Pas debatit në distancë mbi hipotekat, mes kryeministrit Rama dhe Luan Ramës ka reaguar Ministria e Drejtësisë që drejtohet nga Gazmend Bardhi. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat njofton se ky institucion ka nisur hetimin mbi këtë çështje ndërsa siguron banorët e Bashkisë Vorë se nëse konstatohen shkelje do të merren masa të menjëhershme.
Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar kryerjen e një hetimi administrativ dhe siguron qytetarët se kërkesat e tyre për pajisjen me certifikatë pronësie do të trajtohen sipas ligjit. Gazmend Bardhi gjithashtu u bën thirrje subjekteve politike të ndalin përdorimin e çështjeve që përfshihen brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë , për qëllime politike apo elektorale.
“Ministri i Drejtësisë z. Gazmend Bardhi, është njohur sot me deklarimin publik të Kryetarit të Partisë Socialiste z. Edi Rama, dhe Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Luan Rama, sipas të cilëve për motive politike apo shkaqe të tjera të paligjshme, po pengohen qytetarët të pajisjen me certifikata pronësie, pavarësisht se janë pajisur më parë me certifikatën e legalizimit të pasurisë së tyre.
Ministri i Drejtësisë mori kontakt të menjëhershëm me strukturat përgjegjëse në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme Tiranë mbi këtë çështje. Pavarësisht informacioneve pararake, Ministri i Drejtësisë, për të bërë transparencë të plotë mbi këtë çështje, ka urdhëruar kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi këtë problematikë. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo tentativë përdorim të paligjshëm që i bëhet veprimtarisë institucionale të Ministrisë së Drejtësisë, nga subjekte zgjedhore“, thuhet në deklaratë.
