Qendra e Shërbimeve të Arsimit dhe MAS kanë zbardhur notat për rreth 37 mijë maturantët që morën pjesë në provimin e detyruar të letërsisë dhe gjuhës shqipe të zhvilluar rreth dy javë më parë. Rezultatet e plota të arritura nga secili maturant do t’i gjeni të detajuara online në www.gazetadita.al.
Kështu, maturantët mund t’i gjejnë notat që kanë marrë, duke kërkuar në listë ID-në e tyre, përbri të cilës janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar, si dhe nota përfundimtare me të cilin kandidati është vlerësuar në këtë provim. Pjesa dërrmuese e notave të marra në provimin e letërsisë i përkasin nivelit mesatar.
Pavarësisht pretendimeve që mund të kenë maturantët mbi vlerësimet e marra, ata nuk do të mund të ankimojnë rezultatin e provimit, megjithatë kanë të drejtë që të kërkojnë tërheqjen e kopjes së korrigjuar sipas afateve që do të zbardhen gjatë ditëve në vijim, por pa pasur mundësi që të ndryshojnë rezultatin. Ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë.
Kjo pasi testet e tyre janë klasifikuara si të dyshuara për kopje, dhe do t’u nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh. Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do t’i njihet rezultati, ose jo.
