Nis divorci mes Britanisë së Madhe dhe BE-së

redaktor

Pas 44 vitesh anëtarësimi në Union, sot nisi procesi i divorcit mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Një proces unik dhe i paprecedentë në të gjithë historinë e integrimit evropian. I shkaktuar nga vota e një referendumi të shumë diskutueshëm, sa për hir të rezultatit të ngushtë, por edhe për shkak të një fushate dezinformimi dhe lojës së brendshme politike, që nuk arriti dot të ngelë brenda dyerve partiake. Por, çfarë pritet nga ky proces dhe si janë pozicionuar palët në hapjen e raundit të parë ?

Hapja e raundit të negociatave, sot në Bruksel, shënon nisjen e një procedurë që duket se është ndarë në dy etapa.

Etapa e parë, përfshin mbylljen e çdo problematike dhe dosje që lidhet me tërheqjen e strukturuar brenda një rregulli të nevojshëm, të Britanisë së Madhe nga Unioni. BE, duket se ka imponuar axhendën e prioriteteve të saj, që prekin tre dosje të ndjeshme: çështjen e likuidimit financiar, pra detyrimin e Britanisë së Madhe për të paguar atë që tashmë njihet si “fatura” e Breksit; çështjen e kufirit irlandez, pra ruajtjen e përfitimeve të marrëveshjeve të paqes irlandeze; dhe sigurimin e të drejtave të qytetarëve evropianë në Britaninë e Madhe dhe të shtetasve britanikë në vendet e BE-27.

Në lidhje me çështjen e fundit, edhe pse pala britanike, u shfaq bashkëpunuese shqetësimi i BE-së, duket se është i një niveli më të lartë. Kjo, pasi BE synon të ruajë përparësinë e së drejtës të Unionit dhe të institucionit që e garanton atë, Gjykatën e Drejtësisë së BE-së. Duke mundësuar mbikëqyrjen e pjesëve të gjera të marrëveshjes, atëherë rritet garancia se të drejtat e përcaktuara në marrëveshje, nuk rrezikojnë të ngelen thjesht iluzione premtimesh, por se do të zbatohen realisht në terren. Po në të njëjtën logjikë, synohet nga BE që ruajtja e të drejtave të qytetarëve të vendosur tashmë në Britaninë e Madhe, si edhe atyre të instaluar në vendet e BE-së, të jenë të precizuara në mënyrë të detajuar në marrëveshje. Dhe rastet kur këto të drejta, nuk do të respektohen, apo do të ketë diskriminim dhe abuzim, duhet të jetë pikërisht ky autoritet apo instancë juridike, që duhet të ketë kompetencën e shqyrtimit të ankimeve.

Fillimisht, sot, palët kanë rënë dakord mbi identifikimin e prioriteteve dhe programit në vijim. Që në gjuhën e krye-negociatorit francez, u përcoll si caktim datash, organizimi dhe prioritetesh të negociatave. I rëndësishëm është edhe deklarimi publik i tij se: “Sesioni i parë i bisedimeve ishte i rëndësishëm dhe i nevojshëm, për të filluar me këmbën e mbarë.”

Gjithsesi, etapa e parë e negocimeve, do të jetë ajo që do të kushtëzojë plotësisht etapën e dytë, që lidhet me krijimin e një partneriteti të ardhshëm, apo edhe qoftë të një marrëveshje tregtare mes palëve. Dhe vetëm pasi të arrihet sukses dhe progres i vazhdueshëm në fazën e parë, atëherë mundet që palët të nisin bisedimet për gjetjen e një marrëveshje bashkëpunimi për të ardhmen.

Por, a do të pranojë Britania e Madhe të paguajë faturën financiare, që pritet të llogaritet dhe vlerësimet paraprake luhaten mes 60 dhe 100 miliardë euro?

Në konferencën e përbashkët për shtyp të pasdites së vonë, spikatën në “përgjithësi” dy qasje të ndryshme politike, që krijojnë hapësirë interpretimi. Të dyja, në referim të personaliteteve me peshë historike dhe kontribut në hedhjet e themeleve të Evropës së bashkuar. Qasja e BE-së, erdhi mes thënies së huazuar të një prej baballarëve të Evropës, francezit Zhan Mone tek shprehej në lidhje me bashkimin e nevojshëm evropian se: “Nuk jam as optimist, as pesimist, por i vendosur !”

Ndërsa qasja britanike, u mirë-pozicionua ndaj “optimizmit të vendosur” përmes shprehjes së Çurçillit se: “Pesimisti, shikon vështirësi kudo ku ka raste për t’u shfrytëzuar, ndërsa optimisti shikon raste për t’u shfrytëzuar në çdo vështirësi!”

Gjithsesi, gjithçka pritet të vendoset në muajt në vijim, por procesi nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me një procedurë normale divorci, por me krijimin e një precedenti të pazakonshëm, për daljen e një vendi anëtar nga BE. Nga ku, do të strukturohet juridikisht një model i qartë negocimesh; ekonomikisht, kostoja tërësore e një procedurë të tillë; politikisht, ndarja mes forcës së iluzionit dhe fuqisë së realitetit; dhe moralisht, serioziteti në angazhime, që nuk përfshijnë vetëm interesa të caktuara lokale, por stabilitet, kontribut dhe qëndrueshmërinë e një kontinenti të tërë.

Partneriteti i ardhshëm

Por, cili mund të jetë modeli, që mund të preferohet nga palët ?

Në fjalimin e saj të 17 janarit, kryeministrja britanike, do të përjashtonte opsionet dhe modelet ekzistuese, që kanë vende të tjera me BE-në, si p.sh. Norvegjia, Zvicra, apo Kanadaja. Konkretisht, ajo do të shprehej se nuk dëshironte një anëtarësim të pjesshëm në BE, apo çdo gjë, që mund ta linte Britaninë gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë.

Modeli norvegjez, në fakt bën fjalë për pjesëmarrje në Hapësirën Ekonomike Evropiane që nuk është gjë tjetër, veçse tregu i përbashkët i shtrirë ndaj tre vendeve, që kanë zgjedhur të marrin pjesë në të, si Norvegjia, Lihtenshtejni dhe Islanda. Këto tre vende janë pjesë integruese e tregut të përbashkët, ku si rrjedhojë duhet të zbatojnë të gjithë rregullat dhe parimet, kryesisht liritë e qarkullimit, por duke mos pasur asnjë zë në përpunimin e ligjeve dhe rregullave të tij. Dhe nga ana tjetër duhet të kontribuojnë gjithashtu në buxhetin e BE-së. Edhe modeli zviceran, ka të bëjë me një format lidhje me BE-në nëpërmjet një serie marrëveshjes dypalëshe, nëpërmjet të cilave Zvicra merr pjesë në disa politika të përbashkëta, por jo të gjitha, si p.sh. Shengeni. Zvicra kontribuon gjithashtu në buxhetin evropian, por në një masë më të vogël se, sa tre vendet e mësipërme. Në të njëjtin kuadër marrëveshjesh, është rregulluar gjithashtu edhe aderimi i Konfederatës zvicerane në lirinë e lëvizjes së personave, ndonëse para dy vitesh zviceranët votuan pro kufizimit të imigracionit, duke vënë në këtë mënyrë në dyshim të gjithë arkitekturën e aderimit të tyre në Tregun e Përbashkët. Ndërsa modeli kanadez, që duket se gjen një lloj preference në hapësirën britanike, është modeli në të cilën u ndërtua CETA, duke u nisur nga sistemi i shkëmbimit të lirë, në kuadrin e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Por, një nga modelet e veçantë i propozuar nga Instituti kërkimor Brujgëll në Bruksel, vetëm dy javë para Samitit të Bratislavës, ku drejtuesit e 27 vendeve evropiane do të diskutonin për herë të parë, mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian, pa Britaninë e Madhe, do të ishte Partneriteti Kontinental.

Ky model, përmban ndoshta formatin më të mirë të bashkëpunimit, që duhet të ndërtojë Britania e Madhe me Unionin, pasi i përshtatet kërkesave britanike për qasje të thelluar ekonomike. Mekanizmi parashikon pjesëmarrje të plotë në lëvizshmërinë e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve dhe një farë lirie të përkohshme të lëvizjes së punëtorëve, por duke përjashtuar lirinë e lëvizjes së punëtorëve dhe integrimin politik.

Arkitektura institucionale përfshin krijimin e një Këshilli ku do të marrin pjesë edhe institucionet e BE-së. I strukturuar në nivele të ndryshme formacionesh, qëllimi është krijimi i hapësirës për Britaninë, që të ndërhyjë gjatë procesit legjislativ, që njeh mekanizmi i BE-së. Pra, të drejtën për të diskutuar, negociuar, propozuar ndryshime ligjore, në lidhje me tregun e përbashkët, por edhe në sferat që lidhen me të. Kjo e drejtë për të propozuar ndryshime ligjore, gjatë rrugës së hartimit të ligjeve, do të jetë e një natyre politike dhe jo ligjore, në kuptimin që asgjë nuk do të ndryshojë në procesin legjislativ që ka BE, por gjatë këtij procesi, mendimi, opinioni dhe propozimet ligjore e vendeve që do të marrin pjesë në PK, do të kenë hapësirë për t’u trajtuar dhe marrë parasysh. Por, fjalën e fundit dhe fuqinë për të refuzuar propozimet ligjore e ka BE dhe vendet e partneritetit, nuk kanë mundësinë e të drejtës së vetos. Mekanizmi përgjegjës për rregullimin e çështjeve dhe konflikteve të ndryshme, parashikohet të jetë një institucion i posaçëm juridik.

Ky është dhe momenti, që krijohet një mekanizëm detyrues apo imponues, pasi në fazën që BE vendos përfundimisht, duke miratuar legjislacionin në fjalë, dhe duke mos marrë parasysh opinionin apo propozimet e Këshillit të PK, vendet që bëjnë pjesë në këtë Këshill, kanë detyrimin të përfshijnë në legjislacionin e tyre kombëtar, legjislacionin e miratuar nga BE, mbi Tregun e Përbashkët. Nëse ky zbatim nuk ndodh, atëherë vendet e PK do të përballen me shtrëngesa në pjesëmarrjen e tyre në Tregun e Përbashkët. Sipas skemës propozuese, “Anëtarët e PK, duhet të pranojnë masat përforcuese, dhe jurisprudencën që ruan liritë përkatëse të Tregut të Përbashkët. Në të kundërt, integriteti dhe koherenca e Tregut të Përbashkët do të shkatërrohej.”

Modeli i Partneritetit Kontinental, ofron gjithashtu edhe formatin e një Evrope të dy rrathëve, ku BE do të përbëjë rrethin kryesor me struktura mbi kombëtare dhe vendet, që kërkojnë linja bashkëpunimi jo shumë të ngushta politike apo të thelluara, si Britania e Madhe, do të kenë mundësi të marrin pjesë në rrethin e dytë të jashtëm, me struktura ndërqeveritare. Por, në këtë rreth autorët sugjerojnë që të përqendrohen edhe zgjerimet e ardhshme të Unionit, si p.sh. zgjerimi ndaj Turqisë, apo zgjerimi ndaj Ukrainës.

Që prej vendimit për dalje të Britanisë së Madhe nga BE, propozimet mbi modelet e bashkëpunimit nga ekspertë të fushës janë të shumtë. Modeli i partneritetit kontinental, ngelet formati që mund të inkuadrojë më mirë preferencat e palëve. Por, kjo do të varet nga ambiciet që do të shfaq Britania e Madhe në procesin e negocimeve dhe nga predispozita e BE-së, për të formuar një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me Britaninë e Madhe.

Im.Ta.

DITA

Share This Article