Ministri i Jashtëm iranian e ka cilësuar si “të neveritshme” deklaratën e Shtëpisë së Bardhë lidhur me sulmin terrorist të së mërkurës në Teheran, ku Irani akuzohej si sponsor i terrorizmit.
Presidenti Donald Trump kishte thënë se lutej për viktimat, por kishte shtuar se, “shtetet që sponsorizojnë terrorizmin rrezikojnë të bien pre e së keqes që promovojnë”.
Por ministri Javad Zarif deklaroi se, “Irani i hedh poshtë deklarata të tilla” dhe shtoi se, agresorët e Shtetit Islamik ishin mbështetur nga “klientë amerikanë”.
Të paktën 13 persona mbetën të vrarë në sulme. Atentatorë të armatosur dhe vetëvrasës sulmuan parlamentin dhe mauzoleun e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollahut Khomeini, duke shënuar një rast të paprecedent në Iran, që zgjati disa orë.
Teherani zyrtar thotë se, agresorët, disa prej të cilëve mbetën të vrarë, ishin iranianë që ishin bashkuar me ISIS. Grupi militant ka kërcënuar me sulme të tjera ndaj myslimanëve shiitë iranianë.
Në një postim të mëhershëm në Twitter, ministri Zarif fajësoi vendet rivale në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Tiranët që sponsorizojnë terrorizmin kërcënojnë se do të sjellin luftimet në vendin tonë. Ata sulmojnë atë çka padronët e tyre urrejnë më shumë: demokracinë”, tha Zarif.
