtohet Osteoporoza?
Osteoporoza nuk është e shërueshme, por ajo mund të trajtohet. Edhe pse nuk ka shërim për osteoporozën, ka hapa që mund të ndërmerren për të parandaluar, ngadalësuar ose ndaluar përparimin e saj. Mjekimi është specifik për çdo rast. Kur zgjidhet trajtimi medikamentoz për osteoporozën merren në konsideratë një sërë faktorësh si: seksi (disa preparate përmbajnë hormone), mosha (disa janë më të përshtatshme për moshat e reja), niveli i humbjes së masës kockore, problemet e tjera shëndetësore që mund të ketë personi (nëse ka pasur kancer gjiri ose mpiksje gjaku nuk duhet të marrë estrogjen), preferencat personale (e preferon lëng, pilul, spray nazal apo injeksion-e dëshiron ta përdor ilaçin çdo ditë, 1 herë në javë, 1 herë në muaj, një apo disa herë në vit etj.

cjan keto gjerAA KOti mOO
steoporoza shfaqet tek seksi femer mbas mbarimit te ciklit te periodave .Aty fillon dhe hollimi i kockave .Mundohuni te merrni vitaminen D,ose multivitaminen ,te hani me shume djathra te verdhe si djath kackavall,(american chesse) kos dhe te pini qumesht por,po u shfaq kjo semundje mund te merrenilace qumeshti nuk e bene shume efekt ……prandaj ushqeni femijet me qumesht gjiri dhe u jepni 3 gota ne dite patjeter .flm