Festivali i emocioneve fëminore

Ornela

 Fitim Çaushi

Një festival folklorik mbarëkombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Fëmijëve, gjallëroi jetën kulturore të qytetit të Gjirokastrës. Rruga, nga sheshi “Çerçiz Topulli”, deri në kalanë e festivaleve, kishte një atmosferë festive, zbukuruar nga ngjyrat e kostumeve popullore dhe tingëllimat e hareshme të zërave fëminorë.

Ata do të këndonin dhe vallëzonin në kalanë e legjendës, në këtë panteon të madhërishëm, tek e cila dukej gjithë solemniteti dhe madhështia e një kombi, elita shpirtërore e të cilit, shekuj të tërë jetese, i kishte transmetuar visaret e kombit të koncentruara përmes këngëve dhe valleve, veshjeve dhe instrumenteve popullorë.

Si përfaqësues të brezit të ri, artistët e vegjël entuziazmuan spektatorët me artin e shekujve, si dikur, kur arti i popullit ishte në lulëzim. Ata sollën xhevahire të ndritshme, që s‘dihej nga ç’shekuj vinin, duke u trashëguar brez pas brezi si një blerim i përjetshëm.

Duke shijuar këtë art kaq origjinal, impresionues, ngjizur në epoka të ndryshme historike, s’mund të mos zhyteshim nëpër histori; në mënyrën si mendonte, si vepronte, si rezistonte, si jetonte, si përparonte ky popull dhe si e përcillte në breza, artin e tij, me të cilin përcaktonte identitetin.

Ky festival folklorik fëmijësh, do të mbetet si monument i rrallë e i papërsëritshëm, që e pasuron, e fisnikëron dhe e lartëson si rrallë herë jetën shpirtërore të njeriut shqiptar në ditët e sotme, duke na bërë të jetojmë çaste të vërteta kënaqësie.

Mes emocioneve të shumta, në interpretimin e këtyre fëmijëve mbizotëronte më e ndritshmja, më e bukura: gëzimi, ngrohtësia njerëzore, ndjenjë që di ta rrezatojë vetëm Arti i Popullit.

Kalaja ishte pushtuar nga tradita, jonet muzikore dhe ritmi i valleve, mbushnin gjithë qytetin, aq sa të krijohej ndjesia se në Gjirokastër, gjenerata e re po përcillte në pavdekësi, atin e madh të popullit. Në atë sfond natyror të qytetit të gurtë, ky dekor i ri shumëngjyrësh, që përfaqësonte trevat mbarëshqiptare, dukej magjepsës, edhe për faktin se sinqeriteti fëminor ishte emocionues.

E gjithë vëmendja e qytetit ishte aty, ku malësorë, myzeqarë, lebër, çamër, skraparllinj, shkodranë, përmetarë, minoritarë, tetovarë, kosovarë, këndonin dhe vallëzonin. Ishte një pamje plot gjallëri, lëvizje, ngjyra, tinguj, ritme, që na bënte të përjetonim çaste përtej realitetit, në një botë tjetër që vetëm ndërgjegjja artistike e popullit mund të ta krijoj.

Kjo punë e bukur e organizatorëve, që duhet të jetë në vazhdimësi, së pari është mbështetur në punën e mësuesve që merren me veprimtaritë folklorike në shkolla, e bashkë me ta edhe të specialistëve të Qendrave Kulturore të fëmijëve, pa punën e të cilëve, nuk mund të organizohej një festival folklorik i këtyre përmasave.

Nuk është vendi të shtrojmë problemin e specialistëve, që duhet ta ndihmojnë seriozisht këtë art, për të realizuar vlera më estetike, sepse ka të bëjë me identitetin kombëtar dhe shijet estetike të popullit. Këtë le ta analizojnë punonjësit e të dy ministrive, veç nuk duhet të shtrohet si heroizëm i madh, organizimi i këtij festivali, ndërkohë që në kushte pushtimi të stërgjatur, shkatërrimesh e djegiesh masive gjatë shekujve, populli, pa ministri e hierarki, e ka zhvilluar artin e tij të pandërprerë si nevojë shpirtërore dhe qëndrese.

Prandaj në këtë shkrim, s’do të merremi me analizën e festivalit, por do të evidentojmë një neglizhencë të “vogël” të punonjësve të kulturës në bashki, që dëshmon për mjedisin folklorik të qytetit.

Në hyrje të Sheshit të Çerçizit, është vendosur një bazoreliev i “Artistit të Merituar” Ksenofon Kostaqi, me temë nga festivalet foklorike. Megjithse para disa ditëve u bë në Gjirokastër një festival për fustanellën, fustanellat e bardha në këtë vepër arti, janë të nxirosura prej vitesh, aq sa nuk kuptohet çfarë ka brenda bazorelievi dhe çfarë ngjyre ka patur historikisht fustanella e famshme shqiptare.

Vetëm për një kuti solucioni dhe një punëtor, kjo vatër arti, që kujton dhe nxit asosacione për Gjirokastrën e festivaleve, mbetet e fshehur nën myshkun e zi, ndërkohë që mund t’u japi ciceronëve që shoqërojnë turistët, të fillojnë shpjegimin për jetën e pasur shpirtërore të popullit të Gjirokastrës dhe tërë Shqipërisë, të theksojnë se në çdo pesë vjet, qyteti për 6 ditë gumëzhinte nga 2500 artistë amatorë, veshur me kostume të larmishme që nuk i ka asnjë vend i botës.

Ndërkohë që Gjirokastra është kthyer në një kantier ndërtimi me restaurimin e fasadave të banesave dhe rikostruksionin e Qafës së Pazarit, ky simbol i festivaleve folklorike, është harruar nga punonjësit e kulturës në bashki, sepse kanë probleme madhore!

Ata janë neglizhentë ndaj këtij simboli të folklorit, sepse kanë vite që i janë përkushtuar përforcimit të idhullit të tyre Vasil Toles, dhe krijesës së tij antikombëtare “iso-polifonisë”, për ta shpëtuar nga diskreditimi!

Në vitin 2006 gazetarit të shquar Ëngjëllush Serjanit, disa muaj pas aprovimit të krijesës dështake të “iso-polifonisë”, në UNESCO, iu besua nga Vaso Tole Gazeta iso-polifonike në Gjirokastër. Dhjetë vjet më vonë, Ëngjëllushi, tani shef i kulturës në Bashkinë e qytetit, riboton paçavuren “iso-polifonike”, duke guxuar të kompromentojë edhe Kryetaren e Bashkisë, e cila nuk ka dijeni për termin me gjenezë greke: “iso-polifoni” sepse nuk është as etnomuzikologe, as muzikante, as folkloriste.

Futja e Kryetares në këtë paçavure, është me qëllim kompromentimi për të justifikuar dekorimin e lartë të Vaso Toles me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës, po atë ditë më 25 nëntor 2015, për të cilin jo pak intelektualë gjirokastritë u hutuan nga kjo marrëzi, sepse askush nuk e njeh dhe as dinë, se çfarë ka bërë Vaso Tole për Gjirokastrën dhe Shqipërinë!

Në të vërtetë as trinitia e shenjtë: n/kryetari i bashkisë, ish-oficeri dhe shkrimtar i dështuar që drejton Kulturën në Bashki, as gazetari i dështuar, dhe as aktori i dështuar që përbëjnë kupolën kulturore në qytetin e Gjirokastrës, nuk dinë se çfarë vepre ka ky Vaso Tole për Gjirokastrër, përveçse i ka vjedhur asaj Polifoninë e bukur dhe origjinale, për t’ia dhënë një etnie tjetër.

Po në gazetën “10 vjet iso-polifoni në UNESCO”, botohet edhe dosier nga Vaso Tole, në të cilën, për ta bindur jurinë se iso-polifonia e ka djepin tek sirenat greke dhe jo shqiptare, ka depozituar në dosje studimin e tij gjenial: “Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, që hedh poshtë pa asnjë argument, tërë studiuesit shqiptarë dhe rezultatet e shkencës shqiptare, për 50 vjet.

Këta memurë, nuk e kanë pyetur një herë mikun e tyre, Vason që i shpërblen me euro për shërbimin që i kanë bërë: pse nuk ka depozituar në dosjen dërguar UNESCO-s, studimet e Ramadan Sokolit, Beniamin Krutës, Pirro Misës, të paktën dosjet e studiuesve gjirokastritë, Spiro Shitunit, Sokol Shupo, Kosta Loli?! Cila do të ishte më dinjitoze për në dosjen e UNESCO-s, studimi i Spiro Shitunit botuar në 1989 “Polifonia labe”, apo studimi iso-polifonik për sirenat greke të Toles?!

Studiuesi gjirokastrit nga Amerika, Spiro Shituni, i dërgon këtë vlerësim simpoziumit të organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencës: “Një nocion i tillë “iso-polifoni”, që shkon hapur kundër nocionit të mirënjohur tradicional “polifoni popullore”, dashur-padashur e zbeh besueshmërinë shkencore të etnomuzikologjisë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.

Mjerisht, nocioni “iso-polifoni” duket sikur është përdorur arbitrarisht, rastësisht, personalisht, thjesht për të kënaqur fantazinë e dikujt! Sidoqoftë, opinioni i shëndoshë shkencor s’duhet të lejojë kurrsesi emërtime arbitrare, të rastit, personale, të cilat në të vërtetë vetëm se sjellin mjegull në rrugën e mbarëvajtjes së etnomuzikologjisë shqiptare.”

Është e çuditshme se çfarë ka bërë shkenca: në të njëjtën ditë autori i shkrimit Roland Çene, muzikanti i mirënjohur, kumton në Forumin e IX të Akademisë së Arteve dhe Shkencave në Tiranë, në prani të një auditori elitar muzikantësh dhe studiuesish, si Limos Dizdari, Aleksandër, Peçi, Pirro Miso, Eno Koço, Bardhosh Gaçe, Pëllumb Xhufi, Bajram Lapi etj., për Polifoni, dhe po atë ditë boton në gazetën e memurëve në Gjirokastër shkrimin për “iso-polifoni”! Këtë çudi mund ta bëjë vetëm trinitria e shenjtë! Është e qartë se kemi të bjmë me një veprim të pastër mafioz, ku korrupsioni ka depërtuar deri në gjak.

Vasil Tole ishte i ftuar në simpoziumin që organizoi Akademia e Arteve dhe Shkencës më 25 nëntor 2015, që por ai si burracak që është, e shmangu ballafaqimin me mendimin shkencor të studiuesve dhe muzikantëve shqiptarë, të cilët konkluduan se: “Nuk e njohim iso-polifoninë”.

Tole nuk mori pjesë, duke preferuar të shkonte në Gjirokastër, ku trinitia e shenjtë kulturore e qytetit, do t’i vinte mbi kokë kurorën e Lavdisë për veprën e tij prej matrapazi! Madje ai, ende pas kaq shumë vjetësh, nuk u është përgjigjur publikisht studiuesve dhe muzikantëve shqiptarë!

Këta drejtues kulture të Bashkisë Gjirokastër, nuk kanë punuar asnjëherë me këngën polifonike, nuk kanë përgatitur asnjë këngë folklorike, ca më pak të përgatisin një koncert, sepse nuk dinë as rolin e hedhësit, as rolin e kthyesit, as shkakun pse hahen zërat në iso dhe si eliminohet dakordanca, ca më pak të pretendojnë për harmoninë brenda frakturave katërzërëshe.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *