Amfiteatri i Durrësit, ndër më të rrezikuarit në Europë

anazapta

Amfiteatri i Durrësit është një ndër shtatë sajtet më të rrezikuara në Europë. Paralajmërimi vjen nga organizata lider për mbrojtjen e trashëgimisë në kontinentin tonë, “Europa Nostra”. Gjatë një konference për mediat mbajtur në Athinë, organizata ka bërë me dije se përpos amfiteatrit të Durrësit, janë edhe sajte me rëndësi në Qipro, Francë, Itali, Portugali, Rumani dhe Turqi, shkruan sot GSH. Në deklaratë theksohet se monumentet kanë arritur në këtë gjendje rreziku, disa prej mungesës së fondeve dhe ekspertizës dhe disa për shkak të planifikimit jo të përshtatshëm, neglizhencës, fatkeqësive natyrore apo edhe konfliktit politik. Prandaj, marrja e masave urgjente është e nevojshme. “Këto monumente dhe sajte janë përzgjedhur jo vetëm pse rrëfejnë një histori magjepsëse për të shkuarën tonë të përbashkët, apo për ndjesinë e përkatësisë që japin në familjen europiane, por edhe se janë shumë të vlefshme për komunitetet lokale, të cilët janë të angazhuar fuqimisht në shpëtimin e tyre. Shpëtimi i këtyre sajteve do të shërbejë si katalizator i ringjalljes ekonomike i qyteteve apo zonave ku ndodhen. Kjo është arsyeja pse ‘Europa Nostra’ iu bën thirrje disa partnerëve lokalë, rajonalë, kombëtarë dhe në nivel europian, të bashkojnë forcat dhe të sigurojnë një të ardhme premtuese për sajtet e përzgjedhura”, u shpreh Placido Domingo, president i “Europa Nostra”.
Amfiteatri
Në të njëjtën deklaratë, “EN” për amfiteatrin romak të Durrësit, shkruan se i takon fillimit të shekullit të II, pas Krishtit dhe ka mbetur i panjohur për botën deri në vitet 1960. I vendosur në qendër të qytetit, që në antikitet njihej me emrin Dyrrachium apo Epidamn, ai ka një kapacitet prej 15.000 deri në 20.000 spektatorësh dhe është një nga vendet sajtet më të shquara të trashëgimisë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit. “Për shkak të zbulimit të tij të vonë, monumenti është përballur me një planifikim urban kaotik, që ka ndikuar në strukturën e tij dhe ka vuajtur përkeqësimin e vazhdueshëm. Sfida më e madhe është që të sigurohet integrimi i tij i suksesshëm në strukturën urbane të Durrësit. Gjithashtu, kjo perlë e trashëgimisë është e kërcënuar nga mungesa e burimeve financiare, neglizhenca dhe shkaqet natyrore. Inkurajimi i projekteve kërkimore dhe ndërgjegjësimi i publikut mbi vlerën e jashtëzakonshme të këtij amfiteatri janë hapat që do të ndërmerren urgjentisht”, vëren “EN”. Restaurimi i tij i plotë më vonë jo vetëm që do ta vërë sërish qytetin e lashtë të Durrësit në hartën e vendeve historike në Evropë, por edhe do të ndihmojë në rijetësimin ekonomik dhe social të qytetit të dytë më të madh në Shqipëri. / GSH

Share This Article
2 Comments
  • Gjith bota shkon te shikoje kto amfiteatre,me teper vlera dhe nje ane sociale nga te ardhurat qe mblidhen,kurse ne Shqiperi ndertojn Xhami ,per ti fundosur keto vlera te medha te artit boteror,qe kemi fatin te shtojme vizitoret e huaj,per ti pare keto vlera kulturore,teper te lashta!
    A thua se Turistet e huaj i mer malli te shohin Xhamine,qe esht ndertuar prane ketij koloseu te madh ne te gjith ballkanin?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *