Nga Sefer Pasha
Në Fushën e Kosovës, në rrafshin e një bjeshke, jam ulur fillikat nën hijen e një lisi të moçëm. Kam ditë që kërkoj një fshat me emrin Mollë e Kuqe nga ku mendohet se janë të parët e një personazhi nga Tepelena për të cilin po shkruaj një libër. Më thonë se ky fshat është zhdukur.
Vendasit, ku hamendësohet se dikur ka qenë Molla e Kuqe, tani i thërrasin Varret e Shkjaut. Por këtu nuk ka as fshat dhe as varre. Nën hijen e lisit shfletoj librin e shkrimtarit Agim Vinca “Arti i reagimit”. Këtë libër e kam marrë me vete që nga Tirana. Afër meje janë ulur disa mësues, që me sa shoh kanë dalë për të kaluar një të diel siç është kjo e sotmja.
- Nga jeni? – më pyet një nga mësuesit . – Dukesh që nuk je nga Kosova.
I përgjigjem se kush jam dhe pse kam ardhur në Fushën e Kosovës. Mësuesi u afrua aty ku unë po lexoja librin dhe më tha emrin dhe mbiemrin. Ata ishin nga Prishtina dhe kishin ardhur për të pushuar e për të ngrënë një drekë në këtë bjeshkë të bukur. Kur unë i thashë se jam biografi i Ukshin Hotit, ai më ftoi dhe në drekën që po shtrohej tek burimi mbi rudinë.
Pastaj në folëm për Agim Vincën. E pyeta nëse e njihte Agim Vincën dhe ai m’u përgjigj se njeriun e letrave e njihte e gjithë Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, por ai njihet dhe nëpër botë. Përgjigja e tij m’u duk befasuese. Dhe pikërisht për këtë arsye i bëra dhe shumë pyetje të tjera. Ai kishte njohje me Agim Vincën, por nuk foli për to. Tek po i flisja për temat e trajtuara në librin “Arti i reagimit” mësuesi u mendua një copë herë. Agim Vinca është si ky lisi ku ne jemi ulur, tha ai. Por para se të them ca detaje për autorin e librit që ke në duar, shtoi me emocion, dua të them metaforikisht se si e ndërton jetën lisi. Ka shumë ngjashmëri midis mënyrës sesi e rriti muzën Agim Vinca dhe jetës që bën lisi në bjeshkë si ky ku jemi ulur ne.

Çdo lis ka një “kuzhinë”. Dhe kjo “kuzhinë” nuk është në rrënjët e lisit, por lart në kurorë. Në këtë “kuzhinë” përpunohet ushqimi që vjen nga rrënjët me plehra e burime. Dhe brenda kurorës ku ka selinë “kuzhina” fërgohen rrezet e diellit, ajri, pjalmimi, shpendët që janë rojet e “kuzhinës” e pastaj me radhë shiu, bora, breshri, lulet, rrufetë, vesa e mëngjesit, tufanet, erërat dhe “armiqtë” e lisit.
Me “kuzhinën” e lisit mësuesi nga Prishtina e krahasoi dhe kabinetin e Agim Vincës, që ai kishte patur fatin ta vizitonte. Agim Vinca, më tha, ka qysh moti që punon në Kosovë. Nuk doja të mbaronte biseda e rrallë, të cilën nuk e prisja nga mësuesi i panjohur. Unë u ndava shpejt me të. Më duhej të kthehesha në Prishtinë, kurse ai nxitoi për tek dreka në rudinë. Atij i erdhi keq që nuk drekova me miqtë e tij. Kur mësuesi më foli për “kuzhinën” e lisit (unë e dëgjoja për herë të parë), e që e kishte fjalën për punën krijuese të Agim Vincës, në të ikur më kujtoi dy vargjet epike të këngës, “O shumë po vriten bre, s’ka kush me dekw”.
