Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e radhës në Gjirokastër, ndërsa ka kërkuar serish votën e qytetarëve për të marrë timonin e qeverisë. Rama sulmoi edhe programin ekonomik të PD dhe tha se nuk fillohet nga bishti, por nga koka.
“Sot ne jemi gati për të marrë përgjegjësinë e plotë dhe për ta drejtuar Shqipërinë në destinacion nëse qytetarët na japin timonin e qeverisjes pa na ulur të tjerë në prehër. Nëse shqiptarët mendojnë si prindër dhe si djem e vajza që duan një të ardhme këtu. Dëgjoni të tjerët çfarë ju thonë, ju përsërisin të njëjtat gjera prej 25 vitesh. Do ju heqim taksat dhe do rrisim shpenzimet thonë. Prandaj u katandis Shqipëria sepse nuk fillohet nga bishti, por nga koka. Ne themi kush fiton më shumë paguan më shumë dhe kush fiton më pak, paguan më pak”- tha Rama.
Ndër të tjera, Rama komentoi edhe marrëveshjen e 18 majit me Lulzim Bashën. Ai tha se marrëveshja ishte në interes të shqiptarëve.
“Ne nuk kemi dalë në këtë betejë për të thënë na jepni pushtet më shumë për vete. Po ta shohim marrëveshjen, ajo nuk ishte në interes për më shumë pushtet, por interes për shtet për të gjithë shqiptarët. Marrëveshja që ne bëmë me PD tregoi se për ne dhe për PS Shqipëria është mbi të majtën dhe mbi të djathtën”-tha Rama.
