Mjekët e klinikës “Mayo” në shtetin e Minesotës (SHBA), kanë paralajmëruar se sëmundja e njohur si ‘gishti i celularit” që në fakt është një tendinitis – po përhapet gjithnjë e më shumë për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të gishtit të madh për të shkruar në telefon.
Sipas CBS News, që citon specialistët, çdo vit presin gjithnjë e më shumë pacientë që ankohen për këtë gjendje që ndodh kur tendina që përthyen gishtin inflamohet. Më parë kjo sëmundje vihej re vetëm tek punëtorët e fabrikave, thanë ata.
Doktoresha Kristin Zhao e cila ka studiuar fenomenin e “gishtit të celularit” përgjatë 7 vjetësh shpjegoi për median amerikane mekanizmin e shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Sipas mjekes, “një hipotezë është se ndodh lirimi i kyçeve për shkak se kockat nuk lëvizin si në një situatë normale”.
Specialistja thotë se gishti i madh bën lëvizje të vështira kur punojmë me celularin, “hipoteza jonë është se lëvizja anormale e kockave të gishtit të madh mund të shkaktojë nisjen e dhimbjes dhe të një osteoartriti të mundshëm”, thotë Zhao.
Për të shmangur problemet, mjekët rekomandojnë të çlodhni gishtin e madh kur përdorni një smartphone. Për shembull mund të shtypet ekrani me gishtin tregues. Në të njëjtën kohë është e këshillueshme të realizoni ushtrime të përditshhme streçingu me kyçet dhe gishtat për të ruajtur fleksibilitetin e tendinave.
