Kili ka fituar 2-0 në ndeshjen e Kupës së Konfederatave me dy gola të shënuar në dhjetë minutat e fundit. Kjo ndeshje, ashtu si e para mes Portugalisë dhe Meksikës (2-2) pati ndikimin e VAR, teknologjia e gjykimit me vendime që vijnë nga pamjet televizive për episodet e dyshimta. Pikërisht një vendim i tillë anuloi golin e shënuar nga Vargas, në minutën e fundit të pjesës së parë. Kili bën pjesë në Grupin B të “Rusi 2017” bashkë me Kamerunin, Gjermaninë dhe Australinë
Rezistenca e Kamerunit zgjati deri në minutën e 80-të kur Arturo Vidal shënoi me kokë për kampionët e Amerikës Latine, pas krosimit të marrë nga Alexis Sanchez.
Nga këmbët e Sanchez lindi edhe goli i dytë i Kilit, në minutën e fundit të ndeshjes, që u shënua nga Eduardo Vargas, pasi portieri afrikan priti tentativën e “yllit” të Arsenal, por nuk arriti të kontrollojë topin. Edhe në këtë rast ishte VAR që vendosi, por ndryshe nga pjesa e parë, ky gol u quajt i rregullt.
