Mëmëzonjat – modelet që na udhëhoqën në jetë

Ornela

Për librin “ATO QË KAPËRCYEN YLBERIN” të Fatmira Lazaj Milori, në nderim të nënave dhe të bijav të Golëmit të Kurveleshit

 Në ditët tona, lexuesit rrallë i bie në dorë ndonjë libër i mirë, edhe kur shkruhen nga ustallarë të penës, e jo më nga njerëz të zakonshëm.

Por nga të mirët është libri që citohet, jo i një shkrimtare a poete, por një gruaje të thjeshtë, bijë Golëmi e nuse në Progonat të Kurveleshit, me profesion ekonomiste e lartë, libër që përbën një risi të veçantë. Jam bafasuar e njëherazi i mrekulluar, jo thjesht si bir i Golëmit, ku gjej të përshkruar plot ngjyra vezulluese vendlindjen dhe gjithë farefisin golëmas, gra e burra në kohëra e deri në ditët e sotme, por për tematikën e larmishme, origjinalitetin e motiveve, shumëllojshme e mbresave e kujtimeve, sidomos për nivelin artistik të shprehjes, gati poetik, të figurave letrare, metaforave, një arritje që të mbërthen në secilën faqe e të detyron të mos e shqitës nga dora deri sa ta mbarosh.

Sidomos brezat e sotëm golëmas, pse jo dhe fqinjë, të Kurveleshit e të Labërisë, që e kanë përjetuar kohën, kanë dëgjuar apo më së shumti njohur shumë nga personazhet objekt i këtij libri, ndjen emocione të forta të një udhëtimi mbresëlënës nëpër vendlindje, përjetime në ngjarje të shumta, luftra, dasma, këngë e vaje, çmallesh me tërë ata burra e gra, të rinj e të reja,  dhe të gjitha këto i japin këtij udhëtimi fluturues e të përmalluar gjithë bukuritë e mirësitë e shuarjes së mallit, e që në fakt i ngjan një burimi gurgullues që nuk ngopesh së shijuari gjithë freskinë, kthjelltësinë dhe shijen e shëndetshme e të papërsëritshme.

Mëmëzonjat- modelet që na udhëhoqën në jetë

Qysh në krye autorja, natyrshëm, shënon zgjedhjen kuptim plotë që buron prej shpirtit të vet, se librin ia kushton si bijë, Nënë Pashakos, dhe si nënë, bijës së saj Anës. Askush më shumë se bija mund të shkruajë atë që është e vërtetë, e ndjeshme e njerëzore, e madhështore për Nënën, dhe po ashtu nëna për të bijën.”Ka një qënie, më e mira në botë- shkruan N.Ostrovski, – së cilës i jemi kurdoherë borxhlinj, kjo është NËNA”. Autorja, pavarësisht këtij dedikimi, e tejkalon atë , në fakt, libri u dedikohet më shumë se kaq, ku shprehet se ”… ia kushton dashurisë për gjysmën e botës, më të mirën e saj, jo vetëm që lindin jetë, por dhe se lëvizin dhe ingranazhet e saj, e bëjnë të ecë përpara, pikërisht gjysheve e mëmave tona, MËMËZONJAVE”.

Në libër gjejmë të mishëruar dashurinë dhe mirënjohjen e pakufishme për gjyshet e mëmat tona, që na lindën e rritën dhe na ushqyen dashurinë për jetën e njerëzit. “Le t’i thurim lavdi gruas- NËNË,-arsyeton Maksim Gorki- dashuria e së cilës nuk ka kufi, gjiri i së cilës ushqen gjithë botën! Çdo gjë e bukur që gjëndet te njeriu, është krijuar nga rrezet e diellit dhe qumështi i Nënës, – ja pra, se ç’gjë na ushqen dashurinë për jetën”

Me portretizimin e tyre, autorja na i “ringjall”, me plot ngjyra e dritë:  “Ato vinin drejt nesh, të heshtura, burrërore, të matura në vendimmarrje, guximtare, nikoqire, bamirëse e mirënjohëse, sorks dhe mali,…që na rritën me përkushtim e sakrifica, që u bënë modeli i udhëheqjes tonë në jetë. Mëmëzonjat nuk i bëri të tilla një mantel i hedhur krahëve, as ua shtuan bukuritë bizhutë e stolisura, as parfumet, që moshataret e tyre përdornin. Ato i bëri fisnikëria e tyre në të mësuar e vepruar.

