I pavdekshmi Dritëro

DITA Online

 

Nga Sejdo Harka

Edhe pse kanë kaluar disa muaj që Dritëroin nuk e kemi midis nesh, ai në çdo çast na shfaqet në imagjinatë më  i gjallë se të gjallët. Kjo ndodh vetëm me njerëz si ai, të cilët nuk vdesin kurrë. Që Dritëroi ka mbetur i përjetshëm e tregon edhe fakti se ai “foli “me heshtjen e tij të rrallë, edhe në ditët që ai mori rrugën për në banesën e fundit.

Por që nga ajo ditë e dhimbshme e deri më sot, jeta, vepra dhe protagonizmi i papërsëritshëm i Dritëroit është bërë objekt debatesh e diskutimesh në medien e shkruar dhe atë vizive. Krahas vlerësimeve pozitive, për Dritëroin janë hedhur dhe  mendime të kundërta. Pati nga ata që mbi shtëpinë e përjetshme të të ndjerit, në vend të dheut të ëmbël, hodhën baltën e zezë  pis. Pati nga ata që me urrejtje patologjike i ranë gjoksit, se gjoja paskëshin zbuluar kërthizën e së keqes së botës! Po s’ka gjë.  Bukur e thotë  populli: ”Pemës me kokrra i bien të gjithë me gurë”.

Sejdo Harka

I pari që nisi të shfryjë  kacekun e papërgjegjshëm të urrejtjes ndaj  Dritëroit, ishte Artur Zheji, që, sipas tij, ndëshkimet kriminale të Partisë së Punës paskëshin patur miratimin e Dritëro Agollit, se ai paskësh qenë “kryekoka e zgjuar e linjës politike, flakë të kuqe, në letërsi dhe në art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet e tmerrshme të viteve ‘70-80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës. Sadizmi i Zhejit arrin deri atje sa të shkruajë: “Shqiptarët sapo varrosën një nga pinjollët më të rëndësishëm të diktaturës, që e la prapa dhe e masakroi marrëzisht vendin tim…”!

Këtij mllefi, Pëllumb Kulla i përgjigjet me këtë ironi sarkastike “Sa mirë bëre që vdiqe, o Dritëro. Ti paske qenë Luçiferri i botës së artit. Ti paske qenë koburja vrastare, me të cilën  Enveri  vriste shkrimtarët dhe artistët. Ty, o i ëmbli poet, të kërkojnë tani që vdiqe, të kishe vdekur 50 vjet më përpara në sheshin Skënderbej, në mbrojtje të shkrimtarëve dhe artistëve të  Shqipërisë”.

Po kush janë ata që e qortojnë Dritëroin pas vdekjes?!

Janë pikërisht ata që e donin Shqipërinë pa Ismailin dhe Dritëroin, që i dhanë letërsisë dhe artit  oksigjenin. Prandaj ata do të mbeten përjetë si gurë të çmuar në visaret e kombit. Me gjithë pengesat që u diktoi koha, ata jo vetëm  nuk krijuan vetë barrikada, por u munduan t’i çmontonin ato, edhe kur i ndërtonin të tjerët. Disa prej atyre që i kërkojnë Dritëroit sot, që dje t’i binte “malit me kokë”, janë  ata që para “Zeusit” dhe shërbëtorëve të tij rrinin si pula të lagura dhe strukeshin si lepujt nëpër ferra. Është kjo arsyeja që  tymi i zi që  u lëshua mbi figurën e pastër të Dritëroit  nga këta njerëz cinikë e të papërgjegjshëm, shpejt u zhduk nga flladi i ngrohtë i mesazheve paqësore që burojnë nga jeta dhe vepra e bukur që ai la në shpirtin dhe mendjen  e njerëzve dhe lexuesve të thjeshtë.

Është e vërtetë se Dritëroi e ka dashur komunizmin, por kjo nuk do të thotë se ai  u bë mashë e verbër vrastare e shkrimtarëve dhe artistëve. Që ai ishte një mbrojtës i idealeve të pastra komuniste për të cilat luftoi që në moshë tepër të njomë, ai deklaronte edhe vetë plot krenari. Ai kurrë nuk e ndërroi lëkurën, si gjarpri, ashtu siç bënë  disa të tjerë, të cilët u ngrysën komunistë fanatikë dhe  papritur u gdhinë antikomunistët më të egër. Dritëro Agollin, idealet e tij të bukura, nuk e penguan që në vitet e demokracisë të bëhej një politikan i ekuilibruar dhe i pëlqyer nga të gjithë. Këto  ideale nuk e penguan që edhe në ato vite të vështira të krijojë vepra dhe karaktere si ato të romaneve “Rënia dhe shkëlqimi i shokut Zylo” dhe “Arka e Djallit”, nëpërmjet të cilëve fshikullohet ashpër paaftësia dhe servilizmi i kupolës së lartë komuniste.

Brenda e sistemit komunist, jo vetëm Dritëroi, por edhe shkrimtar të mëdhenj botërorë si Majakovski, nuk mundën t’i shpëtojnë dot “dvojnikut” (shpirtit binjak), si rezultat i censurës dhe autocensurës që mbillte sistemi monist. Dritëroi ishte jo vetëm  një shkrimtar i madh dhe politikan i ekuilibruar, por dhe një njeri popullor, human dhe tepër i thjeshtë e mirënjohës. Kur në njërën nga gazetat tona të  përditshme ishte botuar shkrimi im me titullin:”Dritëro Agolli, i përndjekuri i dashurisë”, edhe pse nuk njiheshim nga afër, ai kishte gjetur telefonin tim për të më falënderuar tepër përzemërsisht me atë zërin e tij të ëmbël, të cilin s’kam për ta harruar kurrë. Ai zë  i ëmbël, do të më shoqërojë tërë  jetën, si tingujt  e një këngës time më të preferuar. Dashuria për njerëzit dhe thjeshtësia, sinqeriteti dhe bujaria, kultura e gjerë dhe dituria e kanë ndjekur Dritëroin hap pas hapi, tërë jetën. Është kjo arsyeja që Dritëro Agolli ka shumë admirues,  studiues, lexues dhe njerëz të thjeshtë, të cilët e thërrasin me epitetet më të bukura, si: “Bardi i muzës poetike”, ”Emblema e kulturës shqiptare”, ”I përndjekuri i dashurisë” dhe…së fundi, ”I pavdekshmi  Dritëro”.

 

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • O Sejdo , kur flet per Agollin nuk ke pse e barazon me Kadarene apo Majakovskin.Secili dash varet nga kembet e veta.Agolli ishte kryetar i lidhjes ne dekadat e kryqezimit te shume artisteve te rinj e te vjeter ne kuften e Partise kunder liberalizimit, ishte anetar i KQ dhe deputet gjithe kohes, kjo ana formale e ceshtjes.

  • Kete Dritorin e Devollit po e hane krimbat, ti i thua i pavdekshem/ A je mire nga trute ti o Sejdo Katunari?

    Apo ju vdiqen te pavdekshmit ju katunareve dhe nuk dini ke te adhuroni tashti.

  • Aman kush e njeh kete plakushin “Plaku Xhuxhumaku” sa e kemi te gjalle.Pa kur te vdesin as bytha e dreqit nuk do e njohin.
    Jeta rreale e te mbijetuarit varet tek kontributi qe jep cdo njeri per shoqerine.Kjo e ban te perjeteshem jeten e tyre njisoj sikur te mos kishin vdekur.
    Shkurt: jane te pavdekshem.Ne perjetesi.
    Ne si puna e “Plaku Xhuxhumaku” Jo vetem nuk na njohin perse gjalli.Por,edhe te vdekurit nuk kane per t’na njohur.
    Kam iden qe kur ndigjojme emrin Devoll.Menjihere te shkon mendja tek Driteroi.Dhe e kunderta.Keshtu jane te lidhur me shpirt e Zemer Lumi Devoll – Driteroi apo Driteroi dhe Lumi Devoll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *