Zgjimi i Gjigantit të fjetur…

redaktor

Një tjetër hap është hedhur për avancimin e zhvillimit të sigurisë dhe të mbrojtjes evropiane. Një dokument reflektues, i prezantuar ditën e sotme nga shefja e diplomacisë evropiane, Mogerini dhe zv. Presidenti i Komisionit Evropian, Katainen, ofron tre skenarë të mundshëm, mbi të ardhmen evropiane të mbrojtjes. Prezantimi i tre skenarëve, synon nxitjen e mëtejshme të debatit publik, por edhe institucional, duke ftuar vendet anëtare të zgjedhin mes alternativave të propozuara. Por, çfarë përfshijnë këta skenarë dhe ku qëndron risia në dokumentin reflektues ?

Skenari i parë, Siguria dhe Bashkëpunimi i Mbrojtjes, parashikon se do të jenë vendet e BE-së, ata që do të vendosin, mbi nevojën për sigurinë dhe bashkëpunimin në mbrojtje, mbi baza vullnetare dhe rast pas rasti, ndërsa BE do të vazhdojë të plotësojë përpjekjet kombëtare. Bashkëpunimi në mbrojtje do të fuqizohet, por pjesëmarrja e BE-së, në shumicën e operacioneve të kërkuara do të ngelet e kufizuar. Fondi i ri Evropian i Mbrojtjes, do të ndihmojë për zhvillimin e disa kapaciteteve të reja të përbashkëta, por se do të jenë vendet e BE-së, që do të mbikëqyrin volumin apo dimensionin e zhvillimeve dhe të prokurimeve të kapaciteteve të mbrojtjes. Bashkëpunimi mes Unionit dhe NATO-s, nën këtë skenar, do të vijojë sipas modaliteteve dhe strukturave aktuale.

Në skenarin e dytë, Siguria dhe Mbrojtja e Përbashkët, ambicia shfaqet më e lartë, pasi vendet e BE-së kanë mundësi të vendosin së bashku disa asete financiare dhe operacionale, për të bërë të mundur rritjen e solidaritetit në mbrojtje. BE, do të jetë gjithashtu më e angazhuar në mbrojtjen e Evropës si brenda por edhe përtej kufijve të saj. Unioni do të marrë një rol më të madh në fushat si mbrojtja kibernetike, ruajtja kufitare, apo lufta ndaj terrorizmit dhe do të fuqizojë dimensionin e mbrojtjes dhe të sigurisë të politikave të brendshme të BE-së, si energjia apo shëndeti. Kjo do të ndërthuret me një vullnet politik për të vepruar, si edhe me vendimmarrje të përshtatshme në kontekstin e ndryshimit të menjëhershëm. Në këtë skenar, BE dhe NATO, do të rrisin gjithashtu bashkëpunimin e ndërsjellë dhe do të koordinohen përmes një spektri të gjerë çështjesh.

Në skenarin e tretë, Mbrojtja dhe Siguria e Përbashkët, i konsideruar si më ambiciozi, parashikohet kuadri në zhvillim i një politike të përbashkët mbrojtje të Unionit, që çon në një mbrojtje të përbashkët të bazuar në nenin 42 të traktatit të BE-së, duke i lejuar një grupi vendesh anëtare, që ndajnë ide të njëjta, ta çojnë mbrojtjen evropiane, në një nivel tjetër. Në këtë skenar, vendet e BE-së, mund të ndërmarrin angazhime edhe më të mëdha ndaj sigurisë reciproke, çka do ta shndërrojë mbrojtjen evropiane në një përgjegjësi të ndarë, mes BE-së dhe NATO-s. Në këtë skenar, BE, do të jetë në gjendje të ekzekutojë operacione të një niveli të lartë të mbrojtjes dhe të sigurisë, i mbështetur nga një nivel integrimi i forcave të mbrojtjes së vendeve anëtare. BE do të mbështesë gjithashtu, programe mbrojtje të përbashkëta me Fondin Evropian të Mbrojtjes, si edhe vënien në jetë të një agjencie evropiane të mbrojtjes për kërkimin. Kjo do të favorizojë gjithashtu, krijimin e një tregu të vërtetë evropian të mbrojtjes, të aftë të mbrojë aktivitetet e tij strategjike kyçe, nga marrjet e jashtme të kontrollit.

Skenarët e mësipërm, ilustrojnë tre nivele të ndryshme të ambicieve evropiane, në sferat e solidaritetit. Reflektimi i ofruar ditën e sotme, pritet të avancojë më tej mes zgjedhjes së rrugës së dëshiruar nga vendet evropiane, si edhe shpejtësinë me të cilën ata dëshirojnë të angazhohen për mbrojtjen e qytetarëve të tyre.

