Dojaka me të rinjtë në Korçë: Aleanca Popullore bashkon zemrat e të gjithë shqiptarëve

redaktor

Në vijim të turit disa ditor elektoral në juglindje të vendit, kryetari i Aleancës Popullore, z.Artur Dojaka është ftuar sot në një takim të forumit rinor të Aleancës Popullore në Korçë.

Duke i falënderuar të rinjtë korçarë për ftesën dhe prezencën në sallën e teatrit “Andon Zako Cajupi”, z.Dojaka premtoi mbështetje të vazhdueshme për të rinjtë në të gjitha qarqet e vendit.

Z.Dojaka lexoi në sallë disa letra përshëndetëse për Aleancën Popullore nga të rinj brenda dhe jashtë vendit, ku spikati një mesazh nga Tivari.

 “Gjatë kësaj fushate kam mbajtur shumë fjalime, kam bërë shumë biseda, por sot duhet të ndaj një letër, e cila i ka ardhur zyrës sonë të shtypit në Tiranë. Më lejoni të lexoj disa rreshta nga kjo letër e cila vlen për të gjitha fjalimet e mia. Na është dërguar nga një shqiptar nga Tivari që ndodhet në Durrës. Kjo është edhe arsyeja pse unë nuk dua të bëj një bashkëbisedim fushate, por të tregoj se sa ja ka arritur Aleanca Popullore bashkimit të zemrave të gjithë shqiptarëve të kudondodhur. Nga kjo foltore dua të falënderoj përzemërsisht bashkëqytetarin tonë Gjok Dabaj, të cilin nuk kam pasur fatin ta njoh personalisht, për atë çka ndau me ne. E falënderoj për arsye se Gjoka është një nga produktet e para të Aleancës Popullore, të bashkimit të mbarë popullit shqiptar në një kauzë të drejtë, e cila është kauza çame, dhe kjo e mbështetur nga të gjithë shqiptarët e kudondodhur. Është një kohë fushate intensive, unë e shikoj edhe këtu mes jush, mes rinisë korçare. Ne kemi bërë nga forumi rinot edhe zgjedhjen e kandidatit për të kryesuar listat e qytetit të Korçës. Nuk dua t’i jap kuotacion fushate këtij takimi tonë spontan në Korçë, por dua që edhe njëherë të përqendrohemi në vazhdimin e fushatës sonë të suksesshme për të arritur ato qëllime që i kemi vetes, të cilat tashmë janë të deklaruara kudo. Aleanca Popullore do ketë 4 mandate deputetësh në mbarë Shqipërinë. Falënderoj gjithë rininë korçare e cila është pjesë e Aleancës Popullore në Qarkun e Korçës, e falënderoj për iniciativën e saj. Ne gjithmonë do ta mbështesim, ne do jemi krah rinisë si tani ashtu edhe pas 23 qershorit”, – u shpreh kreu i AP-së, z.Artur Dojaka.

 

Në takimin e Forumit Rinor të AP-së ka përshëndetur edhe kryesuesi i listës së deputetëve të Aleancës Popullore në Korçë, Stiljan Belishta, i cili duke u ndalur te problemet e sotme jo vetëm të rinisë por mbarë shqiptarëve, u bëri atyre thirrje që të votojnë numrin 3, për të ardhmen e tyre dhe për çështjen kombëtare çame.

“Sot Shqipëria po përballet me probleme të shumta që janë pasojë e një keqqeverisje të tejzgjatur. Është shfrytëzuar pushteti dhe autoriteti publik për nevoja dhe interesa personale duke lënë në harresë interesin e përbashkët qytetar dhe kombëtar. Aleanca Popullore është pjesë e ndryshimit të madh dhe pjesë e koalicionit fitues në 23 qershor, Koalicionit për Shqipërinë Europiane. Aleanca Popullore ka në themele dhe si objektiv kauzën e Çamërisë martire, por ajo është aleanca e të gjithëve dhe programi saj trajton çështje shumë të mprehta në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë e më gjerë. Aleanca Popullore është aleanca e çamëve, lebërve, myzeqarëve, dibranëve, e korçarëve, është aleanca e të gjithë shqiptarëve që do të votojnë për veten e tyre, që do të votojnë numrin 3 më 23 qershor”, – tha Belishta.

