Ndërsa Atlanta dhe Lacio nuk kanë përcaktuar ende të ardhmen e Etrit Berishës, në mediat përtej Adriatikut është shfaqur një hipotezë e bujshme për portierin e përfaqësueses shqiptare,.
Sipas radios “Kiss Kiss Napoli” e cila shërben shpeshherë edhe si burim zyrtar lajmesh për napolitanët, emri i portierit shqiptar ka filluar të qarkullojë në ambientet e klubit, i cili është gati ta afrojë atë për sezonin e ardhshëm duke e bashkuar në një skuadër me Elseid Hysajn.
Sipas gazetarit Diego De Luka, emri i Berishës ka dalë në skenë kohët e fundit, pas përplasjes që klubi ka pasur me portierin Pepe Reina, i cili parashikohej si titullar në Ligën e Kampioneve.
“Situata e Reina është e komplikuar, por në rast se do të largoheshin si Rafael, si Sepe, atëherë do të nevojiteshin dy portierë. Njëri për perspektivë dhjetëvjeçare, ndërsa tjetri është Berisha, emri i ri që nuk ka dalë ende zyrtarisht”, tregoi ai këtë prapaskenë të merkatos.
Ndaj pritet që 10 ditët e ardhshme të jenë shumë të nxehta sa i përket merkatos dhe të ardhmes së portierit shqiptar. Atalanta ka kohë deri më datë 19 qershor për të blerë kartonin e tij, sipas marrëveshjes së huazimit me Lacion.
Në të kundërt Berisha do të kthehet te bardhekaltërit dhe në atë moment, të fillojë negociatat me Napolin për këtë lëvizje të mundshme.