Por, risia në dokumentin reflektues, shfaqet tek krijimi i Fondit Evropian të Mbrojtjes. Një pikë, që mund të konsiderohet si kthesë kolosale, pasi për herë të parë në të gjithë historikun e integrimit evropian, do të kemi krijimin e një fondi të përbashkët, që do të zhvillojë industrinë evropiane të mbrojtjes. Ky fond prej 5.5 miliardë euro në vit, do t’i mundësojë vendeve anëtare, të koordinojnë dhe të përforcojnë investimet në fushën e mbrojtjes, të zhvillimit të prototipave dhe blerjen e pajisjeve dhe të teknologjive.

Pra, nëpërmjet këtij fondi do të bëhet e mundur që vende të ndryshme anëtare të bashkohen për të investuar në zhvillimin e teknologjive të dronëve, ose të komunikimeve përmes satelitëve, apo të bashkojnë fondet e tyre për blerjen e helikopterëve në sasi të mëdha me synim, që të reduktojnë koston e tyre. Të paktën, këto të mësipërmet përmenden zyrtarisht, ose më saktë këto ofrohen si shembuj konkrete të blerjeve në industrinë e mbrojtjes, ndërsa blerja e armatimeve të rënda luftarake si: tanke, luftanije, etj, preferohen të mos përmenden, të paktën publikisht. Pra, nuk mohohen, as përjashtohen. Gjithsesi, 20% e shumës së blerjeve do të financohet nga ky fond dhe pjesa tjetër 80% e shumës do të jetë nga bashkimi i buxheteve të vendeve, që kanë vendosur të rrisin blerjet në sfera të caktuara. Unioni bashkë-financon në nivelin prej 500 milionë euro, për vitin 2019-2020, por niveli do të rritet në 1 miliardë euro, pas vitit 2020, duke shkuar më pas gradualisht deri në nivelin prej 5.5 miliardë euro.

Dokumenti reflektues, i prezantuar ditën e sotme, pritet të avancojë më tej projektin e sigurisë dhe të mbrojtjes evropiane. Tërësia e elementëve të kësaj pakete, pritet të bëhet pjesë e mëtejshme e debateve gjatë konferencës së nivelit të lartë, mbi mbrojtjen evropiane që do të mbahet pas dy ditësh në Pragë. Projekti ka si mbështetjen kryesore të Gjermanisë, por edhe të vendeve të tjera anëtare, duke përfshirë madje edhe anëtarin e sapo larguar Britaninë e Madhe, që nuk ka shfaqur kundërshtim.

E rëndësishme për t’u veçuar, është theksi i ripërsëritur i drejtuesve evropianë se, “kjo, nuk është një aleancë ushtarake dhe as nuk ka ndërmend të bëhet”, se “kjo, as nuk e konkurron dhe as nuk e zëvendëson NATO-n dhe se, neni 5 i Aleancës është kompetencë vetëm e NATO-s”. Gjithsesi, progresi i mëtejshëm i projektit të mbrojtjes, pritet të zgjerojë në mënyrë solide dhe të qëndrueshme bazën industriale evropiane në fushën e mbrojtjes. Por, a do të kemi gradualisht krijimin e imazhit të një Evrope “ofensive”, që do të mund të shkaktojë përplasje me imazhin e skalitur prej 6 dekadash të Evropës së paqes, që iu akordua çmimi Nobel, në vitin 2012 për kontributin në zhvillimin e saj?! Sigurisht, që ruajtja e paqes dhe progresi i saj, nuk kushtëzon detyrimisht zhvillimin e industrive në fushën e mbrojtjes, apo rritjen e shpenzimeve ushtarake. Edhe pse Evropa është e ndërgjegjshme se, janë disa lloj luftërash, që nuk bëhen veçse për të përmbyllur, apo për të arritur paqen, ajo ka treguar një urtësi të veçantë gjatë këtyre 6 dekadave, duke preferuar më mirë qoftë edhe një paqe të rreme se, sa një luftë të deklaruar, pasi në logjikën e urtësisë së saj, një paqe mediokre është shumë herë më e dobishme dhe më e vlefshme se, sa një luftë shkatërrimtare.

Por, ka edhe një këndvështrim tjetër, që shpeshherë vjen si pyetje retorike, por që imponon edhe reflektim dhe që nuk ka lidhje aspak me Evropën e bashkuar, por prek një temë të ndjeshme se, si arrihet të gjenden gjithmonë para për të zhvilluar industrinë e luftës, apo edhe qoftë për të bërë luftë, por se këto para nuk gjenden kurrë për të jetuar në harmoni, në paqe dhe të qetë?!

Im.Ta.

DITA

Share This Article