Nuk pati stuhi a tragjedi, që t’i përkulte. Qëndruan  krenare e burrëresha përpara tyre….Kur mendoje se do të binin, ato atëherë ngriheshin si shqiponja në furtunë. Ato i kanë rrënjët thellë, shkruar me fije ari, në çdo mal, kodër, bregore. Golëmit i bëjnë hije brez pas brezi… Ato lindën e rritën djem dhe vajza bandille, të pushkës e të penës…Ato janë në heshtjen e përjetësisë me HYJNOREN, sepse HYJNORJA i lindi të tilla dhe i mban në gjirin e saj. Na presin e përcjellin me bekim perëndie.

Mëmëzonjat, me personalitetin dinjitoz të tyre, me prezencën gjithë sharm i bënin burrat, cilitdo të ishin ata, të silleshin si zotërinj të vërtetë përpara tyre…”. Por Fatmira na sjell jo vetëm historinë në kohëra, por edhe bëmat e portretin e tyre që nga lashtësia e deri sot.

Ajo ka meritën e veçantë, është e para bijë golëmase që jep kontributin e saj të çmuar për këtë çështje kapitale të historisë në breza të vendlindjes, krahinës e më gjerë. Vlen të theksohet edhe shtresëzimi në kohë i mëmëmirave, ku në krye janë ato që e gjithë jeta u shkoi në luftë, në vuajtje e sakrifica, dhe kurrë nuk u ankuan për fatin, që u kish pllakosur koha, e lidhën këtë fat me atë të burrave dhe të fëmijëve të tyre.

Ato ishin kurdoherë pranë burrave në luftë, i furnizonin e u mjekonin plagët, e nga ana tjetër do mbanin në shpinë edhe peshën e familjes, të shtëpisë e katandisë. Nuk ka rëndësi numri i portreteve që përshkruan, por zgjedhja e tyre, nga të gjitha fiset e mëhallet, në kohë të ndryshme e me tipare e karakteristika të veçanta e bëjnë mjaft tërheqës këtë libër, që në fakt është sa Golëmi në miniaturë, i gjallë e në lëvizje, edhe një enciklopedi e vogël, që i bën nder çdo shtëpie golemase e më gjerë.

Në shtresësën e dytë radhit Mëmëzonjat, që lindën e jetuan shumë kohë luftën dhe pasojat e saj, por jetuan e gëzuan edhe pak kohë në paqe. Të fundit janë Mëmëzonjat që lindën në liri, ku shumica për shkak të prapambetjes ekonomike e kulturore, u fejuan e u martuan shpejt, ndërsa një pjesë, sidomos në kohët e vona, u shkolluan, i quan” bijat që kërkuan dije” ,mësuan, punuan, krijuan familje,u bënë nuse, nënë dhe gjyshe të mira. Midis tyre shquhet mjekja e talentuar, kirurgia duarartë, e njohur në mbarë krahinat e Shqipërisë, nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”,  Dr. Rushen Golemi.

Ajo është prezente në Mëmëzonjat, që nderon Golëmin, rrënjët e fisit të saj të shquar, nderon dhe gjithë vendin. Secilat nga këto Mëmëzonja, dalë nga mademi i çmuar golëmas, mban edhe vulën e kohës, në tipare, virtyte, dashuri, fisnikëri, përkushtim. Veçanërisht në dy të parat, shprehen sakrificat e mëdha, për të rritur fëmijë në vend të sertë e të ashpër siç është Golëmi, sidomos në kohë lufte, ku midis malesh,edhe uji ishte si me pikatore. Më e e rëndë ishte të rritje fëmijë pa baba, ku burrat “i hëngri” jatagani e arma e të huajit. Shtoju këtyre dhe kurbetin e sëmundjet gjithëpërfshirëse. Pra, qe kohë, që siç shkruan ajo “ Vdekja kish marrë në dorë pushtetin e po bënte kërdinë duke marrë jetë njerëzish”.

Autorja e nis që nga mesjeta ku portretizon Marien, Donikën e Angjelinën e më pas Nuron, Xhikë e Shoshe që lindi Çelo Picarin, Sorka që lindi kryetrimin e bilbilenjve Bilbil Shakon, Hatikën që lindi Hodo bej Nivicën, e me radhë nënat që lindën Çobo Golëmi e Dr. Bilal Golëmi, mjekun veterinar me famë botërore, deri edhe të kohëve që jetuan,që  lindën ata 22 bij e bija që dhanë jenët për lirinë e Shqipërisë  dhe nga këta disa në lulen e djalërisë, 15-18 vjeçare, si Sulo Hysi, Sadush Çunaj e Mejdi Taka, Xhevrie Golemi etj.

Kur tregonin ngjarje të luftës Mëmëzonjat, uronin: Mos shikofshi kurrë luftë me sy!  Ja, Fatmira,  i lutet Gjyshes t’i tregojë ngjarje nga lufta, pavarësisht se mëson nga librat në shkollë, dhe Teto Minushja ia pret: “E mëson në libra në shkollë, the?! Ku e marrin librat e tua gjithë atë luftë!”  Ç’thënie palipdar! Ashtu si librat nuk nxënë luftën, po ashtu ato nuk nxënë as historinë, as kontributin e pazakontë në luftë e në jetë të Mëmëzonjave!

Fatmira Lazaj Milori

Galeria e portreteve që paraqet është e konsiderueshme, ku veçohen mbi 30 gra të moçme, por ka edhe të tjera, dhe siç shprehet autorja “…që në kujtesën time ato vijnë si copa guri diamanti, secila me tiparet e saj, secila me potretin e saj…”  I kujton të gjitha e u këndon me melodinë baritore të longarit: “S’ju këndova në të gjallë/ Jesh e vogël, s’kisha parë/, Po tani që unë jam grua/ Jeni bërë longar për mua!

            Sorkadhja që kaloi ylberin

Kështu e portretizon gjyshen, Minushe Asllani Lazaj. Kështu e njohin golëmasit e më gjerë. Ka zgjedhur bukur metaforën, që lidhet me kapërcimin e ylberit, ku ndërthuren arti poetik me atë të shkencës, sipas mitit të legjenave të moçme pupullore në breza, mbi çudibërjen e të pamundurës, sipas të cilës, po ke aftësinë të kalosh harkun 7 ngjyrësh të ylberit nuk je më ai që ishe, pra nëse je të mashkull tjetërsohesh në femër, e anasjelltas. Po pse e përdor autorja, dhe pikërisht për gjyshen, mos ndoshta e idealizon, për nostalgji e sytë e saj të zemrës? Jo! Aspak! Nuk ekzagjeron, pavarësisht se ajo, natyrshëm, më mirë cilëndo të moçme njeh gjyshen.

Është realitet, sepse Minushja ka bërë të pamundurën të mundur. Lindi në luftë e jeta i shkoi luftë, me vuajtje e sakrifica të panumërta. Ndërtoi jetën në kufijtë e së pamundurës. Po si nuk i plasi zemra për humbjen njëri pas tjetrit të shumë nga njerëzit e saj të shpirtit. Humbi motrën, prindërit, humbi dy vëllezërit, më i vogli Remziu, u vra në luftë, 19 vjeç, pjesëmarrës në Çetën e Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos.

Më tej, më e rënda, pas dy vjet martesë, lindjes së djalit, Memos, që u festua si dasmë,  bashkëshorti, Aliu, pas disa muajsh emigroi në Amerikë, dhe nuk iu gjet kurrë se si përfundoi fati i tij. Më pas ndjeu dhimbjet për humbjen e prindërve të burrit dhe të afërmeve në luftën e 1914, në atë të 1920 dhe më së fundi të luftës Nacional Çlirimtare. Dhe më e keqja, humbi birin e saj të vetëm, Memon, i cili sapo kish mbushur 56 vjeç, që për autoren , Babai i saj është “Malli që djeg”, kur atë ditë ishte 7 vjeç.

Nëse nuk i plasi zemra nënë Minushes, pas gjithë këtyre pikëllimeve, kish zemër të fortë, të regjur me shumë pikëllime, rezistoi edhe se i jepnin, durim e kurajo e ngrohtësi bijtë e bijat e të birit, tre djem e gjashtë vajza, si dhe mjalti i mjaltit, plot nipër e mbesa. Ngjallin e mocione të forta momentet që përshkruan autorja, pritjet me ditë e natë, iu mpi syri nga udha, nga shtegu, iu mpi veshi për ndonjë  haber, sido që të ishte për bashkëshortin, Aliun.

Heshtja, si një pllakë varri”- shkruan autorja, kur kaluan 7 vjet. Minushja mbeti me djalin e vetëm, të sapolindur, dhe me dy prindërit e të shoqit. Prekëse janë momentet, kur Baba (kështu i fliste vjehrrit) pas 7 viteve pritje iu drejtua:”- Dëgjo bijë, s’ke ç’pret më, je e re, shiko hallin tënd! Për Memon mos ki merak, sa të kemi ne frymë!…. Babës i rrodhi një lot  dhe i ra mbi xhamadan. Ai ishte loti më i rëndë që derdh njeriu. Loti për fëmijën”. Po cila ishte përgjigja e Minushes:- Unë e vdekur dal nga dera, e gjallë jo! Do pres burrin, po erdhi, shyqyr o Zot, po s’erdhi do vesh qillota e do bëhem vetë burrë. Do rrit tim bir e do pleqëroj edhe juve!Fytyrat e tyre u mbushën me dritë….- E mira e babës! M’i rrite supet- i thotë Babai, (vjehrri)”.

Nuk thonë kot në Labëri, një nuse e mirë një bijë më shumë. Dhe Minushes i flisnin bijë, e ajo: Babë e Nënë. Por veç kësaj, ajo veshi me të vërtetë qillota burri, ngjeshi dhe armë dhe punoi me parmendë arat, ngriti stan, shtrungë e tëndë. Tashmë ish gruaburrë. Bëri gjithçka nga punët e rënda që bëjnë burrat. Ja pse autorja  e portretizon ”Sorkadhja që kapërceu ylberin”. Siç thekson disa herë, si Minushja ishin edhe shumë graburra të tjera golëmase, që kishin rritur fëmijë jetimë në kohë të vështira lufte, dhe që në kujtesën e brezave mbetën kurdoherë mëmëmira, mëmëzonja, madhështore si ato.

            Gjysma tjetër e botës krijuese, ajo e burrave

Fatmira nuk lë pa trajtuar njëherazi dhe gjysmën tjetër të botës krijuese, atë të burrave, dhe natyrshëm sepse kështu kështu ka qenë jeta dhe kështu vazhdon. Në faqet e librit zënë vendin edhe figura të shquara historike, si Gjergj Arianit Golemi, Çobo Golemi, Doktori  i shkencave veterinare me famë botërore, Dr.Bilal Golemi, dhe shumë luftëtarë  golëmas në mbojtje të trojeve shqiptare  në luftë kundër turqve, grekëve, serbëve-malezezëve, italianëve e gjermanëve, deri edhe dëshmorët më të rinj 15-18 vjeçarë nga 22 prej tyre të Luftës Nacional Çlirimtare, si Sulo Hysi, Mejdi Taka, Sadush Çunaj, Xhevrie Golemi, etj. Por nuk le pa përmendur edhe bujq e blegtorë të shquar, burra të mençur në kuvende, të këngës, valles e humorit në dasma, në inkurajimit të përballimit të dhimbjeve e vuajtjeve në raste fatkeqësish.

                  Sa halle ka ky fshati im

Ngarkuar me peshqeshin e rëndë të mallit të pashuar, që i përvëlon gjoksin, Fatmira niset nga larg për në vendlindje. E rëndon pesha e madhe e kujtimeve, për vatrën ku i bëri koka bum, për të gjithë të saj, të afërm, mbarë banorët dhe Golëmin, që e quan “të perëndishëm”. Ecën e mendon se si dikur do ta presin buzagaz e krahë hapur. Por qysh në rrugë, ende pa mbrritur ndjen ftohtësi, kur nuk takon njeri. Kështu ndodhi: Golëmi nuk ka më shkëlqimin e dikurshëm. Është zbehur.

Ndjenja e ftohtë dhe e trishtë e shoqëron kudo. Dhe shtëpia ka mbetur si një qenie e gjallë të pret ftohtë. I bie kryq e tërthor shtëpisë, ku çdo gjë ka dorën e të gjithëve, të gjyshes, të prindërve, të vëllezërve e motrave, dhe i shfaqen para syve, si në ëndërr, të gjithë. Hyn në odën, sa të valleve dhe të halleve. Ja, gramofoni, musëndra, velënxat, dollapi, rrobat e hekuri, makina qepëse, muslluku, divani ku flinte gjyshja “ të bëj një sy gjumë sa për të vrarë ”, këndi i luleve. I kujtohet kali i bukur, “kalë nusesh”, qe familjarizuar ,që turfullonte e të fërkonte me kokë se donte t’i jepja diçka për të ngrënë. Dhe shpreh pikëllim që ndjen: “Edhe në këtë kohë, duket sikur Golëmi i “ka hedhur armët”, është braktisur”.

Ismet Isufi

Shumë janë larguar! Çdo largim nga vendlindja është i dhimbshëm, si i nusërisë, a për punë, po ca më shumë ai i kurbetit. Veçanërisht ethet e ikjes, nga Shqipëria, shtatë male e dete kaptuar, është pikëllim që ther në shpirt, një ankth i tmerrshëm që të mbyt. Ajo e ndjen shumë, sidomos tani që jeton në Pensilvani, Amerikë. Por Fatmira, duke e ditur se shpresa vdes e fundit, shpreh besimin: “Do të ringrihet, siç ngrihet Feniksi nga hiri. Janë djemtë e vashat e tij, që e kanë në zemër, se aty kanë varret e të dashurve të tyre, të babës e të mëmës,vëllait a motrës, të gjyshit e gjyshes, të fisit të miqve. Ata na presin me dashuri e na nisin me bekim”.

                  Porosi-Amanet i papërfunduar

Ulur mbi një gur, në avllinë e shtëpisë ku lindi, Fatmira mediton, e përhumbur, si në ëndërr, troket derë më derë e nuk gjen njeri. Një zë i fortë e zgjon: “Jemi ne, Mëmat të ardhura nga brezat,… jemi historia. Jemi të gjitha, që nga lashtësia e deri sot, që kemi sjellë gojë më gojë ngjarjet, siç i ka përjetuar gjyshja jote…” Dhe më tej autorja shënon  porosi- amanetin e tyre: “Shkruani për to, që emri dhe vepra e tyre të mos humbasë, por t’u shërbejë brezave si udhërrëfyese, të jeni të fortë e të lartësoheni në kohët që jetoni”.

Duke përfunduar librin kushtuar Mëmave tona, natyrshëm Fatmira ndjehet krenare dhe e lumturuar që realizoi ëndrrën e saj, evokoi bëmat e tyre, që kanë në bazë fisnikërinë, ku jeta e tyre i kishte të pakta ngjyrat, por fisnikëria u shtonte ngjyra e u jepte dritë nga shpirti i tyre. Por ajo shpreh dhe konstatimin se “Historia ka shkruar pak për mëmëmirat, fare shkarazi, ndërkohë që janë me mijëra faqe të jetës së tyre të pazbuluara, e të panxjerra në dritë kontributin e tyre të shquar në kohëra”.

Pra,me lezet, pa lënduar asnjë, Fatmira, indirekt na jep edhe një qortim, të pashënuar, por të nënkuptuar, për të gjithë bijtë e Golëmit, që kanë marrë penën e shkruajnë, (besoj se edhe ata e ndjejnë) që kanë bërë pak për të evokuar më mirë e më shumë historinë e lavdishme të Mëmëzonjave në kohëra. Sikundër pohon autorja, nuk janë vetëm ato për të cilat ka shkruar, përkundrazi  ”… janë shumë, dhe çdo shkronjë që nga A në Zh, përfaqësojnë Mëmëzonjat”.

Dhe historinë e tyre monumentale, nuk mund të presim të na e bëjnë vetëm të tjerët, por vetë e kryesisht nga bijtë e bijat e Golëmit. Ja pse unë shkrova  se amanet-porosia e tyre është e papërfunduar. Mbetet një borxh e detyrim i madh e përhershëm shpirtëror e shoqëror për t’u shlyer, nga të gjithë bijtë e bijat golëmase, përfshi dhe autoren, me hapin e parë, të guximshëm e të pëlqyer me librin që na dhuron.

Askush nuk ka të drejtë të humbasë e marrë me vete, në botën tjetër “arkivin” e tij, gjithçka me vlerë për historinë e të parëve tanë ndër breza, indirekt a të jetuar , e t’i mbulojë dheu veprat, ndjenjat, kujtimet e vlerësimet e larta për Golëmin dhe banorët e tij në kohëra.

Duke i uruar Fatmirës shëndet, jetë të gjatë e të lumtur, njëherazi i shprehim mirënjohje për librin e saj mbresëlënës e kuptimplotë, si dhe besimin se do të vazhdojë të shkruajë përsëri për evokuar ngjarje e njerëz që kanë lënë mbresa e thesare në kujtesën e shpirtin e saj fisnik.

  Ismet Isufi

Share This Article
1 Comment
  • Falenderim zemre per z.Isufi…per tere shtjellimin qe i ben gruas labe e cila ka cilesi te spikatura nder vite ! Falenderim vecanerisht per komentin e ngrohte qe na ben krenar per mamen tone zj R.Golemi e cila do jete deri ne fund te jetes time shembulli i nje gruaje te forte ne sipermarje dhe delikate ne ndenja. Te nje gruaje qe punoi ne profession si ne diten
    e pare de qe na mesoi ti duam shume njerezit! Mendoj se kam fatin e madh t ejem rritur nga nje prind si nena ime !!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *