Kombëtarja U19 e femrave e drejtuar nga trajneri Nevil Dede ka fituar sot me rezultatin 3-0 ndaj fqinjëve të Malit të Zi. Kjo ndeshje e vlefshme për turneun miqësor u luajt në orën 10:00 në kompleksin e ekipeve kombëtare të Malit të Zi.
U luajten dy pjesë nga 35 minuta ku Shqipëria bëri një dominim total të kësaj ndeshjeje me fitoren e pastër. Siparin e golave e hapi në minutën e 23 të pjesës së parë nga një goditje dënimi futbollistja Blerina Morina, pjesa e parë mbyllet 0-1 për ekipin tonë. Në pjesën e dytë ka dyfishuar rezultatin Katerina Simoni, pas një goli të shënuar me koke në minutën e 6 të kësaj pjese. Golin e fundit dhe të fitores së pare e shënoi futbollistja Esi Lufo në minutën e 70 falë një penalltie. Në këtë turne marrin pjesë Mali i Zi, Kroacia, Bosnje & Hercegovina me përfaqësueset e tyre U15, Shqipëria duke mos pasur një ekip kombëtar të kësaj moshe ka grumbulluar vajzat e datëlindjes 2001- 2003. Miqësorja e radhës për përfaqësuesen e femrave në këtë turne do të jetë nesër në orën 10:00, Kroaci-Shqipëri e cila do të zhvillohet sërish në kompleksin e ekipeve kombëtare të Malit të Zi.
