Milionat e Kinës duket se po tundojnë edhe Arturo Vidal. Mesfushori i Bayern Munich dhe i kombëtares së Kilit ka shprehur dëshirën për të luajtur në Kinë dhe kjo ka bërë që të qarkullojnë shumë zëra në lidhje me të ardhmen e tij të afërt. Sipas “Sport1.de”, ish-lojtari i Juventus po konsideron mundësinë t’i thotë lamtumirë Bayern-it këtë verë. I pari që ka dhënë lajmin ka qenë Maks Cardenas, gazetari që mbulon lojtarët e Kilit. Bavarezët ka pak mundësi që ta lënë të largohet Vidal, duke parë se Xabi Alonso është tërhequr nga futbolli. Gjithashtu, nuk duhet harruar se kontrata e Vidal skadon në 2019-ën.
Objektivi i mesfushorit është të sigurojë një kontratë të fundit multimilionere dhe Kina është vendi më i përshtatshëm për ata futbollistë që kanë pretendime të tilla: kiliani është 30 vjeç dhe synon të sigurojë një shifër të majme para se të tërhiqet. Një transferim i tij në Kinë mund të jetë një gjë e mirë edhe për Bayern Munich, me klubin gjerman që do të përfitonte gjithashtu një shumë të madhe në këmbim të kartonit të kilianit, duke shmangur kështu rrezikun që Vidal të largohet me kosto zero.
