Qeveria greke i fiku sinjalin e saj “ERT”-së, por redaksia arrin ende të transmetojë online. Dhjetëra-mijëra persona u mblodhën në sheshet e Athinës për të kundërshtuar masën e qeverisë, ndërsa të enjten nis një grevë e përgjithshme 24-orëshe. Kryeministri Samaras kërkon boshatisjen e shesheve, por partnerët e tij të qeverisë tregohen të gatshëm të paraqesin një normë për të rihapur rrjetin
Televizioni shtetëror grek rikthehet, njësoj si në kohën e juntës së kolonelëve, të transmetojë në mënyrë klandestine. Vendimi i qeverisë për të mbyllur të martën në mesnatë të pesë kanalet dhe 29 radiot e “ERT”-së duke pushuar nga puna 2700 punonjës, është vënë në praktikë vetëm pjesërisht. Teknikët e dërguar nga Ministria e Financave kanë shkëputur energjinë elektrike duke fikur sinjalin më të përhapur në ekranet greke.
Plani i qeverisë është që të likuidojë “ERT”-në aktuale për ta ringritur me një emër dhe strukturë të re (që reduktohet në rreth 400 punonjës) dhe në fund për ta privatizuar. Zëdhënësi i ekzekutivit dhe ish-gazetar i televizionit shtetëror, Simos Kedikoglou, ka garantuar se kush do të humbasë vendin e punës do të kompensohet dhe se për 700 prej tyre do të mundësohet pensioni i parakohshëm.
Gazetarët e televizionit publik vendosën të rezistojnë, duke u instaluar në një pjesë të studiove dhe duke vijuar punën, pavarësisht pushimit nga detyra, falë transmetimeve online në frekuenca dixhitale.
Për të mbështetur protestën e tyre, rreth 40 mijë persona dolën në Aghia Paraskevi (lagje në periferi të Athinës), gjatë mesnatës të së martës për të manifestuar mbështetjen e ndaj televizionit. Midis tyre banda muzikore në pronësi të “ERT”-së që improvizoi një koncert, si dhe dhjetëra burra të kulturës, muzikantë dhe intelektualë të mbërritur në studio për të treguar solidaritetin e tyre. Në mbështetje të rrjetit ka dalë edhe Federata e gazetarëve evropianë, të cilëve masa e mbylljes u duket “absurde”. Ndërsa sindikatat greke kanë paralajmëruar se të enjten do të fillojë një grevë 24-orëshe.
Kryeministri Antonis Samaras, megjithatë nuk ka si qëllim të tërhiqet. “ERT është një oaz shpenzimesh”, tha ai. Në orët në vijim do të shihet, nëse do të arrijë objektivin e tij me ndërhyrjen e policisë. Gjatë natës qeveria u kërkoi gazetarëve të vendosur në brendi të ndërtesës së televizionit që të lëviznin nga aty.
Masa e qeverisë duhet të marrë brenda tre muajve aprovimin nga parlamenti edhe pse dy partnerët në minorancë: socialistët e PASOK-ut dhe demokratët e së majtës thanë dje se nuk ishin informuar mbi këtë masë dhe se ishin kundër saj. Madje mund të prezantojnë një propozim për të anuluar vendimin e mbylljes së televizionit.
Samaras me ndërhyrjen e tij në “ERT” ka marrë përsipër një rrezik të madh. Nga njëra anë, ky ishte objektivi i tij i dyfishtë, bëri që të harrohen protestat mbi planin e tij të privatizimeve (Gazpromi është tërhequr nga ankandi për gazin Depa) dhe vuri në tavolinën e trojkës pushimin nga puna të 2 mijë punonjësve publikë, gjë që duhej ta realizonte brenda fundit të vitit. Por lëvizja rrezikon të shndërrohet në një bumerang për mazhorancën e qeverisë. Po shumëfishohen apelet për të kthyer protestën në Aghia Paraskevi në “sheshin Taksim” të Greqisë. Jo rastësisht edhe Syriza (majta radikale) është në majë të sondazheve, kokë me kokë me partinë “Nea Demokratia” të Antonis Samaras dhe po përpiqet të vërë vulën e saj në lëvizjen kundër qeverisë. Orët në vijim do të tregojnë nëse Samaras do ta fitojë bastin e tij apo jo./Dorina Gjuzi

Çdo veprim që ndërmeret nga qeveritë, fatkeqësisht bie pashmangshmërisht mbi kurrizin e qytetarëve. Janë qytetarët ata që gjithnjë vuajnë në kurrizin e tyre gabimet e qeverive.
Shumë absurde sepse duhet të ishin qeveritë ato që të paguanin për gabimet e veta. Në se e kishin fryrë administratën e TV-së, për këtë nuk ka faj i punësuari por punëdhënësi! Por qeveritë mund të gabojnë sa herë të duan sepse nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie. Nuk janë ato që hidhen në rrugë, nuk janë ato që nuk marin rrogë, nuk janë ato që mbeten pa punë, nuk janë ato që varfërohen.
Në fund të fundit qytetari i duhet qeverisë vetëm për VOTËN!…