PS padit drejtoreshën e METE-s kërcënon vartësit me e-mail

redaktor
PS bën kallzim penal ndaj Drejtoreshës së Zhvillimit të Buxhetit në METE, Ermira Mustafaj. (foto) Gazeta Shqiptarja.com zbardh kallzimin penal të kreut të PS të kryeqytetit Saimir Tahiri ndaj Mustafajt që kërkon nisjen e hetimeve ndaj saj në Prokurorinë në Tiranë, për veprën penale të detyrimit për pjesëmarrje në veprimari politike, bazuar në nenin 328/a të Kodit Penal që parashikon gjobë dhe burg deri në 6 muaj.

Në kërkesën e PS thuhet se Mustafaj që punon pranë METE në detyrën e Drejtoreshës, i është drejtuar vartësve me anë të e-mailit zyrtar të ministrisë, ku i kërkon plotësimin e një formulari, me të dhëna, emër, atësi, mbiemër, nr. personal i identifikimit, puna aktuale, nr.cel mbi votuesit e Njësisë Bashkiake nr.5. Formulari sipas Tahirit ka të shënuar ‘lista e votuesve të sigurtë’.

“Me këto veprime drejtoresha e METE ka konsumuar, në të gjithë elementët veprën penale të “Detyrimit për pjesëmarrje në veprimtari politike” parashikuar në nenin 328/a të Kodit Penal. Objekt i veprës penale janë marrëdhëniet shoqërore që mbrohen me ligj, në funksion të ushtrimit e mbrojtjes së të drejtës kushtetuese e ligjore të shtetasve/votuesve për të marrë pjesë e votuar lirisht në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Kuvend apo në organet vendore”, thotë PS.

Tahiri nënvizon se detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike është një shkelje e ligjit, pasi është presion dhe për më tepër që ushtrohet nga një instancë eprore mbi vartësit e tij. Sipas nenit në fjalë kjo përbën kanosje ndaj vartësve për ti detyruar të marrin pjesë në veprimtarinë zgjedhore të PD që është në pushtet.

“Detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”, thuhet në nenin 328/a të Kodit Penal.

Sipas PS, të qenit nën varësi administrative nga shtetasja Mustafaj bën që vartësit, që u është drejtuar e-maili, të ndjehen nën presionin e marrjes së masave disiplinore ndaj tyre apo dhe humbjes së vendit të punës në rast se nuk i përgjigjen kërkesave të eprorit të tyre.

Saktësohet se punonjësit e administratës s’mund të kryejnë asnjë lloj veprimi ndaj vartësve të tyre, për pjesëmarrjen në votime, partinë për të cilin do votojnë, bindjet politike të personit, pjesëmarrjen në aktivitete politike apo në struktura/organizata politike, informacione për familjarët, njerëz të afërt, miq apo për çdo person tjetër për të cilin kanë informacione të tilla.

Këto veprime bëhen sa herë vijnë fushatat zgjedhore, me një presion të paprecedent, ku vetë Mustafaj në rastin konkret me veprimet e veta ka marrë parasysh me dëshirën e saj të gjitha pasojat që sjell shkelja e ligjit. Pikërisht në këto kushte kreu i PS Tiranë Saimir Tahiri ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj drejtoreshës së METE Mustafaj, e cila sipas tij, që ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale.

KODI PENAL, “NENI 328/A
Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike
Detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit  të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore  të një subjekti gjedhor përbën kundërvajtje  penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale ë një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje  penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit”./shqiptarja.com

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *