Pas mbylljes dramatike të sezonit të shkuar, tek Vllaznia vunë alarmin për rindërtimin e skuadrës që në fillim të muajit qershor, në mënyrë që skuadra të mos garojë më për mbijetesë.
Megjithatë duket se ai ishte thjesht entuziazëm i momentit, fjalë të nxjerra natyrshëm pas suksesit në derbin e Shqipërisë ndaj Tiranës që vlejti mbijetesën mes më të mirëve.
Tashmë gati një muaj pas asaj sfide, historia përsëritet në Shkodër, me ekipin që ende është në ajër.
Si një klub i varur nga bashkia, Vllaznia mbetet peng i zgjedhjeve elektorale me drejtuesit që ende nuk kanë zgjidhur çështjen e trajnerit dhe formatimin e skuadrës. Dëshira është që Armando Cungu të vijojë të jetë në krye të kuqebluve, por vetë 44-vjeçari ka bërë të ditur që nuk qëndron për një Vllazni që lufton për mbijetesë.
Me kohën që kalon bëhet më e vështirë ndërtimi i një grupi kompakt. Pas malazezëve Cicmil dhe Agovic të cilët e mbyllën aventurën me Vllazninë pa përfunduar sezoni i kaluar, tashmë nga skuadra janë larguar edhe disa elementë. Elis Bakaj u divorcua përpara sfidës me Tiranën, ndërsa Ditmar Bicaj nënshkroi për Flamurtarin.
I sigurtë është largimi i sulmuesit Rubin Hebaj që me 24 qershor pritet të firmosë me Domzhalen, teksa drejt largimit është edhe Erald Cinari.
Në këto kushte skuadra që siguroi mbijetesën ka patur vetëm rrjedhje, dhe me ditët që kalojnë futbollistët cilësorë të kampionatit është e vështirë të gjenden. Vllaznia edhe një herë mbetet peng i politikës.