U trishtova e me sy po kërkoja se ku ishin në këtë bjeshkë “Varret e Shkjaut”. U mahnita me “kuzhinën” e lisit me të cilin mbrohet e bëhet i fortë ai (Legjenda thotë se në Veleshtë aty nga fundi i shekullit të 19-të, në një mëhallë të Veleshtës, një lis qindravjeçar qe rritur aq shumë sa banorët e mëhallës u trembën se mos lisi po thyhej nga stuhitë e rrezikonte të binte mbi gjysmën e shtëpive të mëhallës. Lisi qe me kurorë dhe shumë i bukur. Për të bërë një fotografi aty vinin dhe turistë nga Evropa e më larg. Por kur rreziku i shembjes u bë kërcënues u paguan sharrëtarë nga Gollobërda dhe ata me ndihmën e litarëve e sharruan gjysmën e lisit pa bërë dëme në mëhallë.
Por që atë ditë që u pre lisi Veleshtës iu venit bukuria. Nuk vinin më të huajt për të bërë fotografi. Edhe të ardhurat për tregtarët u paksuan. Ditën që u sharrua lisi ushtria e shpendëve fluturoi lart e acaruar. Veleshtarët i dëgjuan grindjet e zogjve dhe vështrimin e tyre me inat nga lart poshtë. Shpezëria mbeti pa selinë e saj. Qysh atëherë shumë shpendë u arratisën nga lisi i prerë dhe nuk u dukën më. Aty ku dikur ishte lisi edhe sot ndizen qirinj). Edhe drurët kanë mitet e veta, belbëzoj me vete.
Në Mallakastër qarkullon dhe sot miti i “vedrës” me vaj ulliri. Çdo ulli ka një “vedër” me vaj në zgavrat e rrënjëve. Sa shumë e kam diskutuar mitin e “vedrës” me vaj ulliri me mikun tim nga Bregu, Odise Grillon. Kisha dëgjuar nga një plak i fshatit tim, që i kishte kaluar të njëqind vjetët, se njerëzit që jetojnë pranë lisit dhe ullirit janë zemërbardhë dhe nuk e njohin intrigën. Bletët preferojnë zgavrat e lisave dhe shqiponjat në majat e tyre i ndërtojnë foletë. Lisat e zaptojnë malin, kurse ulliri ka caqe.
Plaku rrëfente se ullirin ti e mbjell dhe atje ku ai nuk do, dhe ai nuk ta prish, por kokrra nuk lëshon. Gjer tek Ullinjtë pa Kokrra fshatarët i ngrinin banesat. I ceka këto gojëdhana se paçka se libri “Arti i reagimit” e hulumton jetën në Kosovë mes dramave dhe tragjedive, gjithsesi eseisti ashtu kalimthi i vizaton personazhet, malet, lumenjtë (Drinin dhe Ibrin), lisat, vendet me histori, ndodhitë, pabesitë e serbëve, përndjekjet, masakrat, hakmarrjet, jetën me kalorës, bëmat nëpër dasma, shkëmbimet e dhuratave, tregimet me ushtarët e UÇK-së, rrëmbimet e çikave nga udbashët, gjurmimet e vëllezërve gjersa thinjeshin në kërkime për motrat, nëmat, fatet e ndërtimit të urave, vendet e shenjta, gjakmarrjet, pajtimet për shkak të luftës për liri, parandjenjat, kuvendet e odave, humori e kënga në hane, bukuria e festave fetare, bëmat e kaçakëve, gjëmat nga rrufetë, kasollet e legjendave, fati i njeriut e të tjera me sens logjik duke marrë me lidhje shkakësore çdo ngjarje që lidhet me fatin e Kosovës.
Po mbushen dalëngadalë 50 vjet që studiuesi, historiani i letërsisë, poeti, shkrimtari, kritiku letrar, publicisti, eseisti, pedagogu, polemisti, drejtuesi shkencor, edukatori i papërsëritshëm, veprimtari politiko-shoqëror, hartuesi i teksteve të letërsisë, përkthyesi, lektori, pamfletisti, skenaristi dhe dramaturgu Agim Vinca i ushtron si zanatçi i artit në Prishtinë. Në një ese nuk përmblidhen arritjet e këtij talenti të pashoq. Para disa kohësh kur mbarova një veprimtari për Qazim Bej Vlorën në Strugë u ktheva dhe në Veleshtë, ku ka lindur Agim Vinca.
Veleshtarët më thanë se biri i këtij fshati, Agim Vinca, fillimet letrare i ka qysh në moshën 14 vjeçare. Në vendlindje dëgjoi tregimet e prindërve, përrallat, këngët, vallet, baladat e legjendat. Në Veleshtë u takua me zanat e me vitat, njohu për herë të parë meloditë e bilbilave dhe të thëllënxave, simfonitë e cikloneve e breshëritë e kallashnikovëve nën dritaret e shtëpisë. Veleshtari i ri aty recitoi vjershat e para, u njoh me çudirat e liqenit të Ohrit dhe të Drinit të Zi. Ashtu siç e thotë edhe vetë në shumë ese të librit “Arti i reagimit”, qysh në Veleshtë pa me sytë e tij pushtuesit. Ai vërtet recitonte, këndonte e vallëzonte, por nuk ishte i lirë. Jeta dhe arti ishin nën pranga. Në të gjithë jetën në Kosovë Agim Vinca do të ndeshet me pushtuesit sllavë.
Vargu epik i këngës “Ç’janë këto gjamë që po i bjen era” do ta ndjekë krijuesin milimetër më milimetër. Arti i tij universal prej mijëra faqesh është shkruar nën kërcënimin e hekurave dhe të shiut të plumbave të UDB-së. Shumë nga krijimet e tij janë rrëmbyer e filmuar fshehtas e janë në arkivat e Beogradit. Profesor Agim Vinca ka shpëtuar në fije të perit. Shumë nga këto ndodhi i gjen tek ky libër në kapitullin, “Ora e historisë”, siç është dhe eseja “Bëje ose vdis”, që ngjan më shumë me një poemë.
Libri “Arti i reagimit” i autorit Agim Vinca andejpari në gati 600 faqe është një rrëfim i shpërpjesëtuar, ku esetë kulmojnë me shkulmet e ankthit në Kosovë sidomos gjatë periudhës së luftës për çlirimin e Kosovës. Në të gjitha shkrimet nuk ka asnjë grimë makiazhi. Vlaga e fjalëve, theksimi i ideve, magjepsja e imagjinatës, tregimet kulmore të njëhopshme, rikujtimet e kthjellta e parandjenjat e kobshme kanë qenë sfida për krijuesin Agim Vinca. Kur e lexon publicistikën të vjen në mendje thënia e Markesit se “romani dhe reportazhi janë bijtë e një nëne”.
Mjafton që të lexosh tregimin “Sa mali i Shkëlzenit” dhe e kupton dashurinë e autorit në nderim të dëshmorëve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj. Të gjitha esetë varg pas vargu të eruditit Agim Vinca e kanë marrë shtysën nga ngjarje reale. Skicat e reportazhet nuk janë trillane. Mjeshtërori Vinca përdor kreativitetin e duke qenë poet i klasit të parë; me kredon e tij di çfarë thotë dhe sesi e thotë atë temë që e frymëzon.
Në çdo ese është portreti i vetë zotit Vinca, që me karakterin e tij të hekurt dora-dorës në gurrën e tij letrare ka plazmuar dramat e tragjeditë e Kosovës duke u dhënë hera-herës dhe një ngjyrim vetjak. Në të gjithë esetë e kapitullit “Lufta, Liria, Pavarësia” autori me empati e me mrekulli letrare nëpërmjet çiltërsisë së fjalëve në të gjitha ngjarjet e Kosovës ai është autentik. Formimi sistematik e ka bërë atë që fund e krye në librin “Arti i reagimit” të japë tablo me një realizëm të tejdukshëm.
Me teknikën e të rrëfyerit, ai, me një pasion gati ungjillor përfshihet në debate artistike e sociale, ku shkencëtari nuk lëshon pe. Me artin e tij magjik ky libër i Vincës eklipson shumë botime në Tiranë dhe Prishtinë. Agim Vinca nuk u bishtnon ngjarjeve të vrullshme në Kosovë. Esetë e tij janë kode, përgjigje parabolike e epigrafw nderimi. Publicistika e tij ngërthen fuqinë e fshehtë krijuese dhe mitin e dinjitetit, të cilat jepen në vepër me një vrull të përtërirë.
Agim Vinca siç është në të gjithë veprën e tij letrare edhe në këtë libër është i deshifrueshëm e me një frytshmëri të egër. Vështruar nga ky kënd në fushën e fiksionit Agim Vinca sidomos në kapitullin “Përvjetorë e libra” si me një rrebesh biblik e epshmëri të paparë flatron tek personazhet e librit, që lexuesi e ka në duar.
Me një domethënie simbolike analizon risitë letrare, të cilat i sjellin autorët e tij të preferuar. Megjithëse nuk merret me gjithfarë zhbirimesh ndalet tek poezitë e dorës së parë. Kur ai analizon duhmën e athët të veprës së Adem Demaçit kritiku i artit Agim Vinca analizon prerazi vargjet: – “Jo atyre që janë trima/ /me ngrehë gishtin e krimit/ /po atyre që janë trima/ /me shtri dorën e pajtimit/”. Edhe kur është i detyruar të polemizojë Vinca nuk tregon kurrë grimca ligësie.
Jetën në Kosovë publicisti Agim Vinca e kundron esëll. “Vetëm qetësia është madhështi, çdo gjë tjetër është dobësi”, thotë Alfred de Vigny. Me patosin e këngëve të veta si poet e publicist narcisti Vinca është marrë gjithë jetën me Qosen, Agollin, Kadarenë, Din Mehmetin, Hivzi Sulejmanin, Esad Mekulin, Konicën, Nolin, Kutelin, Migjenin, Eskilin, Shekspirin, Tagorën, Gogolin, Cvajgun, Kamynë, Markesin, Sabaton e të tjerë.
Poeti Agim Vinca qysh kur botoi vëllimin e parë poetik “Feniksi” në vitin 1972 e gjer tek “Muza e Mëmëdheut” në vitin 2012 (ky është libri i fundit që kam në bibliotekë) shquhet për pasurinë e fjalorit, për zgjedhjen e temave (ka qenë mik i heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci), ku të bie në sy aftësia e mistershme.
Në dramat e Kosovës i bën sfidë boshësisë e hiçësisë. Në poezinë me titull: – “Letër Ukshin Hotit në burgun e Nishit” autori shkruan: “/Nuk e kanë të vështirë të të burgosin/ /As të të vrasin nuk e kanë të vështirë/ /Vështirë e kanë të të lënë të lirë/. Si polemist Agim Vinca është i pamëshirshëm me cinikët, snobët, klyshët hipokritë, me personazhët e dalëkohe e me njerëzit asocialë. Në të gjitha esetë publicisti dëftehet inteligjent. Me autorësinë e shprehjes edhe kur operon me dhunti mistike nga oazi i shpirtit të tij asnjë ngjarje nuk trajtohet si sajim apo me timbër didaktik.
Vinca zdrukon me ndjenjën e të veçantës, pa bërbëlitje e çikërima, natyrisht me mirëdashje e përpikmëri estetike, të gjitha ato ngjarje historike të cilat i ka jetuar në Kosovë, ku ka provuar përndjekjet, bastisjet familjare dhe burgun nga regjimi i Millosheviçit. Duke e ndjekur fatin e tij krijues nga e para e të parave pa dyshim të cimbis temperamenti artistik i Agim Vincës e nervi estetik. Kurrë nuk ka qenë në periferi të artit e ka pasur armë elementin lirik të fjalës dhe pika më e fortë e tij është gjuha e kajshme dhe mujshitë e tjera, ku thith energji dhe kundron shoqërinë në Kosovë me mirësinë dhe sharmin kundër UDB-së së djeshme dhe hëpërhë kundër ambientit me të korruptuar, perversë e kriminelë.
Më së pari në publicistikën e gjerë profesor Agim Vinca ka belbëritur e ka zbrazur tallazet e shpirtit. Pikë për pikë në të gjitha esetë autori i librit “Arti i reagimit” me frymëzim dantesk e me shprehje poetike rrok për një kohë të gjatë përmes parashtrimeve me një pohore të pastër dramat dhe tragjeditë e Kosovës, ku nuk mungojnë fatthëniet, metodat e gjykimit, ofshamat e me muzë të epërme nëm makthin kaotik, që për dreq vazhdon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni (Kryetari i Bashkisë së Strugës, Ziadin Sela, që është zgjedhur dhe deputet, u gjakos brenda Parlamentit të Maqedonisë). Veleshta e Agim Vincës është mëhallë e Strugës. Në shkollën e mesme në Strugë nxënësi i shkëlqyer në letërsi Agim Vinca do të recitonte vargjet e Lasgush Poradecit : “Duke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri//Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…/”.
Universalisti Agim Vinca ka shkruar vepra me okë. Mesa di gjer tani ai ka botuar rreth tridhjetë tituj librash. Natyrisht që shigjeta e gravitetit anon nga poezia. Por duke qenë produktiv e kreativ në rrafshin letrar ai në librin “Arti i reagimit”, ku ka ese kulmore, dhe ku shquhet për shprehjen e mendimit të lirë, Vinca, e ka ndjekur trillin e fatit pa vello etike.
Ai ka gdhendur asi personazhesh, që edhe kur janë në tendosje të skajshme, nuk kuturisen e u ka hije shëndeti shpirtëror. Nuk ka tallaz zbulimesh. Në thelb arti i tij është i thjeshtë. Ja sa ëmbël e sa shkoqur shkruan poeti. /Do të vij tek ti/ /të zhytem kryehutas në Dri’/ / të kridhem thellë në ujërat e tij/ /të notoj syçelë pas fëmijërisë/ / si pas gurëve të bardhë dikur/. Studiuesi i thellë e shpenzoi jetën në kuptimin më të gjerë në shërbim të popullit të tij. Kur e mbarova së lexuari librin “Arti i reagimit” solla në mendje thënien e Dostojevskit: “Dënojeni njeriun të jetojë në një vend ku qëndron me një këmbë buzë një gremine të kobshme; ai jeton në shi, në borë, në ngricë, mes dhimbjeve dhe urisë, por nuk dëshiron të vdesë, reziston duke vazhduar jetën”. Kështu është dhe jeta e Agim Vincës. Fenomenologjia e artit që ai skalit prej një gjysmë shekulli qysh atë mot me formëzimin e gjuhës, artisti e ka fokusuar artin e vet asëll-asëll kulturalisht me kumte simbolike të cilat i përmbledh tek eseja “Veleshta si metaforë”. Dhe në disa rrafshe ia ka arritur qëllimit. Edhe në përditësi profesori është në luftë me primitizmin bajraktarik. Shumatorja e opinioneve për një zinxhir ngjarjesh me kriza e intriga (siç qe dhe ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë) hedh dritë mbi të vërtetat duke mos lejuar baltosjen e imazhit të Kosovës.
Në jetën e tij të sekëlldishme krijuese Agim Vinca, edhe pse nën pushtimin e Serbisë, nuk e ndaloi kurrë artin virtuoz edhe kur i është rrezikuar jeta (për këtë bën fjalë ditari i shkrimtarit “Ditë ankthi e shprese”). Në çdo rrethanë Vinca shkroi. Kam marrë pjesë në luftën e Koshares dhe jam çuditur që mes gjëmimeve të topave dhe mortajave gjinkallat nuk e ndalnin këngën (kam parë gjinkalla duke kënduar dy metra larg tytës së topit kur zbrazeshin predhat. Kënga e gjinkallës nuk soste. Po kështu dhe kënga e bilbilave. Nuk kishte gjë më të bukur kur korit të këngës së bilbilave u bënin iso dhe gjëmimet e topave). Kështu është dhe jeta e poetit Agim Vinca. Krijimtarinë artistike, si ata bilbilat e Koshares, nuk e ndërpreu as nën kërcënimin e hekurave dhe të plumbave të kallashnikovit.
Profesor Agim Vinca paçka se ende nuk e ka marrë medaljen “Nderi i Kombit” emri i tij artikulohet në të gjithë gjeografinë ku banojnë shqiptarët. Ai ka mbërritur deri këtu jo nëpërmjet udhëve të kollajta, por përmes impulseve e vetëdijes së brendshme se është në shërbim të popullit që e ka lindur. Agim Vinca ka ecur me hapa të fisme veleshtari e ka folur me gjuhë të kadifenjtë. UDB-ja dhe intrigantët kanë kërkuar grimca në biografinë e tij.
Pusitë kanë qenë të rrezikshme. Por ai nuk u tundua. Ferrin ekzistencial e përballoi me stuhi nervash dhe në këtë udhëtim dramatik pati si shok kulturor artin. Po të lexosh esenë kushtuar librit të Rexhep Qoses “Paqja e përgjakshme” nxjerr në sipërfaqe ndjenjat e autorit, tipologjinë e rrëfimit e kinse qasja kritike e Vincës çon në fushën e mejdanit provën traumatike të popullit të Kosovës në luftën për liri. Autori është marrë me demonët e me kopallat, të cilët për fat të keq e ironikisht iu bënë pengesë elitës së Kosovës në kalvarin e gjatë të vuajtjeve në luftën kundër pushtuesit serb. “Më jepni një dhimbje, t’u jap një kryevepër”, thotë Dostojevski.
Dhe Agim Vinca me shpirtin kreativ, siç është me pamje dardani, nuk e ka shkruar veprën e tij voluminoze në mënyrë rastësore. Përkundrazi ai ka qenë i stërmunduar nga ankthet e luftës me pushtuesit dhe me ziliqarët. Termometri shpirtëror dhe universi i simboleve asisoj ka kundruar fatin e Kosovës. Këtë e këndellin fluturimet e pashtershme poetike, ndonjëherë dhe misterioze, të cilat i janë përcjellë lexuesit me një shumëllojshmëri rrëfimesh interesante si këto të përmbledhura në volumin “Arti i reagimit”.
Në Prishtinë nuk munda ta takoj Agim Vincën. Një pirg me telashe m’u bën havale. Por në hotel, në kafene, në udhëtim për në Krushën e Madhe e nëpër bjeshkë, kur kisha kohë, rilexoja pjesë nga libri “Arti i reagimit”. Dhe natyrisht që shkëmbeja ndonjë mendim imagjinar me autorin. Ishim bashkë. Brenda librit është Veleshta, Prishtina, Tirana dhe e gjithë Shqipëria. Njeriu i letrave Agim Vinca me mendjen esëll vazhdon të shkruajë me vërtetësi skrupuloze.
Fjalë pas fjale, fjali pas fjalie, poezi pas poezie, ese pas eseje e me radhë, ai, me artin e tij ka krijuar një fuqi të madhe. Nuk e teproj po të them se është ngjitur në majë. Këtë e di dhe vetë autori i librit “Arti i reagimit” Agim Vinca, ashtu siç e di gjithashtu mirë, atë që thoshte dikur gjyshi i tij në Veleshtë: “Kur të dalësh në majë kujto hapin e parë”.