 

Një nga mesazhet e ardhura nga Tivari për të përshëndetur Aleancën Popullore:

“…Unë jam nga Tivari dhe, që do doja të votoj për çamët e Aleancës Popullore, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Për çdo shqiptar të kthjellët, bashkëkohor dhe evropian të mirëfilltë e përparimtar, ngado që të jetë ai, nga Shkodra, nga Korça, nga Kolonja, nga Tropoja, nga Burreli apo nga Berati, është krejt e natyrshme të votojë në vitin 2013 për Lëvizjen Çame.

Unë kam me dhjetëra shokë e të njohur, nga Ulqini, nga Presheva, nga Peja, nga Prizreni, nga Struga, nga Theranda dhe nga Skënderajt. Që të gjithë ata, jam i bindur se, po të ishin shtetas të Republikës së Shqipërisë, do të votonin, midis shumë preferencash të tjera , edhe për Lëvizjen Çame. Shumë, madje, preferencën çame do ta kishin vënë në krye. Po jap vetëm disa emra, sa për t’i ilustruar këto që thashë. Profesor Nail Draga, personalitet i shquar i kulturës shqiptare në Ulqin, nëse do të ishte shtetas në Rep.e Shqipërisë, kam bindjen se do ta jepte votën për Lëvizjen Çame. Liburn Aliu, bir i njërit nga patriotët më të njohur të Preshevës, të kish mundësi, do t’i kish mbledhur të gjitha votat e preshevarëvet dhe do t’i kish dhënë për Çamërinë. Fadil Cukaj, edhe ai nga Tivari, por që jeton në Prizren, të kish mundësi, do ta kish mbledhur krejt Prizrenin për të votuar më 23 qershor për Aleancën tonë Popullore. Por unë kam edhe një arsye më shumë për ta hedhur votën këtë herë te numri 3….

Sapo mora vesh që z.Artur Dojaka është nipi i Prof.Abaz Dojakës, m’u ngroh shpirti dhe thashë me vete: Po fryka një erë e mbarë për Çështjen çame!  Për njërin nga problemet më të mëdhenj që ka Kombi ynë! Pashë pastaj emrin e inxhinierit, zotit Erion Softa, djalë i mrekullueshëm, atë të zotit Arian Hamiti, të zotit Amos Dojaka dhe të zotit Nimet Musai. Që të gjithë, njerëz tek të cilët ke arsye për të besuar! Më në fund, poeti ynë Arben Duka, pasuesi më konsekuent (e ndoshta i vetmi i ditëvet të sotme) i vargut poetik të të madhit Shefqet Musarai, më bëri që të jem trefish i mbushur me shpresa. E ku do të shkonte gjetkë një Arben Dukë, nëse nuk do të ndalej te një Aleancë Popullore?!

Erdhi një ditë dhe më takoi në Durrës zonja Zhanetë Saliu, bashkë me bashkëshortin dhe me poetin e njohur çam, mikun tim të kahershëm, Namik Selmanin. Nuk erdhën për votë. Erdhën thjeshtë për të pirë një kafe bashkë. Natyrisht, folëm për zgjedhjet. Për zgjedhjet dhe përtej zgjedhjevet! Për çështjet e mëdha të Kombit tonë. Synimet që tashmë i kemi arritur, si dhe për punët që, deri tash… i kemi bërë për faqe të zezë në Shqipëri e Kosovë!. Më erdhi mirë edhe se, në krye të listës së kandidatëvet të kësaj partie për Durrësin, ishte një grua. Një çame, për të cilat unë, gjithë jetën time, kam përjetuar një mal me dhimbje dhe, njëkohësisht, një mal me adhurime!

I urova zonjës që të marrë prej votuesvet, të qytetit të Durrësit dhe të rrethit të Durrësit, maksimunin e votavet. I uroj sot kandidatët e gjithë Aleancës Popullore në Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Tiranë e kudo nëpër Shqipëri, maksimumin e votavet. Ia vlen të votosh për Çështjen Çame! – Durrës, qershor 2013 – Gjokë Dabaj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *