Në tribunat elektorale të Partisë Demokratike, nuk është më logo e saj e parë ajo që u projektua në dhjetor të vitit 1990, fill pas themelimit. Tani është kryetar Lulzim Basha dhe logon e PD-së e ka zëvendësuar me “Republikën e re”.
Ish-ministrja demokrate Majlinda Bregu, por edhe ish-drejtues të tjerë demokratë, duken të lënduar nga ky tjetërsim i imazhit të Partisë Demokratike, përveç faktit se mbetën jashtë listës së kandidatëve për deputetë.
Bregu ka publikuar dje në facebook, një fotografi të fushatës së vitit 2013 ku shfaqet me gishtat lart me slloganin e PD-së dhe simbolet e saj të hershme.
Por le të kthehemi tek historiku i logos së PD-së. Është projektuar në ditët e para të themelimit të kësaj partie, nga një grup artistësh simpatizantë të PD-së.
Ka pësuar më pas ndryshime të lehta si në ngjyrë edhe në elementet e saj, por ka ruajtur formën fillestare. Në këto zgjedhje, logo e PD-së thuajse mungon në çdo aktivitet, sepse ajo është zëvëndësuar me “Republikën e re” të Lulzim Bashës, raporton Mapo.
Më sipër shfaqen disa fotografi që përcjellin ndryshimin e simbolit të PD-së prej kohës së themelimit e deri tek “Republika e re”.




