Arjan Peco është emri i ri i trajningut shqiptar që arrin të jetë i suksesshëm përtej kufinjve. Ish futbollisti i Dinamos dhe i kombëtares Shqiptare drejtoi skuadrën e 18 vjecarëve të Bazelit drejt titullit kampion në Zvicër për këtë grupmoshë.
Në një intervistë telefonike për Sport News, 42 vjecari tregon emocionet e këtij suksesi. “Emocionet janë të mëdha, pasi ka qenë një kampionat i dominuar totalisht nga ne. Në fund sipas skemës kemi bërë play off, ku në finale jemi ndeshur me vendin e dytë.
E kemi dominuar takimin, pavarësisht se kemi luajtur me një futbollist më pak për shkak të një kartoni të kuq. Në fund kemi triumfuar me penallti në një kampionat elitar, me lojtarë cilësorë që priten të jenë pjesë e superligës së Zvicrës.”
Prej disa vitesh Zvicra ka prodhuar shumë talente me origjinë shqiptare, madje një pjesë e mirë e kombëtares aktuale vijnë pikërisht nga ky vend. Peco thekson se shqiptarët vijojnë të jenë dominues, duke bërë thirrjen që të kthehet vëmendja tek ata për të qenë pjesë e kuqezinjve. “Te Bazeli janë 4-5 lojtarë me origjinë shqiptare që luajnë edhe me ekipet e moshave të Zvicrës. Ata duhen kontaktuar në mënyrë që të vihen përpara zgjedhjeve.
Në drejtim të tyre janë 3 alternativa, Zvicra, Shqipëria dhe Kosova, teksa edhe këtu ka shumë konkurrencë.” Karriera e Arjan Pecos ka njohur rritje, teksa vitin e ardhshëm drejtuesit e klubit më të njohur në Zvicër i kanë besuar skuadrën e 21 vjeçarëve.
Vetë trajneri kampionë me 18 vjeçarët e Bazelit tregon rrugën e përshkruar për të arritur deri këtu, edhe pse nuk ka qenë synim i tij të vijonte me futbollin. “Është një ngjitje logjike nga U-14 deri tek U-21. Nuk e mendoja se do të bëja karrierë si trajner pasi kur lash futbollin bëra shkollën e lartë. Fillova një punë të mirë në sistemin e ekonomisë ndërkohë për hobi mora drejtimin e 14 vjeçarëve të Bazelit. Por tani jam pjesë e 21 vjeçarëve dhe ky është një vlerësim nga ana e klubit, gjithashtu hapi i parë në karrierën time si trajner. Nuk dëshiroj të bëj plane por do të shoh hap pas hapi.” Edhe pse Peco refuzon të bëjë plane për të ardhmen, si çdo njeri edhe ai e ka një ëndërr. “Është pak e vështirë të thuash se çfarë ëndrre kam. Njëra do të ishte të bëhesha trajner i parë i Bazelit ose i një ekipi në Supërligë. Do të merrja në konsideratë edhe kombëtaret e moshave të Shqipërisë ose ekipin e parë. Megjithatë këto janë vetëm ëndrra, nuk janë plane për të ardhmen.”

Kombetarja duhet ti ofrohet Besnik Hasit. Ka dhene shume per kombetaren si futbollist edhe ka provur qe eshte edhe trajner i zoti duke drejtuar Anderlehtin.