Nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, Skënderbeu vijon me përgatitjet në Slloveni në kuadër të turit të parë paraeliminator të Europa League. Bardhekuqtë prej shtatë ditësh stërviten në tokën sllovene ku kanë zhvilluar edhe një ndeshje miqësore.
Në testin kundër modestve të NK Sampion korçarët u mposhtën me rezultatin 3-2, me trajnerin Daja që aktivizoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion. Nëpërmjet një njoftim në faqen zyrtare, zyra e klubit të Skënderbeut bën me dije se bardhekuqtë të enjten do të zhvillojnë një tjetër ndeshje miqësore, këtë herë kundër nënkampionëve të Hungarisë, Videoton FC.
Ky takim do të zhvillohet nesër në orën 17:30 në stadiumin “Gornja Radgona”. Deri tani Skënderbeu ka përforcuar vetëm mesfushën me ish-yllin e Flamurtarit, Donjet Shkodra dhe ish-mesfushorin e Teutës, Bruno Dita. Drejtuesit e kampionëve me në krye presidentin Ardjan Takaj tani janë fokusuar te sulmi pas largimit të Hamdi Salihit që ka vendosur ta vazhdojë jashtë karrirën e tij futbollistike.
